Tragjedia me bilanc lufte në kohë paqeje në Koçan; fajësimi për tragjedinë dhe kërcënimi prej rrugaçi i kryeministrit Mickovski ndaj ish përfaqësuesve politik shqiptarë për të cilët (përfshirë dhe këta që sot janë në pushtet), korrupsioni është shpërblim për dëgjueshmërinë ndaj pushtetit në duart e partive „maqedonase“; pamjet e paraqitura në media të ish ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi të prangosur duke transportuar me furgon të policisë në Koçan tregojnë më së miri pozitën e mjeruar të shqiptarëve në këtë shtet artificial që mbahet në kurriz të shqiptarëve.
Por ajo që më bëri ta shkruaj këtë status është video-mesazhi i nxënësve të shkollës së mesme të mjekësisë „Nikolla Shtejn“ në Tetovë, “Flasim gjuhë të ndryshme, por qajmë njëjtë”.
Është fakt tanimë i njohur nga të gjithë, se shqiptarët nuk i urrejnë dhe nuk u gëzohen fatkeqësive të fqinjëve, të cilët janë treguar shumë mizor me ta gjatë historisë së largët dhe të afërt. Madje e ndajnë dhimbjen me ta në çdo fatkeqësi, posaçërisht kur bëhet fjalë për fëmijë të pafajshëm, siç është rasti i tragjedisë së Koçanit.
Por për fat të keq, mesazhi i organizatorëve të shfaqjes në Shkollës së Mesme të Mjekësisë jo vetëm që nuk është i saktë por është manipulues dhe vetëposhtërues.
Për fat të keq, jo, shqiptarët dhe „maqedonasit“, jo vetëm që nuk flasin gjuhë të njëjtë, por edhe nuk qajnë njëjtë. Është fakt se „maqedonasit“ ndërtuan dhe akoma po ndërtojnë shtet dhe mirëqenie në territoret dhe fatkeqësinë e shqiptarëve. Ndaj jo, kur qajnë shqiptarët nuk qajnë edhe „maqedonasit“.
E, kur sheh dhe krahason protestat e studentëve dhe nxënësve në Beograd, protestat e nxënësve të Koçanit dhe videomesazhin e nxënësve të shkollës së mesme të mjekësisë në Tetovë, të krijohet bindja brengosëse, se nxënësit dhe studentët shqiptarët dinë të qajnë, por nuk dinë të kërkojnë, madje të këmbëngulin për atë që ju takon.
E, e ardhmja e tyre nuk ka për të qenë më e mirë duke qarë ose ëndërruar për poste ministrash që karrierën e përfundojnë në burg!
Afrim Fanda