Parlamenti i Maqedonisë i dha dritë jeshile propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dokumentet e udhëtimit të qytetarëve të vendit.
Me këtë, ky projekt – ligj shkon në fazën e dytë, kur pritet edhe miratimi dhe fuqizimi i tij. Deputetët e BDI-së votuan të përmbajtur dhe nuk kundërshtuan këtë projekt – ligj, edhe pse ai ka hapur shume debate dhe dilema se mund të jetë i dëmshëm për mërgatën shqiptare që posedojnë pasaportat e Maqedonisë.
Kontestuese janë pjesët që kanë të bëjnë me adresën, e cila njëlloj sikur me projekt – ligjin për letërnjoftimet mund të jetë i dëmshëm për mërgimtarët, pasi që rrezikohet shlyerja e adresave të tyre të vendlindjes dhe probleme të tjera që mund të lindin më pas.
Por çka thotë ministrja e MPB-së, Gordana Jankulovska, që sipas saj, me këto ndryshime insistohet të korrigjohen mangësitë në ligjin ekzistues, harmonizim terminologjik dhe juridik dhe për tejkalimin e problemeve që paraqiten në praktikë.
Një nga ndryshimet kryesore është mundësia që qytetarët të aplikojnë për pasaportë dhe ta marrin dokumentin jo vetëm në vendin e banimit, por edhe në vendin ku qëndrojnë, dhe kjo mund të bëhet edhe jashtë nga hapësirat zyrtare të MPB, ndërsa për mërgimtarët nga zyrat diplomatike dhe konsullore. Ajo theksoi se nuk do të ketë dallim në procedurën dhe se nuk do të thotë se një person do të posedojë më shumë se një dokument udhëtimi ose të dhëna të ndryshme.
Me këto ndryshime propozohet edhe shfuqizimi e pasaportës së përbashkët si lloj i pasaportave, zbatimi dhe dedikimi i së cilës është tejkaluar.
Për ruajtjen e kujdesshme të pasaportave, vendosen sanksione për ndonjë humbje ose dëmtim të mëtejshëm. Pronari është përgjegjës nëse dëshmohet se shkatërrimi ishte me paramendim.
Ndryshimet kanë të bëjnë edhe me pasaporta që do të jepen për shtetas të Republikës së Maqedonisë, i cili ka mbetur jashtë vendit pa pasaportë për arsye të ndryshme, si dhe për të sapolindurit e emigrantëve që të mund të regjistrohet në librin amë të të lindurve dhe në këtë mënyrë të merr shtetësinë e Maqedonisë.
Deputetët e BDI-së votuan të përmbajtur. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie Talat Xhaferi tha se kjo është për shkak të dilemave në disa nene nga ligji dhe se për fazën e dytë të miratimit të ligjit kërkon harmonizim të qëndrimeve. Në thelb, tha ai, i mbështesin ndryshimet, por nuk pajtohen me disa dispozita, si ato që lidhen me sanksione për pasaportë të humbur ose të dëmtuar, si dhe për dokumente udhëtimi për fëmijët e lindur jashtë vendit.
E pranueshme për deputetët në pjesën e pasdites së seancës së djeshme parlamentare ishte edhe Propozim ligji për shërbimin e prokurorit publik, për të cilin votuan për lexim të mëtejshëm. Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari tha se bëhet fjalë për një akt të veçantë me të cilin rregullohen çështjet për statusin e nëpunësve administrativë në prokuroritë publike, organizimin e tyre, kategorizimin dhe për herë të parë përcaktohen të drejtat dhe obligimet e tyre, si dhe mënyrat e krijimit të marrëdhënieve të punës.
Parlamenti i dje pasdite miratoi konkluzionin edhe se është i pranueshëm dhe mund të dorëzohet në lexim të mëtejshëm Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor. Ministri Jashari në seancën e mëngjesit shpjegoi se me këtë ligji duhet të rriten kapacitetet e Këshillit Gjyqësor dhe të gjyqësisë dhe të profesionalizmit të tyre.Me ligj parashikohet që mandati i kryetarit të Këshillit të zgjatë tre vjet, me të drejtë për rizgjedhje. (INA)