Negociatorët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për uljen e tensioneve

Të mërkurën në Bruksel po qëndrojnë shefat e grupeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, për të diskutuar rrugëdaljen nga situata e krijuar pas vendimit të Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit për targat e makinave me Serbinë.

Të dy negociatorët u takuan fillimisht ndarazi me të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ndërsa diskutimeve u është bashkuar edhe Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar.

Zoti Lajçak shkroi në Twitter pas takimeve ta ndara se “diskutimet do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës”.

Diskutimet së mërkurës u bënë të mundura me përpjekjet perëndimore për të ulur tensionet në veriun e Kosovës, ku grupe qytetarësh serbë për të dhjetën ditë me radhë po mbajnë të bllokuara rrugët që shpiejnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak në shenjë proteste ndaj vendimit për targat.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s zgjeruan patrullimet në zonë të hënën dhe thanë se kanë biseduar më qeverinë dhe udhëheqësit lokal serbë për uljen e tensioneve.

Ministri i punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të martën se serbët në veriun e Kosovës refuzuan një ofertë të trupave të KFOR-it që të përkujdesen për vendkalimet kufitare me Serbinë, në shkëmbim të largimit të barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë së Kosovës.

“Duke qenë se KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë dhe është ofruar që të sigurojë policinë tonë kufitare dhe pikat kufitare, ne kemi thënë se me largimin e barrikadave, prezenca e njësive speciale do të ishte e panevojshme. Por, edhe kjo ofertë e komandantit të KFOR-it është refuzuar nga këto elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim, këta veç e kanë dëshmuar që nuk janë të brengosur, siç thoshin më herët, me praninë e forcave speciale, por qëllimet e tyre janë thellësisht politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë”, tha ministri Sveçla.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, konfirmuan të kenë refuzuar ofertën e KFOR-it.

Nga e hëna e kaluar, makinat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj sikundër veprohet ne Serbi me makinat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet me radhë.

Qeveria e Kosovës dërgoi njësitë e posaçme në veri për të mbështetur zbatimin e vendimit të saj.

Beogradi reagoi me zemërim dhe njoftoi ngritjen e gatishmërisë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kërkoi tërheqjen e njësive të posaçme të policisë nga veriu i Kosovës dhe anulimin e reciprocitetit për targat e makinave.

Prishtina tha se është e gatshme të heqë dorë nga targat e përkohshme, nëse Beogradi vepron njësoj, ndërsa akuzoi Serbinë për nxitje tensionesh.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>