Kancelari i Gjermanisë dhe Presidenti i Serbisë diskutojnë marrëdhëniet fqinjësore dhe qasjen ekologjike për nxjerrjen e litiumit në Serbi.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, ishin së bashku për vizitë në Saksoni të Gjermanisë për të njohur Serbinë me metodat e qëndrueshme dhe miqësore ndaj mjedisit për nxjerrjen e litiumit, një burim kyç për prodhimin e baterive të automjeteve elektrike. Universiteti i Minierave në Freiberg është një lider ndërkombëtar në kërkimet për teknologjitë e qëndrueshme të nxjerrjes. Institucioni ka zhvilluar metodën COOL, që jo vetëm shmang emetimet e CO2, por gjithashtu përdor energji të ripërtëritshme dhe siguron që materiali i nxjerrë të jetë menjëherë i gatshëm për prodhimin e baterive, pa nevojë për përpunim shtesë.
Vuçiç shprehu interesin e tij të madh për këtë qasje duke thënë: “Ajo që bëhet në Zinnwald mund të aplikohet edhe në Jadar.” Rajoni i Jadarit në Serbi ka rezervat më të mëdha të litiumit në Evropë, por përballja me shqetësimet mjedisore ka bërë që qeveria serbe të kërkojë zgjidhje që minimizojnë ndikimin negativ mbi natyrën dhe komunitetet lokale.
Scholz: Normalizimi Serbi-Kosovë dhe integrimi në BE për prioritet
Gjatë takimit në Freiberg, kancelari gjerman Olaf Scholz ka siguruar mbështetjen e Gjermanisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ai sidomos theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore, veçanërisht ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. “Ne do të përpiqemi të lehtësojmë normalizimin e këtyre marrëdhënieve dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen. Për mua personalisht, kjo çështje ka një përparësi të lartë”, tha Scholz dhe shtoi: “Ka marrëveshje të arritura, të cilat shpresoj që të zbatohen hap pas hapi. Ju e njihni Marrëveshjen e Ohrit.”
Hacker: Shpresoj që kancelari mos të jetë mashtruar nga presidenti serb
Bashkëpunimi Serbi-Gjermani shihet me kritikë nga shumë ekspertë dhe politikanë. Edhe Thomas Hacker, zëdhënësi për politikën evropiane dhe raportuesi për Ballkanin Perëndimor i grupit parlamentar të FDP-së, tashmë në opozitë, u shpreh i shqetësuar me rastin e vizitës së Vuçiçit në Saksoni. Në një prononcim shpërndarë për median gjermane, të cilin e ka edhe DW, politikani liberal ka thënë: “Hacker u shpreh: ‘Shpresoj shumë që kancelari Scholz të mos jetë mashtruar nga presidenti Vuçiç, i cili është i njohur për manipulimin e opinionit publik dhe shpifjet ndaj kritikëve.”
Hacker gjithashtu vuri në dukje se Gjermania është kundër hapjes së Klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE, për shkak të mungesës së progresit në çështjet themelore.
dw