Ahmeti nuk ndjehet i tradhtuar nga Gruevski

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti nuk ndjehet i ofenduar dhe tradhtuar nga partneri i tij në koalicionin Qeverisës, Nikolla Gruevski. Duke folur për aferën ku edhe vetë ai ka qenë i përgjuar, Ahmeti tha se BDI-ja nuk e ka pranuar me emocione. Kreu i BDI-së tha se ngjarje të këtilla kanë ndodhur edhe në vende të tjera, andaj dhe nuk do të ngre padi ndaj asnjë institucioni.
“BDI punon vepron jashtë emocioneve jashtë zhgënjimeve vepron dhe punon me kokë të ftohtë, analizon studion çdo veprim dhe asnjë veprim nuk do bëhet që do i dëmtojë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, shqiptarë, maqedonas dhe komunitete tjera që jetojnë në këtë vend. Nuk do udhëhiqemi nga emocionet por nga arsyeja e nacionaliteti. BDI nuk do ngre padi ndaj asnjë institucioni ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në shumë vende të tjera më të përparuara se Maqedonia. BDI nuk ka asnjë shqetësim mbi ndonjë zhvillim të brendshëm”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ahmeti vlerëson se materialet duhet të bëhen publike për gjithë opinionin. Ndërkaq për zgjidhjen e problemit, gjatë një takimi që ka zhvilluar sot me ambasadorin e BE-së Aivo Orav, ai ka kërkuar përfshirjen e faktorit ndërkombëtarë.

“Apeloj gjithçka çka ka përderisa opinioni dhe ju jeni aq kureshtar le të dalin në opinion le të dihet gjithçka qoftë për institucion qoftë për individ. Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të krijojë një komision politik dhe ekspert të fushës me qëllim që ky proces të fitojë kredibilitet dhe besueshmëri te të gjithaq qytetarët dhe të heq këtë dyshim mbi zhvillimet dhe mbi trajtimin e këtij procesi”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ambasadori Orav ka vizituar edhe selinë e PDSH, ku për zhvillimet e fundit ka biseduar edhe me kryetarin e kësaj partie, Menduh Thaçi. Edhe ky i fundit ka propozuar formimin e një komisioni ndërkombëtarë, por që sipas Thaçit do të meret edhe me rastet e kaluara në të cilat ka qenë i përndjekur personalisht ai.

“Kryetari Thaçi në takim theksoi se zhvillimet e fundit tregojnë se në Maqedoni asgjë nuk funksionon në vijë ligjore dhe të demokracisë së vërtetë. Kryetari Thaçi po ashtu i shpjegoi ambasadorit se liderët e PDSH-së qysh prej viteve 93 kanë qenë të ndjekur, survejuar, të përgjuar dhe se asnjë individ për këto përgjime nuk ka dalë para drejtësisë. Kryetari Thaçi gjithashtu theksoi se ngritja e një gjyqi special me vëzhgim dhe asistim të plotë ndërkombëtarë ku do të përfshiheshin të gjitha rastet e këtilla që nga viti 93, do të ishte ndoshta e vetmja shpresë që rastet e këtilla mos të përsëriten”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Ndryshe, gjatë një konference për shtyp, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, publikoi disa audio inçizime me të cilat njoftoi se në mesin e 20 mijë qytetarëve të përndjekur nga pushteti aktual, kanë qenë edhe tre liderët e partive shqiptare, Ahmeti, Thaçi dhe Osmani. Arben Zeqiri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>