Përgjimet, Prokuroria Publike: Ekspertët e vetëm monitoruesve

Ekspertët ligjorë ndërkombëtarë që kërkoi Prokuroria publike nga Bashkimi Evropian për rastin e aferës së përgjimeve, nuk do të mund të japin udhëzime të veçanta për rrjedhën e hetimeve. Këtë e thonë nga zyra e kryeprokurorit Marko Zvrlevski, në pyetjen e Alsat M se cili do të jetë formati i kërkuar i misionit të huaj. “Ekspertët do të ishin në rrjedhë me punën, lidhur me rastet për ngjarjet aktuale, por pa të drejtë në dhënien e udhëzimeve konkrete për rrjedhën e hetimit si dhe për vendimmarrjen e prokurorisë publike. Ekspertët ndërkombëtarë do të kenë dijeni mbi punën e prokurorëve kompetent për lëndët, në drejtim të objektivitetit dhe paanshmërisë në trajtimin dhe zbatimin e standardeve”, thonë nga Prokuroria Publike.

Nga Prokuroria shtojnë se ftesa dërguar organeve të Bashkimit Evropian, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, është bërë në përputhje me protokollet. Një kopje i është dërguar edhe Delegacionit të BE-së në Maqedoni. Idenë e një misioni vëzhgues të huaj për rastin e përgjimit, por pa detaje rreth formatit të tij, e publikoi të premten vetë Zyra e prokurorit. Qëllimi i një hapi të tillë, siç shpjeguan, është që procesi të ketë transparencë dhe besim. LSDM-ja opozitare menjëherë mori qëndrimin se një gjë e tillë mund të diskutohet vetëm pasi prokurori publik Zvrlevski të japë dorëheqje, në përputhje me kërkesat e mëparshme politike për dalje nga kriza. Në anën tjetër, kryeministri Gruevski, në tribunën në sallën “Boris Trajkovski” e mirëpriti dhe e mbështeti hapin e Prokurorisë. Për qëndrimin e Marko Zvrlevskit, Alsat M kërkoi përgjigje edhe nga Ministria e Brendshme. Nga dikasteri i Jankullovskës thanë se nuk duan të komentojnë vendimet e Prokurorit Publik sepse sipas hierarkisë, policia bie nën kategorinë e zbatuesit të urdhrave të organit të përndjekjes. Alsat-M

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>