Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, e cila fitoi bindshëm në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën doli me kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Kjo parti, para, por edhe pa, fitores në zgjedhjet lokale, synonte rrëzimin e qeverisë përmes krijimit të një shumice të re parlamentare. Por, lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në një paraqitje para mediave, tha se një shumicë e re nuk do të reflektonte fitoren e thellë në zgjedhje, andaj edhe kërkon përballje të re në zgjedhje, sipas tij, për të delegjitimuar garniturën aktuale edhe në pushtetin qendror.
“Zgjidhja më e mirë për Maqedoninë në këtë moment do të ishin zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke respektuar të gjitha afatet ligjore dhe kushtetuese për të garantuar dhe siguruar një qeveri stabile. Zgjedhjet e shpejta nuk kanë alternativë për një qeveri të re, e cila do të jetë në gjendje të përballet me sfidat që ndodhen para nesh. Qeveria e re do të duhej të relaksonte edhe raportet në shoqëri, që t’u jepet fund ndarjeve dhe konflikteve”, deklaroi Mickoski.
Në rast se kërkesa për zgjedhje refuzohet, kjo, sipas kreut të opozitës maqedonase, nënkupton futjen e vendit në krizë edhe më të thellë nga qeveria, siç shprehet, e korruptuar dhe e delegjitimuar.
“Nëse qeveria e refuzon këtë ofertë tonën për zgjedhje të shpejta parlamentare, kjo nënkupton se e gjithë përgjegjësia për periudhën që kemi para nesh do të bjerë mbi këtë qeveri të korruptuar dhe të dështuar, si për krizën energjetike, përballjen me pandeminë apo valën e re që ndodhet para nesh, gjendjen katastrofale në arsim, rënien në ekonomi, etj. Kjo qeveri e ka humbur kredibilitetin dhe legjitimitetin në zgjedhjet lokale, çdo zvarritje do të thotë vazhdim i krimit dhe korrupsionit dhe varfërim i qytetarëve”, tha Mickoski.
Ndërkohë, Zoran Zaev nuk e ka komentuar kërkesën e liderit të opozitës. Zaev ende nuk e ka dorëzuar në Kuvend dorëheqjen nga posti i kryeministrit, të cilën e paralajmëroi natën e 31 tetorit kur pranoi disfatën në zgjedhje nga VMRO DPMNE-ja.
Larg mediave, Zaev ka pasur takime me partnerët e koalicionit qeveritar, të cilët i kanë dhënë mbështetje në drejtimin e qeverisë.
“Jemi para sfidave, por edhe mundësive të shumta, qofshin ato të krizës së pandemisë apo krizës energjetike, si dhe mundësisë që na ofrohet për nisjen e bisedimeve në dhjetor. Kjo mendoj se i imponon vendit një parashikueshmëri, veçanërisht tani në muajt në vijim. Mendojmë se këto janë argumente se pse deklarata e kryeministrit ishte e ngutshme dhe duhet të reflektojë pasi në pyetje janë interesa më të mëdha të shtetit që i tejkalojnë edhe emocionet individuale”, deklaroi zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani.
Lëvizja Besa, e cila po ashtu është pjesë e qeverisë, kërkon që vendimet për dorëheqjen e kryeministrit duhet të merren në konsultim me partitë e koalicionit, por edhe me faktorin ndërkombëtar.
“Zgjedhjet lokale ishin një indikator i fuqishëm për të marrë vendime të momentit dhe për të reflektuar për atë që ka ndodhur. Por, unë konsideroj se vendimet përfundimtare duhet të merren nga ana e kryeministrit – fillimisht me partinë e tij, pastaj në konsultim me partnerët e koalicionit dhe përfundimisht me faktorin ndërkombëtar. Maqedonia e Veriut nuk është një ishull i vetmuar që mund të vendosë për konsultim pa artnerët tanë ndërkombëtarë për vendimin që marrim”, ka deklaruar Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë mbajtur në qershor të vitit 2020. LSDM-ja kishte fituar 46 mandate apo dy më shumë se VMRO DPMNE-ja që mori 44 mandate. Zaevi e formoi qeverinë me BDI-në që kishte fituara 15 deputetë dhe deputetin e vetëm të PDSH-së, duke siguruar kështu 62 vota nga parlamenti prej 120 deputetësh.
Çka çoi në humbjen e Zaevit në zgjedhje lokale?
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, përkatësisht partia e tij, Lidhja Social –Demokrate, në zgjedhjet lokale të tetorit u ndëshkua për shkak të mosrealizimit të premtimeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, mungesën e rezultateve në luftën kundër krimit në nivele të larta, reformat në administratë dhe veçanërisht keqmenaxhimin e problemeve të shumta me të cilat përballen qytetarët në komunat e udhëhequra nga socialdemokratët, që në formë plotësuese, këto probleme i rëndoi dhe kriza e pandemisë, thotë Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci.
Zoran Zaev detyrën si kryeministër e mori në vitin 2017 pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën në vitin 2016, pas publikimit të të ashtuquajturave bomba të bisedave të përgjuara.
Zaevi të dielën dha dorëheqje edhe nga posti i kryetarit të partisë, Lidhjes Social-Demokrate, të cilën e drejton që nga 2013-a.
“31 tetori për mua paraqet All In”, ishte shprehur kështu kryeministri Zoran Zaev mes dy rundeve zgjedhore duke shpresuar të motivojë elektoratin për të përfituar përkrahje, në të kundërtën kishte thënë se nëse e humbet Shkupin, do të jepte dorëheqje.
Mosrealizmi i premtimeve çoi në humbjen e besimit tek elektorati
Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci thotë se në rezultatin e keq të partisë së kryeministrit Zoran Zaev, përkatësisht Lidhjes Social- Demokrate të Maqedonisë së Veriut ka ndikuar keqmenaxhimi i problemeve në nivel lokal, përkatësisht moszgjidhja e problemeve komunale, të cilat kryesisht janë drejtuar nga partia e Zaevit, LSDM.
“Elektorati mund të themi se e dënoi keqmenaxhimin e komunave, do të thosha për mospunën dhe mosrealizmin e premtimeve parazgjedhore të shumë projekteve që në formë plotësuese këtë gjendje e rëndoi kriza e pandemisë”, vlerëson Troshanovski.
Ai në nivel qendror si dështim të qeverisë së kryesuar nga Zaevi apostrofon mosrealizimin e premtimeve, për të cilat qytetarët ia besuan votën, duke vendosur në vend të parë sundimin e ligjit.
“Mbetën pa adresë shumë probleme, mosreformimi i gjyqësorit. Administrata publike mbeti e partizuar, ndërkohë që evident ishte favorizimi i të zgjedhurve partiakë kundrejt kuadrove profesionale në institucione të caktuara”, thotë Troshanovski.
Zaevi i humbi votuesit që besonin në Prokurorinë Speciale
Kryeministri Zoran Zaev në pushtet erdhi pas publikimit të bisedave të përgjuara, që çoi në formimin e Prokurorisë Speciale, e cila kishte për detyrë të ndjekë krimin e organizuar në nivele të larta.
Pas aferës “zhvatja”, në të cilën besohet se ishin të përfshirë dhe njerëz të afërt me kryeministrin Zaev, kjo prokurori u shua.
Marko Troshanovski thotë se shuarja e Prokurorisë Speciale i zhgënjeu qytetarët e pavarur, të cilët u mobilizuan nën ombrellën e njohur si “Revolucioni Laraman”, nga ku mori mbështetje të fuqishme për të ardhur në pushtet.
“Te qytetarët e pavarur sigurisht se prodhoi efekt negativ shuarja e Prokurorisë Speciale, e cila shihej si institucion i besueshëm për luftimin e krimit në nivele të larta”, thotë Troshanovski, duke shtuar se Zaevi nuk mori vota ndëshkuese për shkak të ndryshimit të emrit të shtetit me Marrëveshjen e Prespës, por për faktin se nuk arriti të sigurojë jetë më të mirë për qytetarët.
Bllokimi i procesit të integrimeve dekurajoi votuesit për një të ardhme evropiane
Ndërkohë, Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se Zoran Zaev si kryeministër pati guxim që gjatë mandatit të tij të marrë përsipër vendime të rëndësishme, siç është ai me Greqinë për ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit gjë që i mundësoi vendit të bëhet anëtar i NATO-s. Megjithëkëtë, ai shton se zbehja e perspektivës evropiane dekurajoi qytetarët për t’i mbështetur politikat e socialdemokratëve.
“Këtu kemi dhe atë aspektin psikologjik, në kohë kur qytetarët janë të lodhur nga pandemia, në kohën kur në një mënyrë perspektiva evropiane shënoi rënie si opsion sidomos tek elektorati proprogresiv apo proevropian. Krejt kjo ndikoi që të marrin fuqi forcat destruktive, të cilat janë në koneksion me lojtarë të tjerë në Ballkan po edhe në Maqedoni, që s`janë pjesë e aleancës euroatlantike”, thotë Ramadani.
Çka pas dorëheqjes së Zaevit?
Pas dorëheqjes publike nga posti i kryeministrit, Zoran Zaev është i obliguar ta informojë me shkrim dhe kryetarin e Kuvendit.
Zaev ka theksuar se pavarësisht dorëheqjes së tij, qeveria e drejtuar nga socialdemokratët duhet të vazhdojë deri në fund të mandatit, përkatësisht edhe për dy vjet e gjysmë.
Por, në bazë të Kushtetutës së shtetit, me dorëheqjen e Zoran Zaevit nga posti i kryeministrit, e gjithë qeveria është në dorëheqje.
“Dorëheqja e kryetarit të Qeverisë, vdekja ose pamundësia e përhershme e tij që ta ushtrojë funksionin, rezulton me dorëheqjen e Qeverisë”, thuhet në nenin 93 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.
Në bazë të procedurës kryetari i shtetit është i obliguar që brenda 10 ditëve mandatin për formimin e qeverisë t`ia dorëzojë partisë gjegjësisht koalicionit që arrin të sigurojë shumicën në Kuvend.
Pas kësaj, ai kandidat që ka marrë mandatin, brenda 20 ditëve duhet të shpalosë programin në saje të të cilit duhet të marrë besimin nga institucioni ligjvënës.
Nëse ky opsion dështon, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
“Në bazë të asaj se çka thotë Kushtetuta, nëse kryeministri jep dorëheqje, atëherë bie qeveria dhe si duket zoti Zaev ka qenë i interesuar që të bjerë kjo qeveri. Motivet dhe arsyet sigurisht se ai i di më së miri. Por, për mua ky vendim nuk është i arsyeshëm në këtë moment”, thotë Emin Azemi, njohës i çështjeve politike dhe ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Ai thekson se me dorëheqjen e Zaevit nga posti i kryeministrit, Maqedonia e Veriut po hyn në një periudhë me shumë paqartësi.
“Deshëm apo nuk deshëm, fjala e parë që na kujtohet është kriza politike. Nuk po them kriza institucionale se kjo qeveri ka mandat edhe dy vjet e gjysmë dhe modalitetet mund të gjenden në drejtimin e qeverisë, mirëpo ambiciet e opozitës tani janë shtuar dhe siç janë shprehur, kërkojnë zgjedhje të parakohshme”.
“Një situatë të ngjashme ne e kemi pasur në Kosovë. Kur ka rënë një kryeministër, është krijuar një shumicë e re parlamentare ose një koalicion i ri. A mund të realizohet kjo këtu në Maqedoninë e Veriut mbetet të shihet. Po ky koalicion që është tani, LSDM-ja dhe BDI-ja ( Bashkimi Demokratik për Integrim) dhe Besa mundet të zgjerohet me deputetë të partive të tjera ditëve në vijim. Kjo mbetet të shihet si opsion i mundshëm. Pra, të gjitha opsionet janë të hapura. Por, ajo që doja të theksoja është se Maqedonisë në këtë moment nuk i konvenon një krizë politike dhe institucionale”, vlerëson Azemi.
rel