Hafiz Hasan Llunji (1897 – 1944)
Përkujtimet kushtuar personave apo ngjarjeve të ndryshme paraqesin moment nderimi dhe vlerësimi si kudo në botën e qytetëruar. Përkujtimi për hafiz Hasan Llunjin (1897-1944) është homazh për të gjitha viktimat shqiptare në Ulqin dhe viset e tjera shqiptare në Mal të Zi, të cilët u eliminuan me rastin e vendosjes së pushtetit të komunistëve me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Është në favor të shpalosjes së të vërtetës së ndaluar dekada me radhë në kohën e monizmit, për të njoftuar opinionin e gjerë për mbijetesën e shqiptarëve në Ulqin e gjetiu në trojet e tyre në Mal të Zi
Hasan Llunji, i biri i Alushit, myfti dhe myderriz i qytetit, lindi në Ulqin. Ka dy data, vitet 1897 dhe 1900. U rrit dhe u formua në një familje arsimdashëse dhe përparimtare. Në moshën 13-vjeçare kryen hafizllëkun, merr thirrjen hafiz, ndërsa diploma e tij, e lëshuar në vitin 1916/17, dëshmon se ai kreu shkollën dyvjeçare kroate-shqipe të Ulqinit. Më tej dëshironte të vazhdonte shkollimin në Medresenë e Sarajevës. Nga të parët e tij trashëgoi një bibliotekë të pasur me literaturë sa fetare dhe artistike me alfabet arabo-osman. Pasi kreu kualifikimet shkollore, mori njohuri solide nga lëmi i së drejtës trashëgimore të sheriatit. Në këtë lëmë u diplomua dhe u specializua në Shkodër te Sabri Begu, atëbotë kryemyfti i Shkodrës. Gjatë shërbimit në vise të ndryshme si mësues i fesë, ofiqar, myderriz dhe myfti, ka qenë pajtues në disa revista që botoheshin në Sarajevë, në Shkup e sidomos çmonte lart revistën “Zani i naltë” që botohej në Shkodër. Nga ajo revistë informohej për të arriturat e ndryshme në fushëveprimin e tij sidomos për veprimtarinë e shumë emrave të dëgjuar të kulturës dhe të së kaluarës sonë kombëtare.
Gjatë veprimtarisë dhe shërbimit, hafiz Hasan Llunji ka shërbyer në disa vende prej vitit 1918 deri më 1944. Ka shërbyer në Ulqin, në Krajë, në Anë të Malit, në rrethinat e Tivarit dhe të Tuzit. Ai nuk ka mundur të qëndrojë imun ndaj disa dukurive antikombëtare që organizonte pushteti i kohës në Mbretërinë SKS. Kështu në pranverën e viteve ‘30 në Ulqin flitej se do të vinin disa anije turke për të marrë familjet ulqinake të cilat nga skamja ekonomike dhe shtypja nacionale bëheshin gati për ta lëshuar Ulqinin e për të emigruar në Turqi. Ndaj një veprimi të tillë të strukturave të pushtetit që si qëllim kishin shpërnguljen e shqiptarëve nga ky qytet, me plot guxim reagoi hafiz Hasan Llunji, duke i bindur bashkëqytetarët e tij për të mos e lëshuar Ulqinin. Nga një qëndrim i tillë ai ishte në shënjestër të pushtetit dhe u detyrua që për një kohë ta lëshojë Ulqinin dhe u vendos në qytetin e Shkodrës, por po ashtu ka qëndruar edhe në Durrës, ku pati takime edhe me Mujo Ulqinakun.
Tokat shqiptare i bashkohen shtetit amë, Shqipërisë
Fillimi i Luftës së Dytë Botërore solli ndryshime edhe në hartën politike të Ballkanit. Kështu pushtuesit e rinj italianë u angazhuan për të përmirësuar gabimin e mëparshëm duke ia bashkëngjitur tokat etnike shqiptare nën Mal të Zi shtetit shqiptar të kohës nga muaji prill i vitit 1941. Një veprim i tillë ishte një surprizë për shqiptarët, sepse pushtuesit fashistë sollën lirinë dhe të drejtat e mohuara nga koha e mbretërisë së Malit të Zi dhe ajo e ish-Jugosllavisë.
Në rrethana të reja politike dhe shoqërore prej vitit 1941 deri më 44 Ulqini ishte Bashki dhe nënprefekturë e Shkodrës. Nënprefekt ishte Luigj Lufi, me origjinë nga Mirdita i cili kishte te kryer Fakultetin e Historisë, ku përveç gjuhës amtare dinte edhe tri gjuhë të huaja. Truproje e tij ka qenë Rrok Shkreli. Zyrat e nënprefekturës kanë qenë afër Ranës në shtëpinë e Bidin Selitës ku është sot pushimorja e pensionistëve. Gjatë kësaj kohe, në Ulqin për të parën herë vendoset administrata në gjuhën shqipe, hapet shkolla shqipe “Skënderbe” me arsimtarë vendas por shumica ishin nga Shkodra ndërsa drejtori i saj ishte shkodrani Jahja Domnori. Në qytet ka funksionuar edhe gjykata, xhandarmëria, ushtria ku të gjithë ishin shqiptarë. Komandanti i qytetit të Ulqinit ishte Gjon Zefi Ivanaj.
Nuk ka dilemë se ngritja e flamurit kombëtar shqiptar më 14 qershor 1941 paraqet ditën dhe datën me të shenjtë për popullin shqiptarë në krahinën e Ulqinit. Atë ditë u mblodhën para kishës së Shën Zefit (Mal të Bardhë) rreth 5000 qytetarë pa dallim feje e krahine.
Ja si përshkruan ketë moment historik Rrok Shkreli: ”Atë ditë ishte mbledhur popull i madh nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Shestani…. Erdhën edhe krerët e iu bashkuan popullit, dom Nikollë Tusha, Cafo Begu, dom Ivo Bellashi, hoxhë Llunja, Lush Paloka, Dedë Gjo Nikë Delija, Selë Lamoja me të birin Elezin, Rexhep Dollari e shumë ulqinakë me ta. Së pari ka mbajtur një fjalim të fuqishëm atdhetari dom Nikolla, pastaj ka folur Cafo Begu e në fund dom Ivo Bellashi në kroatisht, pasi ishte kroat…Pas kësaj kemi kërkuar një shkallë për të hipur në kompanjel të kishës, shkallën e ka sjellë Kolë Lucë Ndoja që asokohe iu binte kambanave të kishës. Flamurin e kishte dom Nikollë Tusha, i cili ia dorëzoi Cafo Beg Ulqinit e ky ia dha Dedë Gjo Nikë Delisë; shkallët i solli dhe i mbështeti fort për mur të kishës Kolë Lucë Ndoja, kurse Dedë Gjoni ma afroi mua shtizën e Flamurit, të cilin e valëvita disa herë në ajër e kjo ndezi zemrat e të pranishmëve, pastaj e vendosa dhe e shtrëngova mirë në kompanjol.
Me rastin e ngritjes së Flamurit u ndez gazmendi liridashës e atdhetar ashtu që të gjithë së bashku i kënduan Flamurit këto vargje:
O Flamur ti kuq e zi
po valon një bukuri
për Shqipni e për liri
në Kosovë e Çamëri
me gazmend e hijeshi
për të shtrejten këtë liri.
More djelt e Traboinit,
të Shestanit e t’ Ulqinit
banju bashkë e lutni i festë
për kufinin që u kanë hjekë,
shkoi kufini ku a kenë motit
n’ Sutorman e n’ Qafë t’ Kokotit “.
Bashkëpunimi me dom Nikollë Tushën
Gjatë tërë kësaj kohe deri në vitin 1944 në Ulqin, edhe pse kanë pasur kërcënime dhe akuza nga qarqe të ndryshme këta dy figura fetare të nderuara ishin shembull me sjelljen, komunikimin dhe bashkëpunimin me popullin. Të dy dilnin vazhdimisht së bashku. Ishte kjo një shoqëri dhe tolerancë që nuk ishte në favorin e individëve dhe qarqeve të ndryshme antishqiptare. Këta dy udhëheqës fetarë së bashku me disa atdhetarë të tjerë iu bashkuan Cafo Begut, i cili ishte personaliteti më i njohur në Ulqin dhe më gjerë në hapësirën shqiptare.
Burgosjet në Ulqin
Më 24 nëntor 1944, Ulqinin e vërshuan njësitë lokale partizane. Me të hyrë të tyre, fillojnë menjëherë ndjekjet, maltretimet, burgimet dhe vrasjet. Një pjesë e veprimtarëve nuk u gjet në Ulqin, një pjesë arratiset, e frikësuar nga hakmarrjet që tashmë ishin bërë skena të ditës, ndërsa një pjesë mbetet në Ulqin.
Bëhet me dije se pushteti i ri i vendosur në Ulqin, për 24 orë i ka pasur duart e lira për të arrestuar dhe pushkatuar këdo që e ka llogaritur si armik, apo pengesë kundër pushtetit. Duhet thënë me këtë rast se me vendosjen e pushtetit të ri në Ulqin, pushteti faktik ishte në duar të OZN-së/UDB-së, ndërsa partia LKJ ishte fasadë formale, andaj edhe pasojat janë të njohura.
Nuk ka dilemë se më të rrezikuar ishin ata që mbeten në Ulqin ku bënte pjesë edhe hafiz Hasan Llunji. Natën e 26 nëntorit nga OZNA arrestohet në shtëpinë e tij dhe dërgohet në një burg të improvizuar të tyre në Ulqin. Aty gjen edhe tre ulqinakë të tjerë të cilët i kishin burgosur më parë: Hodo beg Bushatin më të birin Ahmetin, noter i Gjykatës së Ulqinit dhe Rafo Goranën, oficer aviacioni.
Vrasja e Rafo Goranës
Viktima e parë e pushtetit komunist në Ulqin është Rafo Gorana. Ai në mëngjesin e datës 26 nëntor 1944 në shtëpi është marrë nga disa persona gjoja për një takim në Cetinë, për të festuar fitoren ndaj okupatorëve. Sipas të dhënës së bashkëshortes së tij, në momentin që do të largohej nga shtëpia, tri herë e përqafon djalin e vogël Agimin, i cili ishte dyjavësh, duke mos e parë më. Ishte ky momenti i fundit i ndarjes nga familja, sepse kriminelët në vend që të niseshin në drejtim të Cetinës, shkuan në drejtim të Limanit në Ulqin.
Ai u pushkatua në mëngjesin e datës 27 nëntor 1944, mbi Lima te Çinari duke shkuar për në Valdanos. Aty është vrarë vetë i katërti: Hodo beg Bushati dhe i biri i tij Ahmeti i cili ishte noter i Gjykatës së Ulqinit dhe Radovan Aleksiqi. Ata u pushkatuan dhe nuk i njoftuan fare familjet e tyre, për t’i marrë e varrosur, e sot e asaj dite, nuk dihet gjë për varrin apo varret e tyre, duke mbetur enigmë deri në ditët tona
Vrasja e Hasan Llunjit
Nga ana tjetër, Hasanin e torturojnë mizorisht duke e kërcënuar me pushkatim. Nga ai kërkonin të fliste për aktivitetin dhe shokët e tij. Ndonëse përkohësisht hafiz Hasanin e lëshojnë pasi nuk siguruan prova për akuzën që ia ngarkonin, por nuk vonoi shumë dhe e burgosen përsëri. Organet e OZN-së përmes spiunëve të tyre përfundimisht realizojnë qëllimin e tyre, sepse ata i detyrojnë për të mbledhur nënshkrime nga populli për gjoja krimet që ka bërë ky gjatë kohës 1941-1944. Dhe në një gjyq të improvizuar në Ulqin, në mbështetje të nënshkrimeve të mbledhura, organet e OZN-ës gjoja në emër të “gjyqit të popullit” dhanë fjalën e tyre përfundimtare – deportimin e tyre në Cetinë, në vazhdimin e hetuesisë.
Në varr të përbashkët
Por, më datën 15 dhjetor 1944 katër të burgosurit me duar lidhur – hafiz Hasan Llunji, Memin Resulbegu, punëtor i gjeodezisë, Caf Canka dhe Zyhdi Fici – me roja të maskuara dhe të armatosur përcilleshin gjoja drejt Cetinës që atje t’u shqiptohej dënimi përfundimtar. Dhe në drejtim të Tivarit pranë fshatit Braticë arritën në një kthesë ku u ishte vënë prita, ku i pushkatuan të gjithë. I varrosen ne një varr të përbashkët. Edhe sot janë mu në atë vend pa asnjë shenjë dalluese, edhe pse e kanë merituar të zhvarrosen dhe të varrosen me ceremoni të veçantë.
Veprimet e tilla të komunistëve dëshmuan se ata kishin hartuar më kohë lista për të eliminuar figurat e njohura me autoritet në Ulqin që i trajtonin si armiq të pushtetit përkatësisht si pengesë në realizimin e vendosjes së pushtetit sipas strategjisë së tyre politike. Ishte ky veprim patologjik kundër shqiptarëve, që u dëshmua me veprimet kriminale, ku për 18 ditë i pushkatuan 8 qytetarë të Ulqinit pa procedurë gjyqësore.
Në sajë të të dhënave të cilat disponojmë, del qartë se ishte pikërisht pushtetit i ri ideologjik, që nuk zgjodhi mjete për të eliminuar personat dhe familjet me autoritet në Ulqin. Kemi të bëjmë me kohën e manipulimit ideologjik, sepse sipas demagogjisë së tyre, çdo gjë fillonte me ta, duke eliminuar traditën shoqërore në Ulqin dhe më gjerë.
Imzot Nikollë Tusha (1895 – 1946)
Sigurimi i Shqipërisë bashkëpunon me jugosllavët
Çështja e bashkëpunimit nga ana e Sigurimit të Shqipërisë me OZN-në jugosllave dëshmon më së miri angazhimin e tyre të përbashkët për të eliminuar armiqtë ideologjikë. Të vetëdijshëm se janë të rrezikuar nga pushteti i komunistëve, disa individë me autoritet largohen nga Ulqini dhe vendosën në Shqipëri, duke menduar se aty do të gjejnë strehim të sigurt.
Kështu dom Nikollë Tusha e detyrua të largohej nga Ulqini dhe u strehua te kushëriri i tij në fshatin Juban afër Shkodrës. Por, as këtu nuk ishte i sigurt sepse Sigurimi shqiptar zbuloi qëndrimin e tij dhe pasi e arrestoi, ua dorëzoi jugosllavëve. Ishte ky një rast i jashtëzakonshëm ku shtetasi shqiptar u dorëzohet organeve të ndjekjes së një shteti tjetër. Por, një veprim i tillë nuk është për t’u çuditur, sepse për pushtetarët e rinj, parësor ishte orientimi ideologjik e jo ai kombëtar. Në mënyrë identike është vepruar edhe me ata kosovarë të cilët patën fat të shpëtojnë gjallë në Masakrën e Tivarit (1 prill 1945), të cilët pasi janë zbuluar në Shqipëri u janë dorëzuar jugosllavëve!
Burgosja dhe pushkatimi i Hodo Alibegut
Ngjashëm kanë vepruar edhe me Hodo Alibegun të cilin e burgosin në Ndroq afër Tiranës në Shqipëri dhe e sjellin në burgun e Tivarit, ndërsa më pas të dy i sjellin në burgun e Ulqinit. Pas hetuesisë së rëndë, u mbajt gjykimi publikisht në sallën e hotelit “Jadran” të Ulqinit.
Gjyqi këta dy patriotë i dënoi me nga 20 vjet burg të rëndë. Pas shpalljes së dënimit, dom Nikollë Tusha e Hodo Alibegu dërgohen për të vuajtur dënimin në burgun e Cetinës. Atje Nikollë Tusha në burgun Bogdanovkraj pati qëndrim burrëror, por pikërisht për këtë qëndrim ai pushkatohet më 4 nëntor 1946, në Bjellashka Papretina. Se pushteti i kohës kishte planifikuar të eliminonte Hodo Alibegun, dëshmon e dhëna se gjykata rishqyrtoj vendimin e mëparshëm të dënuar me 20 vjet burg duke dënuar me pushkatim i cili u realizua me 17 mars 1948, ku ende nuk i dihet vendvarrimi.
Cekim me këtë rast se janë pushkatuar edhe Vasë Filip Mirdita nga Pistulli, Ali Beqir Bajrami nga Krytha, Merush Halil Omeri nga Krytha, Ali Veli Kalimani nga Kalimani, Lekë Maci Perkolaj, Vukë Pjetër Malaj, Gjon Zef Malaj nga Shestani e të tjerë. Ende sot nuk dihet gjë për eshtrat dhe varret e tyre.
Ballafaqimi me të kaluarën
Në rrethana të reja shoqërore pas dështimit të ideologjisë komuniste, nga viti 1990, është pritur me të drejtë që të punohet në ndriçimin e ngjarjeve dhe personaliteteve e individëve të ndryshëm të cilët u eliminuan nga pushteti i ri, pas Luftës së Dytë Botërore. Por, ngjarjet nga viti 1944-45 kur është instaluar pushteti komunist në Ulqin, ende nuk janë hulumtuar me kompetencë profesionale nga studiues të ndryshëm. Nëse në kohën e sistemit monist trajtimi i temave të tilla ishte me pasoja, pas rënies së tij, qëndrimi indiferent ndaj kësaj kohe nuk mund të arsyetohet më asgjë.
Në lidhje me këtë periudhë kohore, në mjediset e ndryshme në vendet e ish-kampit socialist, janë hapur temat e tilla, duke prezantuar krimet e komunistëve me dokumente të dëshmuara. Por, në këtë aspekt përjashtim bën Mali i Zi, sepse këtu ende hezitojnë të ballafaqohen më të kaluarën, që është në kundërshtim me të drejtat qytetare e nacionale të qytetarëve që janë obligime sipas standardeve demokratike evropiane.
Dy rezoluta nga Këshilli i Evropës
Edhe pse në Këshillin e Evropës janë miratuar dy rezoluta kundër krimeve të komunizmit, e para ajo më nr.1096 nga viti 1996, “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, dhe e dyta nr.1481, nga viti 2006 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, asnjëra prej tyre nuk është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi. Një veprim i tillë refuzues dëshmon mosgatishmërinë e pushtetit aktual për t’u ballafaquar më të shkuarën komuniste sikur kanë vepruar vendet tjera në Evropën Juglindore.
Nuk ka dilemë se një qëndrim i tillë politik dëshmon në mënyrë transparente se këtu ka mbetur e ngulitur në psikologjinë e tyre sistemi monist, i cili për qëllimet ideologjike dhe për pushtet ka eliminuar individë të ndryshëm, ku as shqiptarët në Ulqin dhe më gjerë në Mal të Zi nuk ishin përjashtim.
Rafo Gorana (1916 – 1944) me bashkëshorten Halimen
Heshtja – dobësi jo vetëm qytetare
Është obligim moral e profesional nga përfaqësuesit tanë politikë, si përfaqësues në institucionet qeveritare në Mal të Zi, ta riaktualizojnë çështjen e zbardhjes të së vërtetës së eliminimit të qytetarëve tanë pa gjyqe nga pushteti komunist i kohës. Një veprim i tillë do të eliminonte dilemat dhe spekulimet për temat tabu të cilat kanë qenë të pranishme për rreth pesë dekada.
Ndërsa heshtja pas dështimit të komunizmit, dëshmon dobësi personale e familjare por edhe qytetare që nuk arsyetohet më asgjë. Në këtë aspekt, duhet të marrim shembuj nga vendet e tjera në regjion të cilët individët me dosje kriminale i kanë shpallur heronj, ndërsa ne vazhdojmë të heshtim për viktimat e pafajshme të komunizmit, të cilat ende nuk kanë varre apo ndonjë pllakë përkujtimore.
Edhe pse të vonuar – siç ishte takimi përkujtimor për hafiz Hasan Llunjin me rastin e 80-vjetorit të vdekjes – është koha për t’u thënë e vërteta ndaj viktimave, familjarëve dhe brezave të tashëm dhe të ardhshëm, andaj duhet angazhim politik, intelektual dhe guxim qytetar, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.
Propozime në nderim të viktimave
Është obligim qytetar, moral e familjar për t´u angazhuar me sa vijon:
- Ndonëse të vonuar, pa hezitim duhet të bëhet rivarrosja e viktimave me të gjitha nderimet ne një mjedis të ri, si aksion i përbashkët nga familjarët, Bashkësia Islame dhe pushteti lokal, ashtu siç veprohet në vendet demokratike.
- Në nderim të veprimtarisë së tyre shoqërore e kombëtare një rrugë apo shesh duhet të emërtohen me emrin hafiz Hasan Llunji, dom Nikollë Tusha dhe Rafo Gorana.
- Duhet kërkuar dosjen e viktimave të vrara në arkivin e UDB-së dhe ata të publikohen për opinionin.
- Duke marrë parasysh se viktimat nuk kanë qenë kriminelë por individë me autoritet familjar dhe shoqëror në Ulqin e të tillët duhet të dekorohen me mirënjohje të veçanta (pas vdekjes) nga pushteti lokal i Ulqinit.
koha