Përgjigja është shumë e thjeshtë – lufta kundër korrupsionit nuk është fare prioritet i pushtetit në ish IRJM, në një kohë që është e zënë me luftën për mbrojtjen e identitetit, gjuhës, historisë dhe territoreve të përvetësuara.
Madje korrupsioni është një instrument mjaft efikas në duart e partive “maqedonase” për të disiplinuar, përdorur dhe shpërblyer për dëgjueshmëri, përfaqësuesit politik të shqiptarëve, të cilët, krahasuar me fqinjët e tjerë (Greqinë dhe Bullgarinë) janë pikërisht më të dëmtuarit nga kjo hajdutëri identitetesh.
Nëse për grekët ishte i papranueshëm emri i shtetit “Maqedoni”, sepse përfaqësonte pretendim territorial për territorin me të njëjtin emër në Greqi me sipërfaqe më të madhe (34.177 km2) dhe me më shumë banorë (2,3 mil banorë) se vet ish IRJM, dhe nëse për bullgarët është i papranueshëm përvetësimi i dialektit lindor të gjuhës së tyre, trashëgimisë kulturore, figurave historike dhe ngjarjeve të rëndësishme në historinë bullgare, sot identiteti dhe shteti “maqedonas” me kryeqytet Shkupin (Skupi), i cili kurë s’ka qenë Maqedoni (antike) por kryeqytet i Dardanisë, mbahet në këmbë pikërisht në kurriz të shqiptarëve – territoreve të tyre, lirisë së tyre dhe mirëqenies së tyre.
Ndaj në këto rrethana, asnjëra nga dy partitë “maqedonase” që zëvendësojnë njëra tjetrën në pushtetin ekskluziv që ua jep kushtetuta unitare, nuk e kanë luksin ta luftojnë korrupsionin, i cili u shërben atyre për të rekrutuar, motivuar dhe shpërblyer përfaqësuesit politik të shqiptarëve, duke kontrolluar dhe neutralizuar në këtë mënyrë organizimin politik të shqiptarëve, të cilët përfaqësojnë kërcënimin më të madh për identitetin dhe shtetin e përvetësuar “maqedonas”.
Dallimi i vetëm mes këtyre dy partive qëndron thjesht në strategjinë e zgjedhur për t’u përballur me shqiptarët. VMRO që në fillim ka zgjedhur qasjen me dorë të fortë ndaj shqiptarëve, dhe me këtë qasje mori dhe votat nga shumica e elektoratit “maqedonas”. Ndaj dhe pas tragjedisë së Koçanit, kryeministri Mickovski pa hezituar, para kamerave, duke marrë kompetencat e policisë, hetuesisë dhe gjykatave, shpalli shqiptarët fajtorë për këtë tragjedi dhe kërcënoi partinë më të madhe shqiptare se “do t’i nxjerri për veshi nga shtëpia”. Ndërsa LSDM vazhdon me strategjinë e vjetër të “vëllazërim bashkimit” ish jugosllav, me synimin e kultivimit të shqiptarit lojal “maqedonas” me shembullin e atij “jugosllav” të kohës së Jugosllavisë socialiste. Ndaj këto ditë pas tragjedisë së Koçanit, mediat e afërta me LSDM, me zellin më të madh sillnin prova para publikut “maqedonas” për bashkëvajtjen e shqiptarëve me bashkëqytetarët e tyre “maqedonas”, duke promovuar kështu lojalitetin e shqiptarëve ndaj kombit dhe shtetit “maqedonas”.
Nga ana tjetër, është fakt i ditur nga të gjithë, se asnjë shqiptar nuk vjen në parlament e aq më pak në postet ministrore me motivin për të luftuar për të drejtat kolektive të shqiptarëve, por për të plotësuar ambiciet dhe nevojat financiare personale, familjare dhe klanore. E pas tyre qëndrojnë masa e votuesve dhe simpatizantëve partiakë që nuk janë të interesuar për të kërkuar llogari nga përfaqësuesit e tyre, por thjesht të sigurojnë ndonjë vend pune. Ndaj valëvitja e flamurit të luftës kundër korrupsionit, si qëllim në vete, i ndarë nga faktorët e tjerë që përcaktojnë gjendjen e vështirë politike dhe ekonomike të shqiptarëve në ish IRJM, qoftë nga ana e partive politike shqiptare apo individëve dhe shoqatave të ndryshme, është thjesht hipokrizi, madje akoma më shumë, strategji e mirëmenduara për të larguar vëmendjen nga lufta e shqiptarëve për të drejta kolektive.
Shqiptarët në ish IJRM duhet ta luftojnë korrupsionin, por këtë mund ta bëjnë vetëm duke luftuar për statusin e tyre të merituar kushtetues, si grup etnik më i madh në vend. Përndryshe rrezikojnë të xhirojnë pa fund në qarkun vicioz ku statusi i tyre i diskriminuar kushtetues do të prodhojë pa fund shqiptarë të korruptuar, e këta shqiptarë të korruptuar do të mirëmbajnë pafund statusin e tyre të diskriminuar kushtetues.
Huazuar nga Afrim Fanda – Facebook.