HahnKomisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, tha të enjten në Shkup se ‘politikanëve të Maqedonisë nuk iu ka sjellë një sugjerim konkret për formimin e Qeverisë’. Ai tha se megjithatë “është e domosdoshme që sa më shpejtë të formohet Qeveria e re e vendit dhe drejtuesit e partive politike parlamentare të tregohen të përgjegjshëm”.

“Jam këtu që t’i dëgjoj politikanët. Më herët nuk kam pasur takime për këtë çështje. Nuk do t’i jap këshilla asnjërës parti se si të veprojë në të ardhmen. Por që të gjithë duhet ta dinë se janë përgjegjës për vendimet që do t’i marrin”, tha Hahn.

Ai tha se Qeveria e re do ta ketë për detyrë ‘vendosjen e Maqedonisë si shtet në binarët e integrimeve’.

“Qeveria e re duhet të ndjekë rrugën euroatlantike. E përsëris se unë realisht nuk kam sjellë asnjë sugjerim konkret për partitë. Por ata duhet të mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre dhe të vendosin në të mirë të perspektivës së popullit. Kjo nënkupton se kanë shumë sfida përpara. Pra mendimi ynë është sa më shpejtë të ketë Qeveri aq më mirë”, tha komisioneri i BE-së Johannes Hahn, që mori pjesë në takimin e gjashtë ministror të vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushën e energjetikës.

Hahn gjatë orëve të pasdites do të realizojë takime me të gjithë përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Maqedonisë si dhe me përfaqësues të sektorit civil për të diskutuar, siç pritet, përpjekjet për formimin e Qeverisë si dhe kthimin e vendit drejt euro- integrimeve euroatlantike.

Njohësit e çështjeve politike thonë se vizita e komisionerit Johannes Hahn është në vazhdën e përafrimit të dallimeve të partive politike për formimin e një Qeverie gjithëpërfshirëse, por pa figura të cilat hetohen nga Prokuroria Speciale Publike.

“Ajo që mund të pritet nga aktiviteti i komisionerit Johannes Hahn në Maqedoni është që të sigurojë një shumicë të tillë parlamentare, që nënkupton një koalicion të gjerë qeverisës, ku natyrisht nuk do të ketë vend për persona të cilët janë nën hetime nga Prokuroria Speciale Publike. Pra për personat të cilat hetohen nga Specialja nuk do të ketë vend në Qeverinë e zgjeruar. Një Qeveri e gjerë, gjithëpërfshirëse është synimi i vizitës së komesionerit Hahn dhe tejkalimi i dallimeve të partive politike në këtë drejtim”, thekson Xhelal Neziri njohës i çështjeve politike.

Ndërkohë, kabineti i kryeministrit të Maqedonisë Emil Dimitriev, pas takimit kokë më kokë me komisionerin për zgjerim të Bashkimit Evropian Johannes Hahn, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se janë prezantuar mendimet dhe pikëpamjet e tyre për aspekte të ndryshme të situatës politike në të cilën ndodhet Maqedonia.

“Eurokomisari Hahn theksoi se Bashkimi Evropian e respekton integritetin e vendit dhe të ardhmen evropiane të shtetit të Maqedonisë. Bashkëbiseduesit theksuan se është me shumë rëndësi që të respektohet sovraniteti në vendimin e çështjeve me interes kombëtar dhe shtetëror”, thuhet në komunikatën për media. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>