Engel: SHBA të mos bashkëpunojë me Gjykatën e Posaçme të Kosovës – nëse ajo ndjek vetëm shqiptarë

Eliot EngelLigjvënësi amerikan, Eliot Engel, kryetar i Komitetit për marrëdhënie me jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, tha të enjten se Gjykata e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë ka ndjekur vetëm shqiptarët ndonëse ligji për krijimin e saj nuk bën dallime etnike.

Në një reagim të zotit Engel pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për t’u përballur me drejtësinë thuhet se ai “tregoi respekt për sundimin e ligjit duke dhënë dorëheqje nga pozita e tij për t’u përballur me akuzat e prokurorisë së gjykatës së posaçme”.

Zoti Engel tha se Kongresi do të vëzhgojë nga afër punën e Gjykatës së Posaçme për t’u siguruar se garanton sundimin e ligjit dhe të drejtat e të akuzuarve në këtë rast dhe në rastet tjera.

“Sidoqoftë, më duhet të shpreh shqetësimin tim të thellë rreth mënyrës se si gjykata e ka ushtruar mandatin e saj. Statuti që ka krijuar Gjykatën e Posaçme nuk e ka kufizuar fushën e veprimit të saj vetëm te shqiptarët. Ligji që ka krijuar gjykatën thotë se juridiksioni i saj shtrihet mbi krime serioze të lidhura me luftën që kanë ndodhur në Kosovë përgjatë një periudhe të caktuar të luftës. Mjerisht, duket se po vepron si gjykatë etnike – e tillë që ndjekë vetëm krimet e pretenduara të shqiptarëve”, tha ai.

Zoti Engel nënvizoi se kushdo qe kryen krime serioze të luftës duhet të ndiqet penalisht, pavarësisht përkatësisë etnike. “Por, shumica e krimeve në Kosovë përgjatë kësaj periudhe janë kryer nga ushtria e Millosheviçit gjatë fushatës gjenocidale të spastrimit etnik. Ngre pyetje jashtëzakonisht serioze fakti qe edhe pse ligji mbi të cilin është krijuar gjykata e posaçme nuk bën dallime etnike, ajo ka ndjekur vetëm shqiptarët”.

Ai tha se mbyllja e Gjykatës Ndërkombëtare për krime të luftës në ish Jugosllavi, vetëm e ka zmadhuar këtë boshllëk serioz sepse “kryesit serb nuk përballen më me ndonjë mekanizëm ndërkombëtar të drejtësisë. Në të njëjtën kohë, gjykatat serbe, me vetëm disa përjashtime, nuk i kanë vënë ata para drejtësisë. Për më tepër, vrasësit e shtetasve amerikan, vëllezërve Bytyçi, nuk janë sjellë para drejtësisë, pavarësisht se të njëjtit janë identifikuar dhe janë duke jetuar në Serbi”.

Në reagimin e tij zoti Engel thotë se e kupton që “qeveria e Serbisë dhe zyrtarët ushtarakë të cilët ishin të përfshirë në gjenocid janë shumë larg mundësive të Gjykatës së Posaçme. Por kjo nuk e çliron atë nga detyrimet e veta për të ndjekur kryesit sipas ligjit, edhe në mungesë. Rrjedhimisht, i bëj thirrje departamentit amerikan të shtetit dhe departamentit të drejtësisë për të analizuar punën e gjykatës së posaçme dhe të sigurohen që nuk po shënjestërohen njerëz në bazë të etnisë së tyre si dhe të ndalojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe bashkëpunimin e tyre me gjykatën nëse ka gjetje se e njëjta e ka bërë një gjë të tillë”, thuhet në reagimin e zotit Engel.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>