Tarifa të reja për shpenzimin e energjisë elektrike

termocentral ManastirKriza ekonomike që ka shkaktuar shtrenjtimin e çmimeve të ushqimeve të konsumit bazë dhe të shërbimeve, ka goditur shumë familje në Maqedoninë e Veriut, në veçanti ato që jetojnë me ndihma sociale dhe të tjerët me të ardhura të ulëta.

 

Njëri nga ta është edhe Ibrahim Selmani, i cili me familjen e tij katëranëtarëshe mbijeton me një ndihmë sociale, vlera e së cilës është rreth 30 euro për një anëtar të familjes.

Paralajmërimi i Komisionit Rregullator për Energjetikë se nga muaji qershor do të ketë rritje të re të çmimit të energjisë elektrike, paraqet shqetësim shtesë për Ibrahimin se si do të arrijë t’i paguajë faturat.

“Çdo para që marrim, detyrohemi t’ia japim EVN-së (kompanisë energjetike). Çmimet janë shumë të larta dhe nuk po mundemi t’i përballojmë. Shumica e popullatës jeton me ndihma sociale. Marrin një ndihmë sociale prej 2,000 denarëve (35 euro), ndërsa fatura vjen deri 6,000 denarë (95 euro). Ku t’i marrim këto para për ta paguar?”, thotë Ibrahim Selmani, i papunë.

Edhe Aco Stojmenov, pensionist, thotë se rritja e çmimeve po shkakton shqetësime serioze për të dhe bashkëshorten, pasi jetojnë me një pension prej rreth 150 eurosh në muaj.

“Çdo gjë në shtet po shtrenjtohet, jo vetëm energjia elektrike. Ne jemi dëshmitarë të rritjes së përditshme të çmimeve të karburanteve. Ja, tani paralajmërojnë rritje të re të çmimit të energjisë elektrike. S’di si do të mund t’ia dalim me këto të ardhura që marrim. Nëse vazhdon kështu, nuk do të mund të sigurojmë as bukën, se lëre më nevojat tjera. Kjo në veçanti vlen për rastet sociale dhe ato familje me të ardhura minimale”, thotë pensionisti Aco Stojmenov.

Një kilovat energji elektrike në Maqedoninë e Veriut kushton gjashtë denarë (dhjetë centë) me tarifën e shtrenjtë dhe tre denarë (pesë centë) me atë të lirën.

Një familje, për energji elektrike shpenzon mesatarisht në muaj deri në 50 euro në sezonin e verës dhe dyfish apo më shumë në sezonin dimrit, nëse ngrohet me energji elektrike.

Komisioni Rregullator për Energjetikë ka bërë të ditur se është afër miratimit të një rregulloreje të re, që parasheh disa kategori apo tarifa të pagesës së faturave. Por, ato nuk janë përcaktuar ende saktë, pasi institucionet kompetente po i vazhdojnë konsultimet.

“Do të ketë disa lloje të tarifave dhe nëse do të jenë tri apo katër, do të varet nga rezultati i bisedimeve me Fakultetin e Elektroteknikës dhe Makinerisë. Një gjë është e sigurt, se nuk do të ketë shtrenjtim për çmimin e lirë të energjisë elektrike. Familjet që shpenzojnë më pak apo deri në 100 kilovatë orë energji elektrike, do të paguajnë më pak apo nuk do të ketë shtrenjtim për to”, ka deklaruar Marko Bislimovski, kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë.

“Mesatarisht te ne, një familje shpenzon deri në 400 kilovatë në muaj, por ka edhe të tjera që shpenzojnë shumë më tepër, përfshirë këtu edhe bizneset. Kush sa shpenzon, aq edhe do të paguajë; kush shpenzon më shumë, do të paguajë më shumë”, ka shtuar ai.

Bislimovski, gjithashtu, ka dalë me një të dhënë se 17 amvisëri në Maqedoninë e Veriut shpenzojnë rreth 10 për qind të të gjithë energjisë elektrike, por nuk ka dhënë detaje se për çfarë qëllimesh shpenzohet ajo.

Profesori i energjetikës, Konstatin Dimitrov, duke komentuar njoftimin për tarifat për energjinë elektrike, thotë se ky model nuk do t’i prekë të varfrit, por, sipas tij, rritje të çmimit do të ketë për të gjitha kategoritë.

“Një është e sigurt, energjia elektrike do të shtrenjtohet. Më të varfrit ndoshta do të paguajnë sikur edhe deri më tani. Ndoshta kjo mund të duket në rregull, meqë ata nuk kanë para. Problemi nuk është vetëm me këtë kategori, problemi është për gjithë vendin. Do të ketë krizë, mund të ketë edhe mungesë të energjisë nëse kriza vazhdon të përkeqësohet”.

“Ne nuk prodhojmë energji elektrike dhe gjithçka që blejmë, varet nga bursat. Çmimin nuk e diktojmë ne, por tregjet botërore, kështu që rritje do të ketë”, thotë Dimitrov.

Në Maqedoninë e Veriut, shtrenjtimi i fundit i energjisë elektrike prej 10 për qind ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar, por, në të njëjtën kohë, Qeveria ka kthyer edhe Tatimin e Vlerës së Shtuar nga 5 në 18 për qind, me çka amvisëritë kanë paguar fatura më të larta për 12.36 për qind.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>