Ndryshe nga shtetet tjera në gjithë botën ku çmimet e naftës kanë shënuar rënie të dukshme dhe atë rreth 50 për qind më lirë, në Kosovë vërehet një rënie shumë e lehtë e çmimeve të naftës.Përfaqësues të naftëtarëve në Kosovë, mos rënien e çmimit të naftës ngjashëm me shtetet tjera e arsyetojnë më taksat e larta që ata i paguajnë për këtë produkt, si dhe mungesën e një rregullatori që mbikëqyrë çmimet e naftës.
Fadil Berjani, udhëheqës i Shoqatës se Naftëtarëve në Kosovë, duke bërë një krahasim me vendet e rajonit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova akcizën në naftë e ka më të shtrenjtën.
Derisa, Maqedonia sipas Berjanit, akcizën për naftë e ka 20 cent për litër, në Kosovë akciza është 35 cent.
“Aktualisht çmimi i naftës në Kosovë është 0.99 euro deri në 1.05 euro. Por, ky çmim për ekonominë kosovare është çmim i lartë, kur dihet se në Gjermani me çfarë ekonomie ka ajo, çmimi i naftës për litër është 1.05 euro. Këto janë ato probleme që po krijohen për shkak të mungesës së një rregullatori”, thotë Berjani.
Çmimet e derivateve të naftës, ndërtohen nga bursa ndërkombëtare, kursi i dollarit, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ( TVSH), akciza dhe shpenzimet tjera.
Përveç çmimit të blerjes, në Doganat e Kosovës, kompanitë importuese paguajnë akcizë 0.35 euro për një litër naftë, ndërsa për benzinë paguajnë 0.33 euro, pastaj këtu shtohet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, transporti dhe shpenzimet tjera.
Ibrahim Bucaliu, pronari i kompanisë HIB – Petrol , kompani kjo e cila bën transportin e derivateve të naftës në tërë territorin e Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka treguar se ka rënie të çmimit të naftës, megjithatë sipas tij, janë taksat ato që pamundësojnë rënie më të madhe.
“Çmimin e naftës edhe atë të berzës ne e përcjellim çdo mbrëmje, ne jemi të parapaguar, në berzën botërore i marrim ato çmime që janë në berzë, ne jemi në treg në shitje. Mirëpo se ka rënë çmimi në berzë shteti taksat i ka fikse, e tek ne për një litër naftë paguajnë afër 47 cent taksa”, ka bërë të ditur Bucaliu.
Ai ka treguar se çmimi i naftës i cili ka qenë 1.24 euro për një litër, aktualisht është 0.99 euro deri në 1.00 euro.
Sidoqoftë, udhëheqësi i Shoqatës se Naftëtarëve në Kosovë, Fadil Berjani e ka quajtur mjaft problematike dhe të pa kontrolluar sektorin e naftës në Kosovë. Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrin hapa konkret në mbikëqyrjen e këtij sektori.
“Bëj apel tek kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, që të bëhet formimi i rregullatorit sa më shpejt në mënyrë që ky sektorë të hyjë nën kontroll. Vetëm më formimin e këtij mekanizmi rregullohet ky sektor, i cili deri më tani ka qenë një sektor i kriminalizuar”, thekson ai.
Zakonisht kur në tregjet evropiane apo edhe më gjerë çmimet e produkteve të ndryshme kanë shënuar ngritje, kjo është reflektuar menjëherë edhe në Kosovë, por që sipas njohësve të çështjeve ekonomike në Prishtinë, kjo nuk po bëhet kur ka ulje.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në masën e çmimit të ndonjë malli, pasi që vazhdimisht është theksuar se oferta, kërkesa dhe tregjet e jashtme, përcaktojnë çmimet e produkteve të caktuara. (rel)