Presidenti i Serbisë, Alaksandar Vuçiq ka kërkuar nga BE “reagim konkret dhe të qartë” për veprimet e qeverisë së Kosovës në veri. Kurse Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kërkoi barazi në bisedimet Kosovë-Serbi.
Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak paralajmëroi një vizitë në Prishtinë në ditët në vijim në përpjekje për të përgatitur takimin e ardhshëm në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve të Serbisë dhe Kosovës. Dialogu Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ka kohë që ka ngecur dhe përpjekja për t’i ulur palët në tryezën e bisedimeve vjen në një kohë, kur tensionet janë shtuar. Së fundmi qeveria e Kosovës pa koordinim me autoritetet ndërkombëtare mbylli disa godina ku funksionon institucionet paralele serbe.
Lajçak takohet me të dërguarin e ri të SHBA për Ballkanin Perëndimor
Lajçak ka bërë të ditur, se “pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, do të shkoj në Slloveni për Forumin Strategjik të Bledit të këtij viti dhe në Prishtinë për të përgatitur takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në Bruksel”. Në takimin e Forumit të Sigurisë, GLOBSEC 2024 në Pragë, Lajçak takoi edhe të dërguarin e ri të SHBA-së, për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, dhe presidentin e Serbisë, Aleksadar Vuçiq. “Një prej momenteve më të rëndësishme ishte takimi me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, dhe rikonfirmimi i partneritetit të shkëlqyer mes BE-së dhe SHBA-së. Po aq i rëndësishëm ishte takimi im me presidentin Vuçiq lidhur me hapat e radhës në dialog dhe për pritjet për periudhën e ardhshme”, shkroi Lajçak.
Në fund të javës së shkuar autoritetet e Kosovës mbyllën komunat paralele serbe në veri, të cilat sipas ministrit të pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, “kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”. Ky veprim i qeverisë u kritikua në shkallë të gjerë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Ato tërhoqën vërejtjen në atë që e cilësuan vazhdimësi të veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara të qeverisë së Kosovës.
Vuçiq ankohet tek Lajçak për Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me Lajçak në forumin e sigurisë GLOBSEC në Pragë, kërkoi nga Bashkimi Evropian siç tha “një reagim konkret dhe të qartë”. Vuçiq, tha se i ka përcjellë Lajçakut, “shqetësimin e jashtëzakonshëm për dhunën e fundit në Kosovë dhe Metohi, për shkeljen e përsëritur të të drejtave të njeriut dhe për rrezikimin e sigurisë së popullatës serbe nga lëvizjet arrogante dhe ilegale të Prishtinës”. Sipas Presidentit të Serbisë, vendi i tij “mbetet partner i përgjegjshëm i BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën, por do t’i përdorë të gjitha mjetet diplomatike në dispozicion, për të mos lejuar terrorin kundër popullit të saj”, shkroi Vuçiq.
Osmani kërkon barazi në dialogun Kosovë-Serbi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila mori pjesë po ashtu në Forumin e sigurisë në GLOBSEC 2024 në Pragë, nënvizoi nevojën siç tha, “për ta rikthyer barazinë në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, dhe se sipas saj, “tavolina e negociatave është e përmbysur”.
“Ata që marrin pjesë në bisedime duhet të jenë në një tavolinë të niveluar. Tani për tani, tavolina e dialogut Kosovë-Serbi është e përmbysur”, tha presidentja Osmani, duke theksuar se “rikthimi i barazisë është kusht i domosdoshëm për të arritur sukses në dialog”. Presidentja, Vjosa Osmani kërkoi angazhimin e të gjitha palëve për të siguruar një proces të drejtë dhe të barabartë që do të kontribuojë në zgjidhjen e qëndrueshme të çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Qeveria e Kosovës vetëm brenda muajit të fundit, në veriun e Kosovës mbylli nëntë zyra të Postës së Serbisë, bëri një plan për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe po ashtu mbylli pesë institucione paralele të Serbisë, të cilat sipas qeverisë funksionojnë jashtëligjshëm në territorin e Kosovës. Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen Kosovë Serbi të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj ka ngecur. Ndërmjetësi evropian Mirosllav Lajçak, tha gjatë një debati për të ardhmen e integrimeve evropiane në kuadër të forumit GLOBSEC 2024 në Pragë, se duket që “shoqëritë të Kosovës dhe Serbisë nuk janë gati për normalizimin e marrëdhënieve”, por ai pret përparim në dialog pas zgjedhjeve parlamentare të 9. Shkurtit të vitit të ardhshëm në Kosovë.
dw