Pjesa lindore e Maqedonisë është përfshirë nga vërshimet masive, si pasojë e daljes së lumejve nga shtrati i tyre. Autoritetet qeveritare përmes një shtabi të emergjencës kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në këtë pjesë të vendit. Për shkak të reshjeve masive të shiut dhe rrjedhat e shtuara të lumejve, uji që ka rrjedhë masivisht nga penda Kalimanc ka shkaktuar përmbytjen e disa vendbanimeve në komunën Çeshinovë – Obleshevë, Koçanë, Shtip, Vinicë, Veles, Berovë, etj.
Përmbytje masive ka edhe në rajonin e Pellagonisë, duke përfshirë zonën e Manastirit, për shkak të daljes nga shtrati të Lumit të Zi.
Autoritetet qeveritare prej mbrëmë janë në terren dhe se po ndjekin situatën në zonat e përmbytura. Gjithashtu në terren siç bëhet e ditur janë edhe zyrtarë të opozitës, që po mundohen të ndihmojnë banorët e zonave të përmbytura.
Dalja nga shtrati e lumejve Babuna, Topolka dhe Izvorçica, kanë përmbytura zona të tëra në pjesën lindore të vendit. Dëmet janë të mëdha në terren dhe se ujrat e rrëmbyesëm kanë paralizuar dhe bllokuar shumë vendbanime dhe banorë nëpër shtëpitë e tyre. Nën ujë janë edhe shumë hapësira bujqësore, vreshta dhe objekte në afërsi të lumejve.
Shqetësues është edhe niveli i lumit Vardar, dhe se mund të shkaktojë vërshime masive. Në rrezik janë edhe zonat e Demir Kapisë, Gradkos dhe Gjevgjelisë, për shkak se po rritet niveli i lumejve dhe ekziston rreziku i vërshimit të tyre. (INA)