Ish komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, i cili drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, tha të mërkurën në Prishtinë se Kosova ka shënuar përparim mbresëlënës drejt demokracisë dhe lirisë.
Ai i bëri këto komente në fillim të vizitës së tij në Kosovë me ftesë të ministrisë së Mbrojtjes ku u prit me ceremoni shtetërore nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
“Jam i nderuar që jam këtu, jam i lumtur që po kthehem në Kosovë. Kjo është hera e parë që pata rastin të vizitojë ministrinë e Mbrojtjes dhe më bën shumë përshtypje derisa e shoh Kosovën përgjatë viteve se si ecë në një rrugëtim mbresëlënës drejt demokracisë, lirisë dhe shpresoj në rritje të zhvillimit ekonomik për njerëzit këtu. Populli i Kosovës paraqet një shembull të fuqishëm për pjesën tjetër të botës se çfarë do të thotë për një komb vendosmëria për të jetuar, punuar dhe shërbyer për demokracinë”, tha zoti Clark.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, duke e vlerësuar vendimtar rolin e gjeneralit Clark në çlirimin e Kosovës, tha se nga sot qendra e studimeve të Forcës së Sigurisë së Kosovë do ta mbajë emrin e tij.
“Sot për nder të gjeneralit historik do të emërojë shkollën tonë të oficerëve me emrin “Qendra e Studimeve Universitare Wesley Clark”. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë për një hero siç është gjenerali Wesley Clark. Ai është personalitet i lartë dhe i çmuar në historinë e Kosovës dhe ashtu do të mbetet ndër gjenerata të tëra”, tha zoti Mehaj.
Fushata e bombardimeve të NATO-s e drejtuar nga zoti Clark zgjati 78 ditë, por edhe pas largimit të forcave serbe u deshën shumë përpjekje që Kosova të shpallte pavarësinë në vitin 2008, e cila kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj, Rusia.
voa