Mënyra se si është portretizuar UÇK-ja në një skeç humoristik të prezantuar nga aktorët kosovar Stupcat ka nxitur reagime të shumta pro et contra, njofton agjencia e lajmeve INA.
Sekretari i përgjithshëm i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, thotë se, humori nuk guxon të shpif dhe të tallet me vlerat e kombit shqiptar.
“Vlerën e UÇK-së janë munduar ta humbin që nga paslufta e këndej, me arrestime, me montime të proceseve gjyqësore politike, etiketime e shpifje – si nga vendorët e po ashtu edhe ndërkombëtaret. Por, kot e kanë sepse ai lum gjaku që është derdhur për këtë gjysmë lirie, që ata po e përqeshin, nuk do të shkojë huq”, është shprehur ai.
Ndaj kësaj satire ka reaguar edhe Besarta Lushtaku, vajza e komandantit të UCK-së, Sami Lushtakut.
“Turp ju qoftë, këta që luftuan ja çliruan b… E tash ju bëni këso hajgare, se sipas jush e ditën këta a kanë me jetu. Se n’luftë bash gjithkush s’ka pas guxim mi dal armikut ballë. Ju mas pakti mundeni me fol për luftëtaret se e paskit shitë vetën lehtë të Vetona e Surroja , e lufta nuk ka çmim. Çdo gjë ka kufi!”, është shprehur ajo.
Analistja Kimete Berisha thotë se humori në fjalë është propagantë e tmerrshme kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Veç Serbia dhe krimineli Sllobodan Millosheviç ua kalon Stupcave dhe Grupit Koha, në luftë të përgjakshme dhe propagandë të tmerrshme kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Aleaten e NATO-s, UÇK-në e portretizojnë si kriminale, si primitive, katundare, si një grup paramilitar, që edhe gjatë luftës e kanë vrarë njëri-tjetrin për petulla.
Jeni të sëmurë prej mendve, urrejtja juaj është patologjike. Nuk doni ta merrni parasysh faktin se UÇK u demilitarizua më 21 Qershor 1999, prandaj, ata ushtarë që pas këtij viti kanë keqpërdorur dhe kanë bërë krime, ata e kanë bërë atë punë në emrin e tyre, e jo të UÇK-së”, është shprehur ajo.
Pronari i Grupit “Koha” dhe Publicisti Veton Surroi, ka reaguar për skeçin e Stupcave.
“Lëvizjet jo demokratike mbërrijnë fundin kur i prek satira. Doni t’i arrestoni Stupcat. Dërgoni një njësit antiterrorist për ta kapur aktorin protagonist të këtij skeci, Vedatin”, është shprehur ai.
Pas shumë reagimeve, për skeqin e stupcave ka ardhur edhe një reagim nga aktori dhe regjisori, Shkumbin Istrefi.
“Skeçi i Stupcave dhe reagimet ndaj tij vërtetojnë qe jetojmë në një shoqëri për të cilën UÇK nuk ka luftuar. Nuk ka shqiptar i cili nuk e çmon kontributin dhe sakrificën e UCK-se për lirinë të cilën e gëzojmë, liri e cila rrezikon të na ngulfatet nga tentimi i krijimit të temave tabu.
Për mua ky skeç nuk është asgjë më shumë se një revolte ndaj sjelljes së individëve të fuqishëm prej 1999 – 2015, sjellje e cila idealin për të cilin janë sakrifikuar shume djem e vajza të UCK-së (e poashtu edhe popull i cili nuk ka luftuar në front por ka vuajtur pasojat e luftës) e ka vënë në rrezik që të zhbëhet. Jemi në shekullin 21, jemi shumë prapa botës”, është shprehur Istrefi.
Xhezair Shaqiri, i njohur si komandant Hoxha, është shprehur se humori i aktorëve kosovar nuk fletë për idealistët, por për profiterët e luftës dhe spiunët.
“Mënyra se si është portretizuar UÇK-ja në një skeç humoristik të realizuar nga Stupcat në asnjë mënyrë nuk ofendon UÇK, por kritikon disa spiunë të UDB që janë infiltruar në radhët e UÇK dhe disa politikan të sodit që kanë qëndruar shumë anash rrezikut të betejave dhe kanë bërë pasuri marramendëse në kurriz të luftës dhe popullit”, thekson ai. (INA)