Belgjikë, 13 të arrestuar për aktivitet ekstremist

Prokurorët belgë thonë se kanë arrestuar 13 vetë në një seri bastisjesh në vend. Ata shprehen se të dyshuarit besohet të jenë anëtarë të një grupi islamik që kishte planifikuar sulme kundër policëve.Zyrtarët thanë sot se nuk duket të ketë ndonjë lidhje mes këtij grupi dhe sulmeve të javës së kaluar në Paris. Megjithatë, dy të dyshuar u arrestuan në Francë, përveç personave të arrestuar në Belgjikë.

Hetuesit thanë se kishin zbuluar armë të ndryshme, si revolverë dhe armë automatike, lëndë plasëse dhe uniforma policësh në një apartament në qytetin Verviers, pranë kufirit me Gjermaninë.

Ata shtojnë se dy persona u vranë dje gjatë bastisjeve, por identiteti i tyre nuk është konfirmuar ende. Gjatë bastisjes personat hapën zjarr ndaj policisë. Shkëmbimi i zjarrit zgjati disa minuta, por nuk pati të plagosur nga forcat e rendit.

Autoritetet besojnë se disa nga ekstremistët janë larguar nga Belgjika për në Siri.

Megjithëse nuk janë zbuluar lidhje me incidentet e Parisit, policia belge tha se një person i arrestuar dje dyshohet se ka furnizuar me armë Amedy Coulibaly, i cili vrau katër vetë në një dyqan ushqimesh.

Zyrtarët në Belgjikë kanë ngritur nivelin e rrezikut në vend. (voa)

Nisma e Steinmeier dhe Hammond për Bosnje-Hercegovinën

Edhe 20 vjet pas luftës gjendja në Bosnje-Hercegovinë nuk është përmirësuar, vendi përballet me krizë të madhe ekonomike dhe politike. Steinmeier dhe Hammond gjatë vizitës në Sarajevë propozojnë një nismë për ndryshime.Lufta ka përfunduar në Bosnje-Hercegovinë para 20 vitesh, por gjendja në këtë vend ende është shumë e rëndë. Kështu mendojnë minsitri i Jashtëm gjerman Frank Walter-Steinmeier dhe homologu i tij britanik Philip Hammond. Ministrat e jashtëm të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe janë mësuar me çështje të pakëndshme diplomatike. Por në një letër të hapur në nëntor 2014, ata kanë shprehur kritika për gjendjen: Bosnje – Hercegovina ka mbetur në vendnumëro sa u përket zhvillimeve ekonomike dhe politike. Përçarjet etnike janë shumë të thella dhe vendi ka nevojë për reforma, të cilat deri tani nuk janë realizuar. Pasojat e mungesës së reformave janë të rënda, thotë Steinmeier. “Bosnje-Hercegovina ka ngecje në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Së pari, kur bëhet fjalë për zhvilimin brenda shtetit. Por edhe sa i përket procesit të integrimit në Europë.”
Pengesat më të mëdha
Në Bruksel mendohet se pengesa më e madhe në këtë proces është një klauzolë në Kushtetutën e vendit për drejtimin e shtetit, sepse gjithmonë duhet të shikohet proporcionaliteti i përkatësisë etnike në institucione. Kjo do të thotë që se postet ndahen sipas përkatësisë nacionale: boshnjakë, serbë apo kroatë dhe jo mbi bazën e aftësive. Minoritetet, si hebrejtë apo romët, përjashtohet nga ky proces dhe diskriminohen. Kështu vendosi Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Para se të shënohet ndonjë hap në procesin e afrimit me BE, duhet të ndryshojë Kushtetuta e këtij vendi, thuhet në kërkesat e BE. Ministri i Jashtëm gjerman mendon se këto kërkesat janë me vend. “Duhet të shohim nëse rrjedha e gjërave në Bosnje – Hercegovinë është si duhet, apo duhet të bëjmë ndryshime”, thotë ai.
Ndërsa homologu i tij britanik Philip Hammond ka propuzuar që fillimisht të merremi me çështje social-ekonomike dhe më pas të bëhen ndryshimet kushtetuese. Në BE kaherë janë të dëshpëruar me gjendjen dhe me udhëheqjen e Bosnje-Hercegovinës. Ministrat e tjerë të jashtëm i janë bashkuar iniciativës gjermano-britanike. Ndërsa e ngarkuara për Politikë të Jashtme e BE, Mogherini ishte euforike: “Po, ky mund të jetë një fillim i ri. BE dhe Bosnje-Hercegovina duhet të bëjnë sa më shumë që është e mundur, për ta shfrytëzuar këtë shans.” Sipas saj, kjo iniciatvië mund të shënojë kthesën e Bosnje-Hercegovinës në drejtm të BE-së.
Por për ta nisur këtë proces, politikanët lokalë duhet të ndryshojnë qëndrimet. Ata ende nuk janë dakord. Megjithatë Frank-Walter Steinmeier dhe Philip Hammond duan që gjatë vizitës (16.01.2015) në Sarajevë të kërkojnë mbështetje për nismën e tyre. Pika kulmore e kësaj vizite do të jetë një fjalim para parlamentit. (dw)

Tetovë: Ndotja arrin kulmin

Ndezja e furrës së madhe në Jugohrom, e cila kohë më parë u mbyll për të zvogëluar nivelin e ndotjes në Tetovë me rethinë, ka bërë që për 5 ditë me radhë ndotja të arrijë maksimumin prej 1000 mikrogram në kub të grimcave PM10. Tymi që ngulfat tetovarët ka shkaktuar reagime të shumta në opinion.

Gazetari dhe aktivisti Petrit Saraçini, i njohur si Amon Mra, pyet publikisht lëvizjet e reja politike se pse heshtin për këtë helmim të qytetarëve. “Nuk pres gje per ndotjen ne Tetove as nga BDI, as nga PDSH. Po pyes Levizjen Besa, RDK, Zijadin Selen – keni ju gje per te thene ose bere per ekocidin ne Pollog? Populli eshte gati. Pret qe te merreni edhe me keto tema, qe nuk jane tema per fodulleqe te politikes ditore, por tema jetesore. Se po u zihet fryma. Mu atyre me votat e te cileve pretendoni te mundni ata qe u kane dale te pabese. Do thoni gje, apo edhe ju si sherbetoret e Gruevskit, do merreni vec me tema “patriotike” ?!?”, shkruan Saraçini në profilin e tij në Facebook.

Analisti Xhelal Neziri i bën thirrje ministrit Nurhan Izairi të jape dorëheqje.

“Aman, ne do i japim rrogë ministrit të Ekologjisë veç le të japë dorëheqje në shenjë pakënaqësie për këtë helmim që i bëhet Tetovës dhe Pollogut në përgjithësi! Në të kundërtën, nuk ka pse të kërkojë vota BDI në këtë rajon, ku ka shpërndarë vetëm helm për 340000 banorët….”, shkruan Neziri.

Ndërkaq, shkrimtari dhe gazetari Bardhyl Zaimi shkruan: “Tash pa politike, pas kesaj Hiroshime me ajrin ne Tetove, pyesim : A ka ndergjegje ministri i ekologjise. A jeton ne Tetove, apo akoma do na bind me pallavra. Kjo situate eshte e llshtarshme per shume brezni o jahu ! Duhet t’i nxisim maqedonet e painteresuar per ajrin te reagojne se per shqiptaret qeveria se levize bithen”.

Profesori universitar Salajdin Saliu e përkrah mendimin e Zaimit. “Po i bashkohem Bardhit. Po ky jahu ministri nuk ka vesh. Dhe syte i jane erresuar nga makuteria. Ky e duron ndotjen. Bile propozoj ta hudhim ne nje kontejner”, shkruan Saliu në profilin e tij.

Kjo ndotje në nivel helmimi ka shkaktuar reagime tjera nga njerëz të profileve të ndryshme. Pjesa më e madhe kërkojnë protesta masive dhe dorëeheqjen e ministrit Izairi./TetovaSot/

Elbasan, zbulohet laboratori i drogës, 8 në pranga. Mes tyre edhe nipi i Enver Hoxhës

Mbrëmjen e së mërkurës në zonen e njohur si Labinot-Fushë, në fshatin Xibrakë në Elbasan, është zbuluar një laborator i përpunimit të droges, më i madhi i gjetur deri më sot në vend. Laboratori ndodhej në disa magazina, dikur shtetërore, pak metra larg aksit nacional Elbasan-Librazhd. Një çift të moshuarish shprehen se e kishin dhënë këtë godinë me qira disa muaj më parë dhe nuk kishin asnjë informacion se çfarë ndodhte aty. Ata i kanë thënë policisë se nuk kishin vënë re asnjë lëvizje të dyshimtë

“Godina është pronë e jona, por ne e kemi lëshuar atë me qira. Nuk kemi parë asnjë lëvizje të dyshimtë”, është shprehur pronarja e objektit

Në laboratorin e drogës policia gjeti mbi 100 kilogramë kokainë e perzierë, një sasi e konsiderueshme kokainë e paster, rreth 4 ton përzierës, si dhe një sërë mjetesh që shërbenin për kryerjen e këtij procesi.

Deri me tani ne pranga kane rene 8 persona, 2 prej te cileve kolumbianë, te cilet jane prangosur brenda laboratorit te perpunimit te droges. Sipas Policise se Shtetit, te arrestuarit jane Gentian Gjonaj, Arian Dalipi, Ilir Hyseni, Klemend Dalipi nga Elbasani, Ermal Hoxha, Saimir Batku nga Tirana dhe Cesar Avila e Walther Moreno nga Kolumbia.

Ermal Hoxha, i cili rezulton se eshte nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha dhe Saimir Batku jane arrestuar ne Tirane. Ne automjetin e Batkut i gjeten edhe 18 kilogramë kokaine dhe rreth 300 mije euro. Ndersa te tjeret jane arrestuar ne qytetin e ERlbasanit.

Operacioni i drejtuar nga Policia Shqiptare ka qene i koordinuar me policine gjermane. Zbulimi i laboratorit u bë i mundur pas hetimeve qe zgjaten disa muaj. Nga nga te dhenat e grumbulluara rezultonte se droga mberrinte ne Shqiperi e perziere nga vendet e Amerikes Latine, me vaj palme dhe ne laboratorin e droges ne Labinot behej ndarja. Me pas droga kishte si destinacion vendet e Europes.

Operacioni eshte duke u zhvilluar edhe ne disa qytete vendet, si ne Elbasan, Tirane, Durres e Fier e Vlore. Policia është në kërkim të personave te tjere te perfshire ne kete rrjet te trafikut nderkombetar. / Top Channel

“ Trepça” pronë e Qeverisë

Ndërrimi i pronësisë se kompleksit “Trepça” nga Agjencia Kosovare e Privatizimit tek ekzekutivi, hap një epokë të re për zhvillimin e këtij kompleksi, konsiderojnë menaxherë të kësaj ndërmarrjeje dhe përfaqësues të bizneseve.Për tu mundësuar ndërrimi i pronësisë se “Trepçës , Qeveria e Kosovës të mërkurën ka miratuar projekt-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Kurse, kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që projekt ligji të shqyrtohet ditën e hënë, me procedurë të përshpejtuar në Kuvend, duke shmangur në këtë mënyrë Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

Halil Qela, udhëheqës për Hulumtim, Zhvillim dhe Mjedis në këtë kombinat, vendimin e qeverisë për ndërrim të pronësisë se këtij kombinati e konsideron shpresë për ringjalle të Trepçës, pasi sipas tij, menaxhimi i saj nga Agjencia Kosovare e Privatizimit ka qenë rrugë e dështuar dhe njëherit asestët e Trepçës kanë qenë të rrezikuara.

“Unë mendoj se nuk duhet të ketë një status të njëjtë më ndërmarrje publike, , për shembull me Postën dhe Telekomin ose Korporatën Energjetike të Kosovës, sepse ato megjithatë ofrojnë shërbime”.

“Kjo duhet të jetë një interes nacional për zhvillimin e vendit ku bëhet ndërmarrje publike në kuptimin e menaxhimit shtetëror të një bordi, i cili do të ishte profesional, që mbikëqyrë menaxhmentin e bordit dhe një plan zhvillimor afat mesëm dhe afat gjatë që përcjell bordi për menaxhim”, tha Qela.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit e përkrahin vendimin e qeverisë për ndërrimin e pronësisë se Trepçës. Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë edhe herët patën rekomanduar që të miratohet një ligj për Trepçën dhe mundësinë e shndërrimit nga ndërmarrja shoqërore në atë publike.

Arian Zeka, krye shef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se më vendimin e qeverisë hapet mundësia që gjiganti metalurgjik e “Trepça” të bëhet potencial i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik.

Pas ndërrimit të pronarit, qeveria më aprovim të Kuvendit ka mundësi që edhe të privatizoj ndërmarrjet publike, por kjo varet se çfarë përmban projekt ligji i cili do të shqyrtohet të hënënnë Kuvend.

Edhe Zeka konsideron se zgjidhja më e mirë për zhvillimin e Trepçës, duhet të jetë privatizimi.

“Qeveria nuk ka kapacitete të mjaftueshme financiare që ti lejojë vetës të bëjë investime substanciale në Trepçë, në mënyrë që të shndërrohet në ndërmarrje profitabile. Ndoshta mund të bëjë disa investime themelore sa për të ngritur vlerën e saj para tentimit për privatizim.Megjithatë nuk mund të përjashtohet se zgjidhja më e mirë do të kishte qenë pikërisht privatizimi për të bërë atë”, tha Zeka

Gjiganti metalurgjik “Trepça” që gjendet në Mitrovicë, ka qenë nën moratoriumin e vendosur nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ndërsa Agjencia Kosovare e Privatizimit është administrator i saj.

Ndërkaq ditë më parë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka marr vendim që “ Trepcën” ta qojë në likuidim nga data 2 shkurt, arsye kjo për veprime të shpejta të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës

Kombinati “Trepça”, si gjigant ekonomik kosovar me asete dhe degë të ndryshme të shpërndara në rajone të ndryshme, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe jashtë saj, ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet ‘80, me mbi 20 mijë punëtorë.

Trepça është i vetmi prodhues i këtij lloji në Kosovë.

Aktualisht, merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut, por është edhe ndërmarrje industriale. (rel)

Vuçiq: Me shqiptarët duam të jetojmë në paqe

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka porositur serbët e Kosovës që të mos braktisin vatrat e tyre, të mos e shesin pasurinë dhe se Qeveria e Serbisë do të vazhdojë t’i ndihmojë.Porositë e tilla ai i ka bërë në Pasjan, Shtërpce dhe Graçanicë, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë me rastin e manifestimeve për Vitin e Ri ortodoks.

Kryeministri serb, Vuçiq, i shoqëruar nga një numër ministrash të qeverisë serbe, në orët e mëngjesit ka vizituar fshatin Pasjan, ku ka hapur klinikën e maternitetit dhe ka porositur banorët serbë që të ndërtojnë të ardhmen për fëmijët e tyre.

“Për këtë arsye jemi sot këtu, sepse, për çudi, më së shumti fëmijë serb lindin në Kosovë”, tha Vuçiq.

Ai u ka thënë qytetarëve serbë në Pasjan se nuk dëshirojnë të kenë konflikte me askë dhe se të gjitha problemet dëshirojnë t’i zgjdhin në paqe.

Porosi të ngjashme Vuçiq ka dhënë edhe gjatë vizitës në Shtëprce dhe më pas edhe në Graçanicë ku ka bërë zbulimin e lapidarit të “Mbretit Milutin”, në shkollën me të njëjtin emër.

Në praninë e disa mijëra qytetarëve serbë të ardhur në Graçanicë nga të gjitha anët e Kosovës, ku jetojnë ata, Vuçiqi ka theksuar se me shqiptarët dëshirojnë të jetojnë mirë dhe në paqe, sepse sipas tij, paqja u sjellë të mira të dyja palëve.

“Me fqinjët tanë, shqiptarët, duam të jetojmë në paqe. Asgjë të keqe nuk ju flasim. Unë pash se gjithkund nëpër Kosovë më kanë pritur me flamujt e tyre. Disa më fyenin, disa më kërcënonin, e disa kanë qenë të vrazhdë”, tha Vuçiq.

Sipas tij, përgjigja e serbëve ndaj shqiptarëve “duhet të jetë e civilizuar dhe e mikpritësve të ndershëm dhe kjo nënkupton se dëshirojmë t’i zgjidhim të gjitha me paqe dhe dëshirojmë të jetojmë pranë njëri tjetrit në mënyrën më të mirë të mundshme”.

“Por mos provoni të na poshtëroni dhe mos provoni ta ulni krenarinë serbe. ne nuk e duam të huajën dhe atë që është e juaja, por vetëm duam të rrimë në shtëpitë dhe vatrat tona, si dhe dëshirojmë jetën dhe ardhmërinë e fëmijëve serb në Kosovë, e asgjë më shumë”, shtoi Vuçiq.

Ai u ka thënë qytetarëve serbë se Qeveria e Serbisë do ta vazhdoj ndihmën për ta dhe se të gjitha ministritë e kësaj qeverie kanë marrë obligimin që të punojnë jo vetëm për komunat e veriut të Kosovës, por edhe por ato në jug të lumit Ibër.

Vuçiq ka thënë se ndihma më e madhe për serbët e Kosovës do të tregoj se Serbia “nuk e lë asnjë vend dhe asnjë fshat në harresë”.

“Unë e di se ju sot ndjeni fuqi më të madhe, megjithëse jetoni vështirë dhe me vuajtje. Po ndjeni mbi një politikë tjetër, një marrëdhënie tjetër, më reale, më të mençur, më serioze dhe më të përgjegjshme. Ne çdo ditë e më tepër po e fuqizojmë pozicionin tonë”.

“E ku pozicion i fortë do të thotë jetë, mbijetesë dhe ardhmëri për fëmijët tanë. Unë ju lus që të mos i shitni tokat e juaja, të rrini në vatrat tuaja dhe ne do t’ju ndihmojmë aq sa mundemi”, theksoi kryeministri serb, duke shtuar se serbët duke ruajtur vatrat e tyre, e ruajnë Kosovën dhe tregojnë se sa e duan Serbinë.

Ndryshe, pas tubimit në Graçanicë, Vuçiqi është takuar me peshkopin Teodosije dhe më pas ka vizituar Manastirin e Graçanicës, ku është takuar me kryetarët e komunave me shumicë serbe, si dhe me politikanët tjerë serb të Kosovës.

Ndryshe, Vizita e Vuçiqit në Kosovë është aprovuar nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të cilët e kanë cilësuar këtë vizitë të natyrës “humanitare dhe fetare”. (rel)

Kryesimi i OSBE-së nga Serbia, pa ndikim për Kosovën

Me organizimin e konferencës së parë të Këshillit të Përhershëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Vjenë, nga e enjtja, Serbia edhe zyrtarisht pritet të marrë në drejtim kryesimin e kësaj organizate.Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, pritet të shpalosë edhe prioritetet e punës gjatë fazës një vjeçare të udhëheqjes së OSBE-së.

Lufta kundër terrorizmit, menaxhimi i ujërave dhe të drejtat e njeriut, pritet të jenë çështjet prioritare të punës për vitin 2015.

Mirëpo, në analiza të ndryshme, parashihet se OSBE do të ballafaqohet me politika e debate të ashpra edhe në lidhje me konfliktin në Ukrainë dhe rolin e Rusisë.

Sa i përket Kosovës, kryesimi i OSBE-së nga ana e Serbisë, në Qeverinë e Kosovës e shohin pa efekte. OSBE ka një mision në Kosovë i cili punon për më gjatë se 15 vjet.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Petrit Selimi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk e ka edhe ashtu tash për tash në plan të aplikojë për anëtarësim në këtë organizatë, pasi që aty mund të jenë vende si Serbia apo Rusia që do të përdornin të drejtën e vetos.

Sipas tij, kryesimi i Serbisë, nuk ka ndonjë efekt sa i përket Kosovës.

“Presidenca e Serbisë as nuk e ndihmon e as nuk e ‘”ç’ndihmon” Kosovën në procesin e interaksionit në OSBE. OSBE-ja ka një mision të madh këtu në Kosovë dhe ne kemi projekte, punë direkte tash e 15 vjet me ta, e ndoshta edhe më gjatë. Kështu që në këtë fazë kryesimi i Serbisë paraqet një fakt jo relevant për diplomacinë e Kosovës”, ka theksuar Selimi.

Për shkak të rrethanave politike që tash për tash i pamundësojnë Kosovës të bëhet anëtare e OSBE-së, synimet e saj janë orientuar kryesisht kah Këshilli i Evropës dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Zëvendësministri Selimi i shpjegon arsyet pse në këtë fazë, është më e rëndësishme që diplomacia e Kosovës të përqendrohet në prioritete tjera.

“Prioritet sa i përket botës multilaterale është aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, nënshkrimi i MSA-së si një hap formal në Bashkimin Evropian si dhe fillimi i punës në udhërrëfyesin për partneritet për paqe, që është po ashtu hapi i parë formal drejt anëtarësimit në NATO. Siç e dini, NATO ka mision këtu në Kosovë, por ne nuk jemi të përfaqësuar në Bruksel”, ka deklaruar Selimi.

Sidoqoftë, Serbia, merr kryesimin e OSBE-së nga 15 janari, pas kryesimit paraprak një vjeçar nga ana e Zvicrës.

Sipas analistëve, sfida kryesore për këtë vend do të jetë menaxhimi i raporteve të përkeqësuarandërmjet vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Rusisë në lidhje me konfliktin në Ukrainë.

Florian Bieber, ekspert për çështje politike në Evropën Juglindore nga Universiteti i Gracit i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian mund t’i rrisë presionet mbi Beogradin, marrë parasysh se Serbia është edhe në raporte integruese për në BE.

Përderisa nga Rusia, ai parasheh se nuk ka se çka t’i ofroj tani Serbisë, pas dështimit të shtrirjes së gazit rus përmes Serbisë në projektin e njohur si “Rrjedha e Jugut”.

“Nuk e di se çka Rusia mund t’i ofrojë Serbisë, përveç disa investimeve, por të cilat ta zëmë mund t’i bënte edhe Dubai apo Kina. Kështu që nuk shoh se Rusia ka këtu në dorë ndonjë kartë me të cilën do të luante dhe jam i sigurt që Bashkimi Evropian tani nuk pret diçka të pamundshme nga Serbia, pos që të jetë më e qartë sa i përket politikës së saj përafruese kah Brukseli”, ka deklaruar Bieber.

Përderisa Serbia pritet që në rolin e kryesueses së OSBE-së të ballafaqohet me prezantimin e balanceve politike mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë, misionet tjera, përfshirë edhe atë në Kosovë, duket se nuk do të pësojnë ndonjë ndryshim dhe do të vazhdojnë me punën dhe dinamikën e njëjtë. (rel)

Kadare nderohet me çmimin prestigjoz të Jeruzalemit

Shkrimtarit të shquar Ismail Kadare do t’i jepet Çmimi i Jeruzalemit për Lirinë e Individit në Shoqëri, njofton shtypi izraelit. Ky çmim letrar u jepet çdo dy vjet shkrimtarëve që trajtojnë në veprat e tyre temat e lirisë njerëzore në shoqëri.Në të kaluarën, fitues të tij kanë qenë shkrimtarë që më vonë janë nderuar me Nobelin e letërsisë, si Bertrand Russell, Octavio Paz, V. S. Naipaul, John Maxwell Coetzee (Koc-zi) dhe Mario Vargas Llosa. Çmimi do t’i jepet Kadaresë më 8 shkurt nga kryebashkiaku i Jeruzalemit, Nir Barkat në hapje të panairit ndërkombëtar të librit. Në ceremoni do të jetë i pranishëm edhe Presidenti izraelit, Reuven Rivlin.

Në motivacionin e jurisë thuhet mes të tjerash se “ndonëse Kadareja trajton tema dhe personazhe nga vendi i tij, kuptimi dhe rëndësia e tyre janë padyshim universale.” Çmimi i Jeruzalemit shoqërohet me një shumë simbolike prej 10 mijë dollarësh.

Disa nga librat e Kadaresë, duke përfshirë Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur, janë botuar edhe në hebraisht. (voa)

Serbia zyrtarisht në krye të OSBE-së

Serbia, nga sot zyrtarisht merr përsipër kryesimin njëvjeçar të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.SHBA kërkon më shumë përfshirje të Kosovës në institucionet e OSBE-sëNë konferencën e sotme të Këshillit të Përhershëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Vjenë, Serbia edhe zyrtarisht merr përsipër kryesimin një vjeçar të kësaj organizate.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka deklaruar se Serbia do të bëjë përpjekje që të jetë kryesuese serioze, e cila gëzon besimin e të gjitha palëve, si dhe do të ndërmarrë hapa për shtendosjen e konflikteve.

Lufta kundër terrorizmit, menaxhimi i ujërave dhe të drejtat e njeriut, pritet të jenë çështjet parësore të punës së kësaj organizate gjatë vitit 2015.

Por, analistët thonë se Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë do të përballet me debate të ashpra e sfida edhe në lidhje me konfliktin në Ukrainë dhe rolin e Rusisë në situatën e atjeshme.

Ndonëse nuk është anëtare e kësaj organizate. Kosova ka një prani të vazhdueshme të OSBE-së që nga përfundimi i luftës.

Ajo nuk pret ndonjë ndryshim të madh në qasjen e OSBE-së gjatë kryesimit të saj nga Serbia, pavarësisht deklarimeve të disa politikanëve serbë se edhe kjo pozitë do të shfrytëzohet për të penguar avancimin e shtetësisë së Kosovës.

Në konferencën e sotme në Vjenë, ambasadori amerikan në OSBE, Daniel Baer, tha se Kosova duhet të përfshihet në debatet e kësaj organizate.

“Në Këshillin e përhershëm të OSBE-së, nuk duhet vetëm të debatohet për Kosovën por edhe me Kosovën. Kosova është pjesë e Evropës dhe duhet të luaj rol të rëndësishëm në institucionet që janë të përkushtuara ndaj paqes dhe përparimit në kontinent”, tha ambasadori Baer.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në përpjekje për të përshpejtuar integrimet evropiane. (voa)

Nuk ka alternativë tjetër përveç një islami europian

Që nga sulmet e Parisit diskutohet në lidhje me afinitetin e mundshëm të islamit me dhunën. Kjo lë në harresë suksesin e natyralizimit të islamit në këtë vend, mendon Loay Mudhoon.Është e kuptueshme se sulmet e pabesa në Paris shtrojnë pyetje të vjetra, themelore: a është feja islame në thelb një fe, që përbuz njeriun dhe e dhunshme? E mund të nxirret nga shkrimet qendrore të kësaj feje botërore një formulë legjitimimi për orgjitë e dhunës të xhihadistëve të shfrenuar? Dhe akoma më e rëndësishme: a ka dështuar integrimi i myslimanëve në Gjermani?
Sigurisht që pyetjet janë të justifikuara. Megjithatë ato anashkalojnë thelbin e problematikës, çështjen e përputhshmërisë së fesë islame me arritjet e modernizmit dhe vlerat e shoqërive liberal-demokratike.
Që nuk ka një „Islam” statik, të pandryshueshëm, duhet të jetë e njohur. As myslimanët nuk krijojnë një bllok monolit – askund në botë.

Në çdo vend, ku sundon feja islame, propagandohet dhe praktikohet faktikisht një tjetër islamizëm. Botë i ndajnë Arabinë Saudite me rregulla të rrepta vahabiste nga islamizmi shtetëror shiit, që sundon në Iranin e sotëm. Dhe në shumë vende islame me ekonomi të suksesshme si Malajzia dhe Turqia ka kohë që është krijuar një qendër pragmatike-konservatore islame.
Kjo e vërtetë specifike për islamin bën të qartë: Myslimanët në fund të fundit vendosin vetë, se çfarë përkufizojnë ata si „islamike”, në pavarësi të plotë se ku dhe kur jetojnë. Islami sunit shumicë nuk është i konceptuar në mënyrë hierarkike dhe nuk njeh një autoritet përfundimtar si papa në kishën katolike. Dhe kjo nga çon pashmangshmërisht në pyetjen themelore, që duhet të shtrojmë pas sulmit në Paris: Çfarë islami dëshirojmë të kemi në fakt në Europë?
Suksese në natyralizimin e islamit
Për shkak të debatit të zhvilluar në mënyrë emocionale dhe kontroverse ne kemi rrezik të lemë në harresë sukseset e shënuara vitet e fundit. Sepse me konstituimin e Konferencës Islame gjermane (DIK) në vitin 2005 dhe me nisjen e procesit të natyralizimit të islamit në rendin tonë të lirë demokratik ka ndodhur një ndryshim epokal në kuptimin e shtetit gjerman.
Me gjithë pengesat dhe debatet ky proces i dialogut të hapur ndërmjet shtetit dhe myslimanëve të tij ka ndryshuar rrënjësisht ndërgjegjësimin reciprok dhe vizibilitetin e islamit në vend. Edhe nëse “Islami” përdoret nga forcat populiste si një sferë e projektimit të frikërave dhe gjithnjë e më shpesh keqpërdoret, sukseset e politikës aktive të integrimit nuk mund të mohohen.
Ndërkohë ne kemi bërë përparime me futjen e mësimit të fesë islame në shkollat shtetërore në nivel vendi. Edhe krijimi relativisht i suksesshëm i katedrave të teologjisë islame në universitetet e këtushme është shumë premtues dhe do të japë me siguri një kontribut të rëndësishëm, që në Gjermani dhe Europë të zhvillohet një islam i vërtetë europian, në pajtim me demokracinë, duke nxjerrë jashtë mode interpretimet e “importuara” të islamit.
Meqenëse feja islame ka qenë gjithmonë një fëmijë i epokës së vet dhe teologjia islamike është një produkt i pushtetit politik, shteti dhe shoqëria duhet të bëjnë gjithçka, që europianizimi i islamit të shpejtohet. Që nuk ka tjetër alternativë, e treguan sulmet e tmerrshme terroriste në Francë në mënyrë brutale. (dw)

Qendra Informative Shqiptare "Liria"