Ironia më e madhe në gjithë këtë tetatër politik që vazhdon me vite, por po kurrorëzohet këto vitet e fundit, është se të dy kryeministrat shqiptarë nxisin euforinë ndër shiqptarët naivë, se me ndihmën e dronëve dhuratë të Erdoganit, Shqipëria dhe Kosova do të bëhen të “paprekshme”, duke aluduar në rezikun nga agresioni serb, ndërkohë që ata po dorëzojnë pa luftë sovranitetin perandorisë neootomante të Erdoganit. E Erdogani ndërkohë vazhdon i qetë dhe hapur pazaret për ndarjen e territoreve shqiptare me Vuçiçin dhe Putinin.
Erdogan është i rëndësishëm dhe shumë i vlefshëm, por jo për sovranitetin e dy gjysëm-shteteve shqiptare dhe aspiratave të shqiptarëve për bashkim kombëtar. Erdogani si autokrat dhe diktator i një vendi jashtë standardeve evropiane, përfaqëson një ndihmë dhe garanci e shkëlqyer për të mbajtur pushtetin dhe mbrojtur paratë e korrupsionit dhe krimit të klasës politike shqiptare, e cila po konsumon aktin e rradhës të tradhtisë kombëtare, fare hapur, në pikë të ditës.
Erdogan me financimet e tij, ndihmon këtë klasë politke të vijë në pushtet ose të mbajë pushtetin e papenguar në aktivitetet kriminale dhe korruptive duke u ndihmuar edhe në menaxhimin e parave të krimit dhe korrupsionit. Ndëkohë që Erdogan lihet i qetë dhe i papenguar për të zbatuar platformën e tij politike për “Rumelinë”: “Xhamitë janë kazermat tona, kupolat janë helmetat tona, minaret janë bajonetat tona dhe besimtarët janë ushtarët tanë.”… të shpallur hapur nga vet ai në një intervistë që në vitin 1997, duke cituar poetin, filozofin dhe politikanin e njohur turk, Ziya Gökalp. Kjo shkelje, në atë kohë të kufijve të rrepta të sekularizmit të Republikës Turke, i kushtoi atij postin e kryetarit të bashkisë dhe katër muaj burg. Por sot, me pushtetin e denjë për një sulltan, ai vazhdon me ngulm dhe përpikmëri në zbatimin e kësaj platforme të islamit politik. Me ndihmën e klasës politike shqiptare, ai erdhi për të keqpërdorur i papenguar fenë dhe xhamitë si pronë ekskluzive turke, duke ua imponuar besimtarëve shqiptarë me mjeshtri zgjedhjen: o me Gjylenin o me Erdoganin, duke e keqpërdorur fenë si një armë “biologjike” kundër qenies kombëtare të shqiptarëve.
Ndaj Erdogan këto ditë erdhi në Tiranë për të inaguruar xhaminë “më të madhe në Ballkan” të menaxhuar nga qeveria turke, duke anashkaluar Komunitetin Musliman të Shqipërisë.
E së shpejti Erdogan do të vijë edhe në Prishtinë për të inaguruar përsëri një xhami “më të madhe në Ballkan” të financuar dhe të menaxhuar nga Kryesia e Çështjeve Fetare të Türkiye-s (Diyanet), Fondacioni i Diyanetit të Türkiye-s, ku do të mund të falin namaz në të njëjtën kohë rreth 10 mijë njerëz.
Afrim Fanda