Thaçi të hënën intervistohet në Hagë nga Prokuroria Speciale

thaciPresidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nga Prokuroria Speciale me Seli në Hagë akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Kjo akuzë ende nuk është konfirmuar nga Gjykata Speciale.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, njoftoi të merkurën (08.07) në mbrëmje se është ftuar për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale për krime lufte më Seli në Hagë. Nëpërmjet një postimi nga profili i tij në facebook, Thaçi tha se të hënën ai do të udhëtojë për në Hagë, ”si i ftuar nga Prokuroria Speciale”.

“Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, EULEX-it dhe me drejtësinë vendase. Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit”, tha presidenti Thaçi duke bërë thirrje për “unitet qytetar, bashkëjetesë ndëretnike dhe stabilitet institucional”.

“Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi. Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi Hashim Thaçi.

Që nga funksionalizimi i Prokurorisë Speciale një vit më parë, mbi 200 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje nga kjo prokurori. Si i dyshuar është marrë në pyetje edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Më 24 qershor Prokuroria Speciale për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli. Këto akuza ende nuk janë konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, ndërsa, vet presidenti pas njoftimit për akuzë, gjatë një adresimi për opinion tha se “do të jap dorëheqjen nëse akuzat konfirmohen dhe është i gatshëm të përballet me drejtësinë”. Publikimi i akuzave nga Prokuroria Speciale me Seli në Hagë, bëri që të anulohet edhe një takim Kosovë-Serbi i planifikuar të mbahej me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Richard Grenell. Me këtë takim pritej të shënohej edhe rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi.  E rifillimi  i këtij dialogu tash do të ndodhë këtë të premte (10.07) gjatë një Samiti virtual që do të mbahet me nismën e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel. Ndërsa, me datën 12 korrik në Bruksel do të takohen kokë më kokë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq, në një takim  ku do të marrë pjesë edhe shefi i diplomacisë Evropiane Josep Borrel dhe i ngarkuari i BE-së për dialogun Mirosllav Lajqak. Gjatë ditës së martë kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, u prit në Paris nga presidenti francez ku u diskutua për dialogun Kosovë-Serbi. Pas kthimit në Kosovë, kryeministri kosovar tha se “ka hasur në mirëkuptimin e presidentit francez, kur biseduan për çështjen e dialogut dhe qëndrimet e qeverisë”, duke u shprehur se vetëm njohja reciproke e qetëson këtë pjesë të Ballkanit.

“Edhe në takimin që e patëm kam treguar qartë për qëndrimin që kemi për dialogun me Serbinë, që është një proces shumë i rëndësishëm, që mbyll një çështje të hapur mes dy vendeve. Në detaje kam sqaruar para presidentit, dhe besoj që kisha mirëkuptimin e tij për pozicionin që kemi ne si qeveri, që jemi të gatshëm që të hyjnë në procesin e dialogut. Por, për dialog që nënkupton njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes dy vende. Besoj është mirëkuptim i të gjitha palëve se vetëm njohja reciproke e qetëson këtë pjesë të Ballkanit dhe të Evropës, dhe i mundëson të dyja vendeve dhe regjionit përspektivë euro-atlantike”, tha Hoti kryeministri Hoti pas kthimit nga Parisi.

Sidoqoftë, rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi këtë të premte, i dha mbështetje edhe përfaqësuesi amerikan Richard Grenell, i cili shkroi në twitter se ai “është i kënaqur që evropianët do të mblidhen në një takim më 10 korrik për diskutime të mëtejme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Ne ofrojmë mbështetjen e plotë dhe jemi mirënjohës për lidershipin e tyre. Shpresojmë se çështja e rëndësishme e liberalizimit të vizave do të kompletohet në këtë takim”, shkroi Grenell, duke shtuar se “SHBA-ja ka punuar shumë me theks të veçantë në normalizimin ekonomik ndërmjet palëve”, duke besuar se “ky është hapi i parë i vendimtar për këtë mosmarrëveshje të gjatë politike”. Richard Grenell siç shprehet, “shpreson që evropianët do të venë në jetë marrëveshjet ekonomike që janë arritur deri më tani ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për linjën hekurudhore dhe atë ajrore”.

“Ne besojmë se këto marrëveshje janë kyçe në krijimin e punës dhe për t’iu dhënë shpresë të rinjve. Kurrë nuk kemi besuar në një marrëveshje të shpejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe kurrë s’kemi menduar se fokusi ynë i vetëm në normalizimin e ekonomisë do të ishte një zgjidhje e shpejtë e problemit. Vështirësitë dhe çështjet afatgjate politike do të përballohen më lehtësisht kur të ndodhë progresi në çështjet ekonomike së pari”, ka shkruar Grenell duke theksuar se “Njerëzit e Kosovës dhe Serbisë meritojnë vëmendjen e plotë dhe të vazhdueshme të evropianëve”.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u ndërpre në nëntorin e vitit 2018 kur qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vendosi tarifë 100% ndaj mallrave serbe. Që nga ajo kohë, Beogradi e ka kushtëzuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e tarifës dhe së fundi edhe të reciprocitetit, masë kjo e Kosovës  që nuk u mbështet as nga faktori ndërkombëtar.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>