“Autoritetet në Maqedoninë e Veriut, thanë se po bashkëpunojnë me autoritetet austriake rreth sulmit të së hënës në Vjenë, që la pas vetes pesë të vrarë, në mesin e të cilëve është edhe autori i sulmit.” njofton voa në shqip dhe më tej shkruan se:
“Kujtim Fejzullait, 20 vjeçar, me shtetësi të Austrisë dhe të Maqedonisë së Veriut, është identifikuar si i dyshuar për sulmin e së hënës.
Familja e tij është me prejardhje nga fshati Çellopek i komunës së Tetovës. Banorë të këtij fshati thanë se familja nuk njihej për pikëpamje ekstremiste, por se i riu mund të jetë indoktrinuar nga rrethi ku është rritur në Vjenë.
Policia e Maqedonisë së Veriut tha se autoritetet policore austriake përmes EUROPOL-it kanë kërkuar informata dhe bashkëpunim lidhur me rastin dhe se Sektori për bashkëpunim ndërkombëtar i ministrisë së Brendshme po bashkëpunon me zyrtarët austriak, por nuk kanë ndonjë dosje mbi veprimtarinë e Kujtim Fejzullait.
Një nga viktimat e sulmit të së hënës është një shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Familjaret thanë se i vrari është Nexhip Vrenezi, 21 vjeçar me prejardhje nga Veleshta e Strugës.” …