Shirley Cloyes DioGuardi, aktivistja dhe bashkëshortja e ish-kongresmenit Joe DioGuardi thotë se pa SHBA s’ka zgjidhje në Ballkan dhe se kjo u tregua me rolin e BE që kishte në krizën në Maqedoni, me ç’rast nuk kishte zgjidhje.
“Kur jemi 16 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, e cila supozohej se do të krijonte barazi në të drejta për shqiptarët, kemi një situatë të dezintegruar. Kishim administratën Obama që u tërhoq, duke ia dorëzuar çdo gjë Bashkimit Europian. Ne e dimë se kur SHBA tërhiqet dhe ia dorëzon çelësat Bashkimit Europian, kjo nuk do të funksionojë sepse ke 28 vende të ndryshme”, theksoi për INA, Shirley Cloyes DioGuardi.
Sipas saj, Nuk ka lidership nëse nuk përfshihet SHBA.
“Ajo që po ndodh tani, është zëvendësimi i administratës Obama me administratën Trump, e cila është futur në vetëizolim. Dhe çfarë po ndodh në këtë periudhë kur askush nuk po tregon vëmendje? Kemi Rusinë që po futet pak nga pak në Maqedoni, duke ndërhyrë në zgjedhje dhe duke u përpjekur që të kontrollojnë të gjithë rajonin. Ata po bëjnë atë që janë përpjekur të bëjnë gjithmonë që prej fundit të luftës në Kosovë. Ata janë të bashkuar me Serbinë dhe Greqinë, atë që njihet si boshti ortodoks. Ata po përpiqen t’i bëjnë të duken shqiptarët si terroristë islamikë, duke thënë se janë një popull ekstremist në zemër të Europës. Ne e dimë se SHBA është e fokusuar te Koreja e Veriut apo Siria, por ky është një rrezik. Nuk është çështja nëse ndodh, por se kur do të ndodhë.”, theksoi aktivistja amerikane që po angazhohet për çështjen shqiptare. Ajo këto komente i ka bërë pas një takimi me komunitetin dibran në Nju Jork dhe kongresmenin amerikan Dan Donovan. (INA)