Pacientët në Klinikën e Onkologjisë po përballen me mungesën e terapisë biologjike, shkruan Alsat.
Nga dita e premte pacientët kanë mungesë të gjashtë terapive biologjike, ndërsa ekziston rreziku që pacientët së shpejti të përballen edhe me mungesën e 4 terapive të tjera biologjike. Pacientët gjithashtu kërkojnë përfshirjen e këtyre barnave në listën pozitive.
Nga Klinika e Onkologjisë thonë se në kohën kur është përgatitur buxheti për vitin 2024 nuk janë pasqyruar nevojat e klinikës, dhe se po marrin masa për planifikimin më të mirë të prokurimit të terapive biologjike.
“Ju informojmë se situata me disponueshmërinë e terapisë biologjike është rezultat i procedurave administrative, të cilat zbatohen në përputhje me buxhetin e vitit 2024. Ky buxhet është hartuar në vitin paraprak bazuar në vlerësimet e asaj kohe dhe nuk ka pasqyruar plotësisht nevojat aktuale të klinikës. Gjithashtu, duhet të merret parasysh rritja e vazhdueshme e numrit të pacientëve onkologjikë, si dhe kompleksiteti i proceseve administrative dhe financiare që ndikojnë në prokurimin e barnave”, thonw nga Klinika e Onkologjisë.
-Buxheti për vitin 2024 nuk është hartuar në bazë të nevojës
-Është e komplikuar procedura administrative dhe financiare e barnave
“Gjatë ditës së sotshme disa herë tentuam që të biem në kontakt me drejtorin e Klinikës së Onkologjisë, që të marrim më shumë informacione në lidhje me mungesën e terapisë biologjike, por i njëjti nuk u përgjigj në thirrjet tona”, raporton gazetarja e Alsat, Linda Ebibi.
Drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, për MIA-në tha se po punojnë për rritjen e buxhetit për vitin 2025.
“Fondi miratoi pesë milionë euro shtesë për Onkologjinë në vitin 2024. Fondi po punon për një marrëveshje për rritjen e buxhetit për vitin 2025. Pavarësisht përpjekjeve për të rritur financimin, Klinika e Onkologjisë duhet të ketë kritere të qarta dhe transparente për përfshirjen e pacientëve në terapi të veçanta. Duhet të futet një regjistër i pacientëve dhe përmirësime të tjera për planifikimin dhe monitorimin e duhur”, u shpreh Sasho Klekovski, Drejtor i Fondit Shëndetësor .
Në Klinikën e Onkologjisë në vitin 2023 shpërtheu skandali me rishitjen e terapisë biologjike, e cila përfundonte në tregun e zi. Ende është në rrjedhë hetimi për 5 persona nga Onkologjia. Edhe Revizioni Shtetëror, pati konstatuar parregullsi në këtë klinikë. Se do t’i zbardh hetimet në Onkologji pati premtuar ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ende pa u ulur në kolltukun e ministrisë. Pas marrjes së postit ndryshoi qëndrim duke thënë se kjo është punë e organeve gjyqësore.
alsat