Asociacioni i komunave me shumice serbe është pjesa më e vështirë e bisedimeve që po vazhdojnë sot në Bruksel
Kryeministri Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndodhen në Bruksel për të vazhduar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Në takimin e sotëm pritet të trajtohen çështjet që kanë të bëjnë me energjinë, telekomunikimet, lëvizjen e lirë në veriun e Kosovës dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Themelimi i këtij asociacioni është paraparë me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel më 19 prill të vitit 2013 në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është edhe pjesa më e vështirë e bisedimeve për shkak të qëndrimeve të kundërta të palëve rreth funksionimit të tij.
Beogradi ngulë këmbë që asociacioni apo siç thuhet, bashkësia e komunave serbe të ketë përgjegjësi ekzekutive, ndërsa Prishtina hedh poshtë një gjë të tillë. Ministri i jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi i tha të dielën Zërit të Amerikës se ky asociacion do të formohet në pajtim me ligjet e Kosovës dhe nuk do të ketë asnjë karakter ekzekutiv.
Kryeministri serb, Aleksandër Vucic tha se pret marrëveshje në bisedimet që sipas tij në fakt zhvillohen me Bashkimin Evropian dhe Amerikën.
“Prishtina rri aty dhe pastaj vijnë e thonë, nuk mund të kenë përgjegjësi ekzekutive. Nuk kanë haber se çfarë janë përgjegjësitë e tilla. Ne ishim marrë vesh për bashkësinë e komunave dhe kishte mbetur vetëm një fjali e pa harmonizuar dhe atë nëse punonjësit e saj do të jenë punonjës publik apo shërbyes civil dhe kur e panë se marrëveshja ishte e shkëlqyeshme për serbët, ndryshoi gjithçka”, tha ai.
Shqetësimet rreth asociacionit të komunave me shumicë serbe kanë bërë që opozita në Kosovë të paralajmërojë veprime kundër tij. Madje Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar hapa që ajo i quan radikal kundër asociacionit nëpërmjet të cilit do të bëhej ndarje brendshme e Kosovës. Edhe zëvendëskryeministri Thaçi ka theksuar se nuk do të lejohet krijimi i një Republike Serbe si në Bosnjë. Kryeministri serb duke komentuar krahasimet tha se Beogradi nuk do të pranojë që Kosova të jetë shtet sovran si Bosnja.
Takimi i sotëm i paraprinë takimit të Vjenës, që mbahet më 27 gusht dhe pason konferencën e Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Në konferencën e Berlinit në gusht të vitit të kaluar, i është kërkuar Bashkimit Evropian një ndarje më e favorshme e fondeve të tij për rajonin dhe në Vjenë palët presin që të përfitojnë nga ky projekt. Prishtina dhe Beogradi synojnë që të mos shkojnë duarthatë në atë takim.
Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës, marrëveshjen e stabilizim asocimit, nënshkrimi i së cilës pritet muajt ne vazhdim. (voa)