Ministria e Shëndetësisë njofton se sipas informacioneve të marra nga alarmi i motit nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, në katër ditët e ardhshme, nga e enjtja deri të dielën (21-24.07.2022), Maqedoni e Veriut do të preket nga temperatura të larta të fazës portokalli.
“I gjithë territori i vendit do të kaplohet nga temperaturat e larta të fazës portokalli dhe gjatë kësaj periudhe do të vlejnë rekomandimet për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta, sipas Planit të Veprimit të Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit mbi shëndetin e qytetarëve.
- Lirohen nga detyrat e punës grupet më të rrezikuara të popullsisë, si – gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë.
- Në institucionet për kujdes të fëmijëve (kopshtet), nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët nuk duhet të nxirren jashtë në periudhën prej orës 11:00 deri në 17:00
- Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit të ofrojnë ndihmë për të moshuarit, të pafuqishmit dhe të pastrehët.
- Duke pasur parasysh faktin se disa procese të rrezikshme prodhimi dhe teknologjike mund të përbëjnë një rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, punëdhënësve u kujtohet detyrimi për të respektuar rregulloret ligjore në këtë fushë”, njoftojnë nga MSH.