Kandidati për Kryetar të Komunës së Tetovës, nga Lëvizja për Shtet dhe Drejtësi – z. Afrim Ibrahimi – Fanda, ka reaguar në lidhje me ofertën e Kandidatit për Kryetar të Komunës së Tetovës, gjegjësisht Kryetarit të Partisë në Qeveri “BESA”, z. Bilall Kasami për të joshur me poste Listën „Më mirë për Tetovën“:
Ja, kjo është fytyra e vërtetë e e këtij individi dhe i kësaj partie!
Ofrimi publik i ryshfetit nga ana e kryetarit dhe njëkohësisht kandidatit nga Lëvizja Besa, si mjet për fitimin e votave të përkrahësve të listës së pavarur “Më mirë për Tetovën”, kalon kufijtë e të pamoralshmes, dhe është e dënueshme me ligjin zgjedhor sipas nenit 178 dhe dispozitave të kodit penal.
Kur ky individ, këtë e bën në mënyrë publike, si të mos besosh se ai, si lider i partisë në koalicion qeveritar, nuk ofron fshehur punësime dhe favore të tjera përmes ministrive që ka në qeveri për të blerë votat e qytetarëve të varfër tetovarë?
Kur i njëjti mashtroi shqiptarët gjatë zgjedhjeve parlamentare, me premtimin për grafën etnike në letërnjoftime, që nuk u realizua kurrë, dhe vazhdoi pa u skuqur pjesëmarrjen në qeverisje, si të mos besosh se nuk mashtron edhe tani në këto zgjedhje lokale?
Ju lumtë anëtarëve të listës së pavarur “Më mirë për Tetovën”, për përgjigjen korrekte dhe dinjitoze!,
përfundon reagimin, kandidati për Kryetar të Komunës së Tetovës, z. Afrim Ibrahimi – Fanda.