“Mjaft ngufatjes”, “Shkupi u bë Peking”, “Stop Smog”, “Qeveria subvencionon vdekjet ne Tetovë”, ishin vetëm disa nga parullat që mbanin në duar qytetarë që protestuan kundër ajrit të ndotur para Qeverisë. Qytetarët kërkuan që Qeveria urgjentisht të marr masa për zgjidhjen e këtij problemi.
“Ka shumë, nuk është vetëm nji, duhet të rregullohet industria rreth Shkupit dhe të organizohet trafiku publik në qytet”.
“Gjëja më e mirë është të vendosen rregullat e transportit çift dhe tek, sikurse dikur në ish Jugosllavi, kjo është sa për fillim për diçka tjetër nuk e di”.
“U bashkëngjitëm të gjithëve, normal e shohim se në çfarë gjendje jetojmë dhe çfarë ajri thithim edhe normal duhet Qeveria të ndërmerr ndonjë masë. Veçanërisht e dimë se si helmues kryesor momentalisht është Jugohromi”.
Përfaqësuesit e OJQ-vë, organizatorët e kësaj proteste madje kërkuan nga Qeveria ti detyroj të gjitha fabrikat, në tërë teritotin e vendit të vendosin filtra. Sipas të dhënave të OJQ-vë niveli më i lartë i ndotjes arrin kulmin pas orës 15 deri në orën 3 të mëngjesit.
“Sipas të dhënave që ka mbledh “Moj vozduh”për këtë vit, për qytetin e Shkupit është e qartë se gjatë sezonit të dimrit ndotja arrin kulmin pas orës 15 ndërsa zvogëlohet pas orës 3 të mëngjesit. Shkaku është i njohur, ngrohja e shtëpive që për fat të keq gjatë ngrohjes së ambienteve familjare përdoren substanca nga më të ndryshmet që nuk janë të përshtatshme për ngrohje”, u shpreh Gorjan Jovanovski, aplikacioni “Moj vozduh”.
“Ka vetëm një gjë që është më e fëlliqur dhe më e ndotur se ajri në Shkup, Tetovë dhe Manastir e ajo është ndërgjegjja e atyre që nuk ndërmarrin asgjë”, tha Kirill Arsovski, biolog-ekolog.
“Na ktheni jetën tonë, na ktheni tokën tonë, ujin tonë, na ktheni ajrin, ajrin tonë e duam. Modernizoni fabrikat, respektoni kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare, investoni në të ardhmen në vend që të ndërtoni të kaluarën, barok i bardh për shpirtrat e zi është kot nuk na kryen punë. Por, nga Tetova kemi një porosi për Qeverinë, vëndoni ato dreq filtra në Jugohrom po qofshin edhe barok”, tha Arianit Xhaferi, Eco Guerilla.
Organizatorët gjatë protestës madje propozuan masa që mund të parandalojnë ndotjen e ajrit: përpunim të planit të regjimit në trafik, të ndalohet lëvizja e makinave me standard më të ulët se EURO4 dhe dizell, të përmirësohet efikasiteti energjetik, në sektorin e industrisë të ndalohet përkohësisht puna për kategoritë A dhe B si dhe të mbrohen sipërfaqet gjelbëruese dhe të krijohen parqe të reja.
Melihate Rrustemi