Ferdonie Qerkezi, 65 vjeçe nga Gjakova, i mbanë të freskëta kujtimet e hidhura të vitit 1999, kur forcat serbe i kishin vrarë burrin dhe katër djemtë e saj.
Ajo rrëfen se si me datën 27 mars të vitit 1999, policia serbe hyri në shtëpinë e saj dhe ia morën bashkëshortin dhe katër djemtë,Artanin 24 vjeç, Armendin 23, Ardianin 18 dhe Edmondin 14 vjeç.
Tani ajo jeton vetëm në “Shtëpinë muze”, të mbushur me gjësendet e më të dashurve të saj.
Për lajmin e parë, Ferdonia ka pritur deri më 2005, kur ekspertiza ligjore kishte dëshmuar identifikimin e trupave të dy djemve të saj të vrarë.
Por, sot e kësaj dite, 18 vjet pas, vazhdon t’i kërkojë trupat e bashkëshortit dhe dy djemve tjerë, të cilët ende konsiderohen si persona të pagjetur të luftës.
“Në vitin 2005 kam marrë lajmin se pas analizave të bëra janë gjetur trupat e Artanit, i vrarë në Rogovë të Hasit, si dhe të Edmondit, të cilit trupin ja kanë gjetur në Vërmicë të Prizrenit”, thotë Qerkezi për Radion Evropa e Lirë.
Edhe pse në vitin 2008, ajo i ka identifikuar vetëm rrobat e djalit të saj Ardianit, të gjetura nga misionet ndërkombëtare, zonja Ferdonie thotë se trupin nuk i ka gjetur, ndonëse ajo tregohet e vendosur t’i kërkojë.
Me lot në sy, Ferdonie Qerkezi rrëfen jetën e saj të lumtur para 18 vjetësh kur në shtëpinë e saj jetonin nëntë anëtarë të familjes.
Atëherë, ishte 46 vjeçare dhe jetonte me bashkëshortin dhe katër djemtë, dy prej të cilëve ishin martuar të njëjtën ditë.
Zonja Ferdonie nuk arriti të bëhet gjyshe, pasi vetëm katër muaj pas martesës, të dy djemtë iu vranë.
Data 27 mars e vitit 1999, për të dhe familjen e saj, ishte data më e kobshme.
“Në vitin 1999, në shtëpinë time ka ndodhur një tragjedi e madhe. Policia serbe mi mori burrin edhe 4 djemtë e mi. Në orën 11, kanë ardhur policia. Në shtëpi kemi qenë 23 persona, 11 meshkuj, 12 femra”.
“Këta (të tjerët) kanë qenë fqinjë e familjarë, si dhe shokë të djalit. Gjithë meshkujt i ka marrë policia atë ditë”, rrëfen ajo.
“Policia fillimisht i kërkoi lejet e identifikimit. I dërgoi në Polici dhe më pas u kthyen. Na mbyllën fillimisht brenda në shtëpi, ku më pas i morën meshkujt dhe dolën. Unë mendova se donin t’i shpëtonin, pasi policët që erdhën, ne i njihnim ata. Ishin të Gjakovës dhe njiheshim me ta’’, thotë zonja Qerkezi.
Ajo rrëfen edhe një episod tjetër tragjik të asaj dite, kur policia ia mori edhe djalin e vogël, i cili ishte ende fëmijë.
“Unë e zgjova e dhe djalin e vogël i cili atëherë ishte 14 vjeç, që t’ua dorëzojë atyre për ta shpëtuar, sepse edhe në shtëpi ishim në rrezik”.
“Ata flisnin shqip shumë mirë. Dhe më thanë, nuk ke nevojë të frikësohesh sepse ne erdhëm që t’ju mbrojmë dhe t’ua shpëtojmë jetën. Por pasi i morën unë më kurrë nuk i pashë, as bashkëshortin e as katër djemtë e mi, të cilët ende vazhdoj t’i kërkojë’’, tha Qerkezi.
Familja Qerkezi është një nga shumë familjet në Kosovë që përjetuan tmerret më të rënda të luftës së viteve 1998-99. Institucionet e Kosovës nuk kanë të dhëna të sakta, por thonë se janë mbi 12 mijë persona të vrarë gjatë kësaj lufte. Kurse 1656 persona konsiderohen ende të zhdukur.
Nga varrezat e ndryshme në Kosovës e Serbi janë identifikuar rreth 2500 persona, kurse të paidentifikuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ndodhen edhe 400 pjesë nga mbetjet mortore.
Është paralajmëruar se në fazën e ardhshme të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ekipi i Kosovës do të kërkojë që çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës, të jetë një nga temat e diskutimit. (rel)