Qeveria prezanton projektbuxhetin. Rama: I hap rrugë rritjes ekonomike

Kryeministri Edi Rama i paraqiti Parlamentit buxhetin e vitit 2015. Në fjalimin, që zgjati për më shumë se një orë, kreu i Qeverisë nënvizoi që në fillim se thelbi i draftit është mbështetja e rritjes ekonomike pa masa shtrënguese.
Eshtë një buxhet me disa standarde të mirëpërcaktuara dhe me disa zgjidhje realiste për një situatë, ku potencialet janë padyshim të mjaftueshme për të arritur objektivin tonë minimal të një rritje ekonomike përtej 4 për qindëshit në fund të vitit të katërt të këtij mandati, tha Rama.

“Kemi frenuar rënien ekonomike, kemi frenuar gropën e madhe ekonomike që gjetëm në shtator 2013 dhe po konsolidojmë rritjen ekonomike me instrumentat buxhetorë”, saktësoi më pas ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Duke shprehur keqardhjen për mungesën e opozitës në Parlament, teksa diskutohen dy nga ligjet më të rëndësishme të vitit, si buxheti dhe paketa fiskale, zoti Rama i është përgjigjur akuzave të saj në distancë për rritjen e taksave.

“Ky është një buxhet që vjen si rezultat i reflektimit të një pakete të re fiskale, që ul ose zeron 15 taksa, ndërkohë që rrit vetëm 3. Eshtë një Paketë Fiskale, që në kushtet e vendit tonë, na jep mundësi që të stimulojmë prodhimin që të stimulojmë përpunimin në vend”, tha Rama.

Zoti Rama listoi të gjitha taksat që lehtësohen për vitin e ardhshëm dhe efektet pozitive që ato do të kenë në ekonomi. Ndërsa ka shpjeguar arsyet për tre taksat që rriten, duke u ndalur tek ajo e naftës.

“Kjo nuk është një dëshirë e Qeverisë për të rënduar mbi ata të cilët përdorin makina, por ky është një kontribut i atyre të cilët përdorin makina, për të patur një vend më të mirë. Të gjitha ato investime që lidhen me rritjen e sigurisë në rrugë, që lidhen me rritjen e përmasës së gjelbër në akset e vendit tonë, janë të lidhura drejtpërdrejt me këtë kontribut minimal të gjithësecilit”, tha Rama.

Buxheti i vitit 2014 i rrit me rreth 49 miliardë lekë të ardhurat totale krahasuar me këtë vit, nga të cilat 16 miliardë vijnë nga rritja e taksave dhe pjesa tjetër nga rritja e ekonomisë dhe mirëadministrimi. Buxheti ul me 48 për qind deficitin buxhetor krahasuar me 2014, çka sipas Qeverisë bën të mundur që vitin tjetër borxhi publik të ulet pas disa vitesh rritje.

/ Top Channel

Rama: Keqardhje! Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike për foton e Enver Hoxhës së shfaqur në aktivitetet për 70-vjetorin e çlirimit të Tiranës, të përkujtuar ditën e hënë. Rama u është kundërpërgjigjur “me keqardhje” akuzave në rrjetet sociale, ku shkruan: “Keqardhje për të paftuarit që futen si diversantë nëpër turmat e aktiviteteve përkujtimore të çlirimit, për të ngritur fotografitë e Enver Hoxhës. Keqardhje për të fandaksurit që kapen pas fotografive të Enver Hoxhës, për të bërë luftë politike me ne. Të dyja palët janë e shkuara e këtij vendi i cili s’ka kohë për të humbur me marrëzitë e tyre! Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët”.

Më herët, nëpërmjet kreut të grupit parlamentar, Edi Paloka opozita akuzoi udhëheqësit e mazhorancës, Rama dhe Meta për përdhosje të luftës dhe rehabilitim të figurës së Enver Hoxhës.

“Me fotot e Enverit pas shpatullave, me korin e Enverit në sfond, Rama dhe Meta, gjetën mënyrën më të turpshme për të baltosur 70 vjetorin e clirimit të Tiranës. Duke përkujtuar këtë ditë të shënuar, me dikatorin Hoxha, Rama dhe Meta, kanë fyer kujtimin e dhjetra intelektualëve, heronjtë e vërtetë të luftës, të cilët u vranë dhe u lincuan drejtpërdrejt nga dora e Enverit”, tha Paloka.

/ Top Channel

Kujtohet 70-vjetori i Çlirimit të Tiranës. Veteranët me portretet e Enver Hoxhës

Autoritet më të larta në vend Kryetari parlamentit Meta, Kryeministri Rama dhe disa ministra kremtuan 70-vjetorin e Çlirimit të Tiranës. Së bashku me shumë qytarë tiranas të mbledhur tek monumenti “Ushtarit të Panjohur”, ata përkujtuan luftën e mijëra kryeqytetasve për çlirimin e qytetit të tyre, duke vendosur kurora me lule.

Sadi Vorpsi, prefekt i qarkut të Tiranës tha se “të gjthë brezat duhet të përkulen me nder në kujtim të atyre që dhanë jetën gjatë Luftës Nacional Çlirimtare”.

“70 vite më parë, në Tiranë agoi një ditë e re, e lirë nga pushtuesi i huaj. Shtëpitë përdhese të këtij qyteti u bënë fole e ëndrrave, shpresave, idealeve të lartësuara, planeve dhe strehimit të gjithë atyre njerëzve që i dolën për zot kombit në ato ditë të errëta të historisë. Bujaria e njohur e tiranasve i hapi dyert për të gjithë ata që kaluan në ilegalitet. Rinia tiranase e dëgjoi thirrjen e atdheut të saj që lëngonte për liri dhe nuk hezitoi për asnjë moment të bashkohej me idealet e larta kombëtare”, tha Vorpsi.

Pjesëmarrës në këtë 70-vjetor të Tiranës ishin edhe veteranët e luftës, disa prej tyre jo shumë larg Kryeministrit Edi Rama mbanin në duar pankarta me portretin e komandantit të Luftës Nacional-Çlirimtare, Enver Hoxha. Kryeministri Rama u shqetësua nga prania e pankartave të tilla dhe i kërkoi një prej asistenteve të protokollit largimin e tyre. Më pas oficerë të Gardës kanë ndërhyrë për largimin e personave që mbanin portretet e Enver Hoxhës.

Kjo ngjarje është komentuar edhe nga ambasada amerikane në Tiranë, nëpërmjet dy postimeve në Twitter, ku ambasadori Arvizu citohet të thotë se fatkeqësisht fotot e diktatorit Enver Hoxha e njollosën ceremoninë e sotme në Varrezat e Dëshmorëve. Kjo sipas kryediplomatit amerikan ishte një fyerje për shqiptarët.
/ Top Channel

Buxheti 2015, Presidenti ankesa për fondet: Ulen me 3.4 %, nuk mbulohen shpenzimet

Presidenti Bujar Nishani i ka dërguar sot një letër Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, kreut të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, kreut të grupit parlamentar të PD-se, Edi Paloka si dhe kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili për Projekt Buxhetin e vitit 2015. Në këtë letër Nishani shpreh keqardhje që nuk është ftuar në komisione për të dëgjuar kërkesat specifike që i janë paraqitur Ministrisë së Financave gjatë fazës së hartimit të projektbuxhetit 2015. Gjithashtu ai rendit edhe disa problematika ku ndër më kryesoret është ulja e buxhetit për Presidencën.

LETRA E PLOTË

Lënda: Mbi Projekt Buxhetin e vitit 2015

Drejtuar: Sh.T.Z. ILIR META
KRYETAR
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

Z. GRAMOZ RUÇI
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste (PS)

Z. EDI PALOKA
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokrattike (PD)

Z.PETRIT VASILI
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI)

TIRANË

I nderuar Zoti Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar kryetarë të grupeve parlamentare të PS, PD dhe LSI,

Në kuadër të diskutimeve për miratimin e Projekt Buxhetit për vitin 2015, paraqitur nga Këshilli i Ministrave për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë, fillimisht shpreh keqardhjen që Institucioni i Presidentit të Republikës nuk u ftua në seancë dëgjimore nga Komisionet e përhershme për t’u dëgjuar mbi kërkesat specifike që i janë paraqitur Ministrisë së Financave gjatë fazës së hartimit të projektbuxhetit 2015.

Në pamundësi për t’u dëgjuar, edhe pse zyrtarisht kemi kërkuar të dëgjohemi nga Komisioni i cili mbulon veprimtarinë e institucioneve të pavarura, jam i detyruar t’ju paraqes disa problematika që implikojnë veprimtarinë e Institucionit të Presidentit të Republikës përgjatë vitit 2015, ndërkohë që projektbuxheti i vitit 2015 po diskutohet në seancë plenare.

Për vitin 2014, Institucionit të Presidentit të Republikës, megjithëse me ulje te theksuar krahasuar me dhjetë vitet e fundit, iu akorduan 183.2 milion lekë në total, ndërkohë që për vitin 2015 janë parashikuar 177 milion lekë, me një diferencë negative prej rreth 3.4 % më pak. Po kështu për zërin shpenzime të tjera operative në buxhetin e vitit 2015 është parashikuar ulje e këtij zëri me 8.5% më pak.
Vë në vëmendjen tuaj se përgjatë vitit 2014 janë kryer dhe shpenzime të paparashikuara, siç ishte rasti i vizitës së Papa Franceskut në vendin tonë, ku kemi kërkuar në Ministrinë e Financës fonde shtesë për shpenzime të kryera dhe të faturuara, për të cilat jemi akoma në pritje.

Siç jeni në dijeni, për vetë natyrën specifike të Institucionit, për përmbushjen e funksioneve kushtetuese të Presidentit të Republikës si në veprimtarinë brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, dalin vazhdimisht aktivitete shumë të rëndësishme për t’u kryer.
Kështu, në kuadër të Presidencës Shqiptare të SEECP, në përmbyllje të Presidencës, në mes të vitit 2015, do të organizohet Samiti i Kryetarëve të Shteteve të këtij organizmi ku roli i Institucionit të Presidentit të Republikës në këtë organizim është primar, por që buxheti i planifikuar nuk e mundëson organizimin serioz shtetëror.

Gjithashtu, viti 2015 përkon me 25 vjetorin e rënies së komunizmit në vendin tonë, ku Institucioni i Presidentit të Republikës ka të parashikuar organizimin e ceremonive me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara ndërkombëtare dhe buxheti i alokuar për këtë vit nuk e bën të mundur realizimin e të tilla aktiviteteve.

Duke shpresuar në pranimin e shqetësimeve të sipërpërmendura, dhe reflektimin përkatës, kërkojmë të vendoset buxheti i Institucionit të Presidentit të Republikës në parametrat e funksionimit normal të këtij Institucioni dhe të përmbushjes së misionit kushtetues të Kreut të Shtetit Shqiptar.

(a.n/BalkanWeb)

Majko: Të falen kamatëvonesat, Rama: Asnjë tolerim, energjia paguhet, pikë!

Debat në sallën e Kuvendit me kryeministrit Edi Rama e deputetit Pandeli Majko për kamatëvonesat e energjisë elektrike. Deputeti i Tiranës, Pandeli Majko ka thënë se ato duhen falur, pasi PS-në e largojnë nga forcat e majta nuk e bëjnë më njerëzore. “Ne sot do të votojmë faljen e kamatvonesave për pensionet në fshat e ç’na gjen të flasim këtu dhe për ata që janë me mbrojtje sociale. Nuk besoj se kjo na shmang nga ndonjë faturë e kripur, përkundrazi na bën më njerëzorë. Po nuk ditëm të flasim me njerëzit, nuk jemi të majtë. Të falen kamatëvonesat për energjinë”, tha Majko.

Duke ju përgjigjur deklaratave të deputetit Pandeli Majko, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të falet asnjë kamatë-vonesë dhe nuk do falet askush që nuk paguan energjinë.

“E vërteta është që ne kemi 20 vjet që tërhiqemi zvarrë duke bërë një faj tradicional që ne këtu sot nuk duhet t’ia lejojmë vetes, fajin e mbajtjes së pushtetit në kurriz të shtetit. E kemi shtyrë të ardhmen për shumë vite duke folur në emër të asaj, por duke qenë peng të së sotmes…Ne nuk do të falim asnjë kamatvonesë të energjisë dhe nuk do të falim asnjë mospagesë të energjisë. Dhe për ata që thonë që nuk paguajmë dot energjinë i them që pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar paguajnë më shumë energjinë elektrike”, ka thënë kryeministri Rama.

Ai u shpreh se kjo e majtë është zgjedhur për të vendosur barazinë përpara ligjit. “Nëse kjo shoqëri do paguante 100% energjinë, do kishim një Shqipëri më të mirë. Ne na kanë zgjedhur për të vendosur barazinë para ligjit dhe para të drejtës. Ne nuk do heqim dorë nga mbledhja e parave të energjisë”, ka thënë Rama.

Rama tha më tej se pagesa e energjisë është diçka e dobishme duke u shkëputur nga ndarjet e djathtë e majtë. Ai shtoi edhe njëherë se pagesa e energjisë sot është një mision historik dhe se nuk ka asnjë kompromis për këtë çështje.

“Sfida jonë është që me këto para të mbështesin suksesin jo parazitizmin. Nëse kur vjen puna tek personat me aftësi të kufizuar jemi të detyruar të përulemi të tjerët i konsdierojmë pa aftësi të kufizuara. Gjithçka që tha Pandi e falënderoj që më dha mundësinë ta shtjelloj këtë çështje. Sikur ne, kjo qeveri të arrijë në 4 vjet vetëm kaq, që Shqipëria të mos vjedhë më veten duke vjedhur energji, besomëni kemi bërë një mision historik. Vetëm kaq, asgjë tjetër. Në këtë betejë nuk bëjmë asnjë lëshim. Energjia paguhet dhe nuk vidhet, pikë”.

Kryeministri foli edhe për rimbursimin e naftës për fermerët, për të cilën tha se mbështetja nuk do bëhet nëpërmjet subvencionimit të korruptuar. “Ne nuk do ta rimbursojmë naftën pa faturë. Ne jemi votuar që çdo qindarkë ta çojmë në funksion të shtetit e shoqërisë. Ka marrë fund historia e subvencionit të korruptuar. E merrnin naftën për traktorët dhe e përdornin për Benzat. Ne nuk mund të mendojmë me të majtën që mendon me zemër, por pa mend. Ne duam që të mbështesim fermerët. Kush bashkohet merr më shumë mbështetje nga ne. Ne nuk jemi këtu për tu kujdesur për të mbajtur status-quon, por për të thyer status-quon. Kjo është arsyeja që unë besoj se kemi arritur të vendosemi në një pozicion jo komod por shumë të qëndrueshëm. Do të legalizojmë shtëpitë në zonat informale, dhe ata që nuk kanë alternativë do tu gjejmë alternativë”, ka thënë kryeministri Rama.

Majko: Shumë taksa për të larë “gjylen” e lënë nga paraardhësit
Deputeti i PS-së Pandeli Majko duke u ndalur tek rritja e akcizës së duhanit, tha se ajo nuk i shërben shëndoshjes së familjes shqiptare, ashtu siç deklaruan me humor deputetët e majtë, por se kjo rritje bëhet për të paguar borxhet e lëna nga qeverisja e mëparshme.

“Nuk mendoj se shqiptarëve do tu shëndoshet familja duke lënë duhanin. Nuk është duhani shkak për prishjen e familjeve, do rendisja një sërë shkaqesh për prishjen e familjeve. Një shkak janë pijet alkoolike, por ju zoti Beqaj nuk na keni sjellë ndonjë taksë për pijet alkoolike. Prishja e familjeve lidhet edhe me ekzistencën e pikave të basteve e lojërave të fatit. Me këtë buxhet nuk shikoj ndonjë taksë për lojërat e fatit. Kemi të bëjmë me një buxhet të kontraktuar, për shkak të “gjyles” që kanë lënë paraardhësit tanë.

Majko tha se këtë vit nga buxheti i taksapaguesve janë paguar 260 mln dollarë nga borxhet ndërsa deri në fund të vitit do paguhen të tjera dhe shuma do arrijë në 350 mln dollarë. “Ndërkohë që qeverisim ne paguajmë për rrugët e bëra në 2006, në 2009 etj”, tha deputeti i PS-së Pandeli Majko. Më tej ai ka kërkuar faljen e kamatëvonesave për energjinë elektrike. “Po nuk ditëm të flasim me njerëzit, nuk jemi të majtë. Të falen kamatë-vonesat për energjinë”, ka kërkuar deputeti i PS-së.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Ndërron jetë këngëtari ‘Doktor Flori’, shkak i vdekjes dyshohet ataku kardiak

Ndërron jetë Dr Flori, kantautori dhe këngëtari i njohur shqiptar. Florand Kondi 35 vjec, i njohur me emrin artistik, “Dr Flori’ dyshohet se ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrale. Keshtu pohojne burime nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza në Tiranë’.Mësohet se Dr Flori ka mbërritur në spital pa shenja jete.

Burime nga Urgjenca bëjnë me dije se këngëtari mbërriti rreth orës 09:20 minuta të paradites së sotme pa shenja jete në trup.
Gjithsesi pritet që mjekësia ligjore të nxjerrë zyrtarisht shkaqet e vdekjes, por dyshimet më të forta janë dhe per nje atak kardiak zemre. Trupi u dërgua morgun e QSUT ku pritet të kryhet një autopsi e plotë, dhe pas kësaj të bëhet zyrtare shkaku i vdekjes.

Mësohet se për ngjarjen është lajmëruar edhe Policia, e cila ka nisur të hetojë mbi shkaqet që kanë çuar në vdekjen e këngëtarit të mirënjohur për publikun shqiptar. Dr. Flori para disa vitesh i këndoi Tiranës dhe fatkeqësisht ndërroi jetë ditën e çlirimit të Kryeqytetit.

Shoku i tij,kantautori Ermal Mamaqi njofton se varrimi i Doktor Florit do bëhet nesër në orën 11:00. “Për ti dhënë lamtumirën e fundit Florit, nisja për në varrezat e Sharrës bëhet nesër dt.18 ne orën 11:00 nga shtepia e tij, pranë shkollës “Emin Duraku'”- njofton Mamaqi.

Kush ishte Dr. Flori
Ish-anëtari i grupit “West Side Family’, baba i dy femijeve u bë i njohur me këngën “O cike cike”, me pas ajo me titullin, ‘Tirona’ që u performua krah kryetarit të atëhershëm të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Dr Flori është dhe kompozitor por autori i shumë këngëve. Në Festivalin e 51-të të këngës ai prezantua me këngën “Jam ti”. Muzika: Dr.Flori ft. Fabi, Orkestroi: Dr.Flori ft. Fabi, Teksti: Dr.Flori ft. Fabi.

Dr. Flori ishte një ndër tre anëtarët e rep grupit shqiptar të njohur me emrin West Side Family. Rolandi, Miri dhe Flori, dikur shokë në një klase, më pas anëtarë të një prej grupeve më të njohura muzikore të Shqipërisë. Ata nuk mund të rrinin një moment pa ngacmuar njëri-tjetrin.
Pas suksesit të madh me këngën hit “Mesazh’, shikohen në skenën e festivalit të “Këngëve të stinës”, por tashmë jo për të kënduar, por për të prezantuar.

Ndërsa kënga më së shumti që bëri jehonë ishte “Tirona”, në të cilën ishte pjesëmarrës edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, tani kryeministër i Shqipërisë.

Teksti i këngës i shkruar nga 34-vjeçari, “Zjarr e Ftohtë”, i kënduar nga këngëtari, Luiz Ejlli, fitoi në “Festivali i Këngës 44″ dhe më vonë përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovision Song Contest 2006″.

Ja disa nga hitet e Dr.Florit:

2010 – Origjinale (feat. Aurela Gaçe & Marsel)
2011 – Ca po menon (feat. Anila Jonuzi)
2011 – Ca na ke
2011 – S’ma ndjen
2011 – Bota nuk është bardhë e zi
2011 – Personale
2012 – Pasion (feat. Fatima Ymeri)
2012 – Tune tune (feat. Fatima Ymeri)
2012 – Ka kalle (feat. Noga)
2012 – Ku ka si Tirona (feat. Ermal Mamaqi)
2012 – Jam ti! (feat. Fabi)
2013 – Zemërthyer (feat. Tiri)
(Ballkanweb)

Gjermania e shqetësuar me ndikimin rus në Serbi

Një intervistë e Vladimir Putinit për televizionin ARD ka shkaktuar reagime të shumta në Gjermani. Kancelarja Merkel paralajmëron për shtimin e influencës ruse në disa vende – ndër to edhe në Serbi.Të gjithë pjesëmarrësit e samitit në Brisbane e kanë shfrytëzuar shansin që t’ia thonë mendimin e tyre presidentit të Rusisë Vladimir Putin. Ndërsa në fillim të kësaj jave sërish në rend janë ministriat e jashtëm të BE, të cilët do të vendosin për hapat e tjerë, që duhen ndërmarrë ndaj Rusisë. Fati që edhe shefi i Kremlinit kishte një qëndrim refuzues ndaj të gjithë liderëve perëndimorë në Australi, nuk e lehtëson fare punën e ministrave. Kancelarja Angela Merkel, për të cilën thuhet se ka ndoshta raportet më të mira me Putinin, u largua nga një takim disaorësh me presidentin rus pa asnjë koment. Por ajo komentoi më vonë deklaratat e tij të bëra në një intervistë për televizionin e parë gjermanë ARD. Putin justifikoi në këtë intervistë ndërhyrjen në Krime, me shpjegimin se këtë e ka kërkuar populli i atjeshëm.

Frika nga influenca e madhe në Serbi
Ishte kjo hera e parë që Putin shumë hapur foli për anektimin e kësaj pjese të Ukrainës. Por edhe për gjendjen në lindje të Ukrainës, me fjalët se atje duhet vendosur një lloj federalizmi dhe duhet evituar ndërhyrja e njësive ukrainase. Putin sërish e ka krahasuar gjendjen në Krime dhe në Ukrainë me atë në Kosovë. Qarqet perëndimore kanë frikë se Putin dhe Rusia nuk do të ndalojnë vetëm me ndërhyrjen në Ukrainë. Ka dhe vende të tjera, ku ai po përpiqet të shtojë influencën. Kancelarja Merkel në një fjalim të mbajtur në Australi ka tërhequr vërejtjen për ndikimin e Rusisë në vende të caktuara evropiane dhe sidomos në Serbi, Moldavi dhe Gjeorgji.
“Do të duhej që vetëm ky fakt të na bindë, se sa e rëndësishme është politika e përbashkët evropiane”, ka thënë Merkel. Ngjashëm me fjalët e kancelares janë shprehur edhe disa 35 gjermane, të cilat paralajmërojnë se Putini po ndjekë një strategji të qartë ndaj Ballkanit perëndimor. Sipas revistës Der Spiegel Rusia është koncentruar maksimalisht që të rrisë “ndikimin strategjik në Ballkanin Perëndimor”. Në artikullin me titull “Ndikimi i Rusisë në Serbi” thuhet se “objektivi i Putinit është që përmes një bashkëpunimi të ngushtë ushtarak mes Moskës dhe Beogradit të arrihet që Serbia të qëndrojë sa më larg integrimit në Bashkimin Evropian”. Ndërkohë që Rusia po përpiqet ta lidhë Serbinë për vete edhe përmes bashkëpunimit ekonomik dhe gazit. Gazetat në Serbi shkruajnë se e njejta strategji po zbatohet edhe në Bosnje-Hercegovinë, sidomos në pjesën e banuar me serbë, në Republika Srpska.
Qeveria gjermane dhe vendet perëndimore ende nuk kanë gjetur një përgjigje konkrete ndaj sfidave më të reja, por në Beograd po qëndron edhe zëvendëskancelari gjerman dhe ministri i Ekonomisë, Sigmar Gabriel, i cili do të bëj të qartë se perspektiva e Serbisë është afrimi dhe bashkëpunimi i ngushtë me BE-në.

Obligimet e ministrave të jashtëm

Ndërkohë minsitrat e jashtëm në Bruksel duhet të trajtojnë mundësitë për masat ndaj Moskës. Por për momentin përjashtohet ashpërsimi i sanksioneve. Kjo temë nuk është në rend dite, tha ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier: “Por do të trajtohet gjendja në lindje të Ukrainës dhe do të shqyrtohet mundësia e izolimit të mëtejmë të liderëve të seperatistëve atje”.
Po pse Perëndimi po reagon kaq butë ndaj zhvendosjes së anijeve luftarake të Rusisë në afërsi të bregdetit australian, apo fluturimeve të avionëve rusë përgjatë kufirit të vendeve të NATO-s? Vendet perëndimore ende nuk kanë rënë dakord për forcimin e sanksioneve kundër Rusisë. Diplomatët në Bruksel mendojnë se Perëndimi duhet të shfrytëzojë të gjitha mjetet diplomatike, para se të merren masat e tjera ndëshkuese.
Efektet e dobëta të sanksioneve
Sanksionet deri tani nuk kanë dhënë rezultatet e dëshiruara. Por diplomatët thonë se edhe në Moskë ka zëra të ndryshëm, të cilët mendojnë se sansksionet në shtigje afatgjata do të japin rezultate.
Disa mendojnë se Rusia që tani po paguan një çmim të lartë. Ndërsa vetë Putini thotë se sanksionet do të godasin njëjtë si Rusinë, ashtu edhe vendet perëndimore.
Giles Merrit nga “Institut Security and Defence Agenda”, mendon se sanksionet kanë filluar të japin rezultatet e para. Por Kremlini ende nuk është i shqetësuar shumë për këtë punë. Ai po përpiqet të mobilizojë njerëzit pas vete me fjalët se sanksionet nuk do të japin rezultatet e pritura dhe se ato janë të padrejta. Putin tha se Rusia po shënon rritje ekonomike edhe nën sanksione dhe se kjo rritje në dy vitet e ardhshme do të jetë edhe më e lartë.

Evropës i duhet më shumë unitet
Ekologjistja Rebecca Harms, anëtare e Komisionit për Ukrainën në PE, thotë: “Duhen rishikuar të gjitha masat për gjetjen e një zgjidhje jo ushtarake”, sepse prej fillimit “ka qenë e qartë se sanksionet do të veprojnë ngadalë”. Megjithatë efektet e para janë prezenete. Rubla ruse ka shënuar një rënie prej 40% prej fillimit të sanksioneve. Kjo ka të bëjë edhe me uljen e eksportit të gazit, sepse Rusia varet kryesisht prej këtij eksporti. Evropianët duhet të bëjnë të qartë dy gjëra, mendon politikanja ekologjiste. Së pari, se sanksionet do të vazhdojnë dhe se të gjithë i mbështesin ato. Dhe së dyti, vendet e BE nuk duhet të bëjnë asnjë biznes të madh me Rusinë. (dw)

Gjyqi i drejtuesve të shërbimit sekret jugosllav

Sot në Munih, në një proces gjyqësor ndaj dy ish drejtuesve të zbulimit jugosllav, pritet të jepen dëshmi të rëndësishme. Zyrtarët e lartë të shërbimit sekret në ish Jugosllavinë komuniste, kroatët Josip Perkoviç dhe Zdravko Mustaç, akuzohen për planifikimin e vrasjes së desidentit kroat Stepjan Durekoviç, i cili u gjend i vrarë në një garazh në një qytet gjerman në vitin 1983. Prokurorët thonë se vrasja e zotit Durekoviç u urdhërua nga një udhëheqës i lartë në ish Jugosllavi. Në pamje të parë, motivi i vrasjes duket të kanë qënë aktivitetet politike të desidentit kroat, por sipas akt-akuzës, urdhëruesi i vrasjes, synonte të parandalonte publikimin e aktiviteteve të paligjshme të djalit të tij në kompaninë shtetërore të naftës INA, thuhet në akt-akuzë. Para se të largohej drejt Perëndimit, zoti Durekoviç drejtonte kompaninë INA.

Agenti, pronar i garazhit ku u krye vrasja, i cili kishte arritur të fitonte besimin e zoti Durekoviç, është dënuar me burgim të përjetëshëm në Gjermani në vitin 2008. Në atë kohë, gjykata pohoi se 22 kroatë ishin vrarë në Gjermaninë Perëndimore me urdhër të udhëheqjes jugosllave.

Nëse gjenden fajtor, Perkoviç dhe Mustaç mund të përballen me burgim të përjetshëm. Që të dy nuk pranuan të komentonin të premten por më parë i kanë hedhur poshtë akuzat. Gjatë paraqitjes në gjykatë ata nuk treguan asnjë lloj emocioni.

Refuzimi paraprak i Kroacisë lidhur me kërkesen gjermane për ekstradimin e tyre shkaktoi një mosmarrëveshje diplomatike vitin e kaluar që kërcënoi të linte në hije anëtarësimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian. Pak para anëtarësimit në BE me 1 korrik 2013, përmes një veprimi që irritoi partnerët e bllokut, Zagrebi ndryshoi ligjet e veta për të parandaluar ekstradimin e të dyshuarve për krime të kryera para vitit 2002, kur edhe hynë në fuqi rregullat e reja të Bashkimit Evropian.

Qeveria tha në atë kohë se donte të mbronte veteranët e luftës kroate për pavarësi që mund të përballeshin me gjykime të mundëshme në vende të tjera të Bashkimit Evropian. Zagrebi tha se vendimi nuk kishte lidhje me rastin e ish shefave të sigurimit.

I dyshuari Perkoviç ndihmoi në krijimin e agjencisë kroate të zbulimit pas shkëputjes nga Jugosllavia në vitin 1991.

Kroacia i ndryshoi ligjet e ekstradimit në muajin gusht pas paralajmërimeve nga Bashkimi Evropian për veprime ligjore dhe mundësinë e humbjes së fondeve evropiane për zhvillimin. (dw)

Serbia mes Lindjes dhe Perëndimit

Serbia dëshiron të hyjë në BE pa e zemëruar Rusinë. Nga vizita e ministrit gjerman të Ekonomisë, Sigmar Gabriel, Beogradi shpreson mirëkuptim për këtë strategji të dyfishtë dhe investime të reja.Shumë politikanë ndërkombëtarë shkojnë këto ditë në kryeqytetin serb, Beograd. Në fillim të tetorit atje ishte presidenti rus Vladimir Putin, pasuan kryeministri francez Manuel Valls, kryeministrat e Malit të Zi dhe Rumanisë, si dhe princi trashëgimtar i Norvegjisë. Pastaj shkoi kryeministri shqiptar, Edi Rama, në kryeqytetin serb – një takim historik, sepse ishte vizita e parë e një kryeministri të Shqipërisë prej gati shtatëdhjetë vjetësh. Tani të dielën (16.11) shkon dhe ministri gjerman i Ekonomisë dhe Zëvendëskancelari, Sigmar Gabriel, i shoqëruar nga një delegacion i madh biznesi.
Gama e vizitorëve reflekton politikën ambivalente të jashtme serbe. Nga njëra anë Beogradi dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me Moskën dhe t’u tregojë zgjedhësve të vet se sa e rëndësishme është Serbia në skenën ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë vendi dëshiron të prezantohet edhe si nxënës model i BE dhe si fqinj i mirë në Ballkan -në atë rajon, që konsiderohet si “fuçi baruti e Europës”.
Në këtë kontekst udhëtimi i Gabrielit në Beograd është më shumë se një vizitë pune e një ministri perëndimor të ekonomisë. Në Serbi sundon bindja se negociatat e pranimit të vendit në BE mund të fillojnë vetëm, kur Berlini të japë dritën e gjelbër. Po të ishte për dëshirën e Beogradit bisedimet mund të fillonin që në dhjetor.

Një rrugë e mesme e vështirë
Përpjekja për të mbetur neutrale në konfliktin midis Lindjes dhe Perëndimit është opsioni i vetëm i arsyeshëm për politikanët serbë, mendon gazetari dhe eksperti i Ballkanit Andrej Ivanji. Në të kaluarën miliardat rusë kanë shpëtuar Serbinë shpesh nga falimentimi. Kështu monopolisti shtetëror serb i naftës NIS iu shit për pak para kompanisë Gazprom, 800 milion dollarë mori Serbia për të rehabilituar hekurudhat e shkatërruara dhe vazhdimisht Moska ka dhënë kredi të lira për Serbinë, vetëm për të mbushur vrimat në buxhetin e shtetit. “Në këtë moment askush nuk është në gjendje të zëvendësojë prezencën ekonomike të Rusisë”, thotë Ivanji.
Në të njëjtën kohë Serbia ka nevojë për bashkëpunimin ekonomik me Brukselin, si dhe për investime nga BE. “Pa mbështetjen si nga Brukseli ashtu edhe nga Moska vendi do të përmbysej ekonomikisht”, thotë me siguri Ivanji. Vlerësohet se papunësia aktualisht është rreth 26 për qind, më shumë se gjysma e të rinjve nuk kanë punë. Në vend ka më shumë pensionistë se të punësuar, paga mesatare është rreth 400 euro neto në muaj. Puna në të zezë dhe korrupsioni lulëzojnë.

Edhe politikisht qeveria në Beograd përpiqet të krijojë një balancë në mes të lindjes dhe perëndimit. Në rastin e aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Rusia kryeministri serb Aleksandar Vuçiç zgjodhi një rrugë të mesme: Serbia njeh sovranitetin e plotë të Ukrainës, por nuk do të bashkohet me sanksionet evropiane kundër Moskës. Ky pozicion është kritikuar nga disa politikanë evropianë. A lejohet një kandidat për anëtarësim në BE të bëjë një gjë të tillë? “Lejohet”, thotë i vendosur deputeti socialdemokrat gjerman, Dietmar Nietan. “Ne të gjithë e dimë situatën ekonomike në Serbi, si dhe marrëdhëniet e veçanta me Rusinë dhe kjo do të ishte hipokrizi, po ta masnim Serbinë nga mënyra se si vepron me Rusinë”, thotë Nietan për DW.
Nga perspektiva evropiane normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është shumë më i rëndësishëm. Ish-krahina jugore serbe shpalli pavarësinë e saj në mënyrë të njëanshme në vitin 2008, tani Kosova njihet si shtet nga më shumë se njëqind vende – por jo nga Serbia. Nën presionin e BE-së ka pasur disa bisedimeve mes udhëheqësve kryesorë të dy vendeve, ecjet përpara në pajtimin e dy vendeve janë bërë pikërisht nga armiqtë e dikurshëm. Së fundmi mes dy qeverive janë nënshkruar disa marrëveshjeve bilaterale.
Me pragmatizmin në çështjen e Kosovës Vuçiçi paraqitet në skenën ndërkombëtare si një politikan paqësor. Por vendin e tij ai e qeveris me autokraci. Ato pak 35 të pavarura e cilësojnë atë si pushtetar evropian të “putinizuar”, krahas Viktor Orbánit në Hungari, Rexhep Taip Erdoganit në Turqi, apo Viktor Pontës në Rumani. Ndër të tjera edhe ndaj gazetarëve kritikë në Serbi ushtrohet presion. “Shteti na tregon në këtë mënyrë, se nuk dëshiron hapësirë për kritikë shoqërore”, thotë Vukasin Obradovic, president i sindikatës më të madhe të gazetarëve të vendit NUNS. Synimi është që të trembin gazetarët”, thotë Obradovic në bisedë me DW.

Socialdemokrati gjerman Nietan pranon, se Vuçiç në Perëndim për momentin gëzon një lloj “bonusi për Kosovën”. “Kishte shqetësime të mëdha, nëse mund të kishte ngecje në marrëdhëniet me Kosovën me Vuçiçin. Tani ne kemi parë se Vuçiç bën pjesë te forcat konstruktive.” Megjithatë ky bonus nuk ekziston përgjithmonë dhe për të duhet të punohet, thotë Nietan – edhe në fushën e lirisë së shtypit, apo të sundimit të ligjit.

Gazetari serb Ivanji nuk është i bindur për këtë. Në Berlin apo Bruksel, thotë ai, Serbinë nuk e konsiderojnë të izoluar në vetvete, por si pjesë e rajonit. Aty Serbia luan një rol të rëndësishëm: Beogradi mund të qetësojë problemet në Kosovë, si dhe marrëdhëniet mes Bosnjës dhe Kroacisë. “Për sa kohë që Serbia luan rolin e faktorit të stabilitetit, çdo gjë tjetër do të jetë për evropianët më pak e rëndësishme – për shembull, nëse ekziston një opozitë, apo liria e 35s në Serbi”, thotë Ivanji. (dw)

Pas Beogradit…Edi Rama në “Top Story”

Kanë kaluar dy ditë, por vizita e Kryeministrit Rama në Beograd dhe në Preshevë vazhdon të dominojë me komente dhe analiza, por edhe me mendime të njerëzve të thjeshtë nëpër rrjetet sociale, jo thjesht për shkak se ajo ishte një vizitë historike ende pa nisur, për shkak se një Kryeministër i Shqipërisë shkelte Beogradin pas 68 vjetësh, por edhe për atë që ndodhi më pas në konferencën për shtyp me Kryeministrin Vuçiç, ku Rama i kërkoi Serbisë që të pranonte realitetin e Kosovës dhe se do të ishte më mirë që ta njihte atë sa më shpejt. Me reagimet për këtë deklaratë publiku është njohur tashmë, por për të folur më shumë rreth deklaratës dhe vizitës në tërësi, i ftuar në “Top Story” me gazetarin Sokol Balla këtë të enjte ishte vetë Kryeministri Edi Rama.

Intervista

Sokol Balla: Pas një turi dyditor në kënde më të humbura të Ballkanit, do të thoja unë, si ishte Presheva dhe Lugina, e kishit imagjinuar se do priteshit thuajse me cilësinë e heroit, si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë, ndërkohë që kjo ishte një vizitë e parafolur dhe e shumëpërfolur?

Edi Rama: Jam jashtëzakonisht i emocionuar ende nga pritja, jo vetëm në Preshevë, atë e prisja, por në rrugët e Kosovës, në Shqipëri dhe nga mbështetja e jashtëzakonshme e të gjithëve për një takim që kishte peshën e vet, por që ishte një domosdoshmëri historike në një moment të tillë të Ballkanit, kur për herë të parë po jetojmë në paqe dhe ku jemi të sfiduar që paqes t’i japim gjithë përmbatjen që lidhet me jetën e njerëzve kudo ku ata jetojnë.

Sokol Balla: Ne gazetarët që ju shoqëruam ju pamë goxha të tensionuar dhe të ngarkuar në fillim, kur hipët në avion dhe kur po mbërrinit në Beograd. E parashikuat një vizitë të vështirë, apo e dinit se çfarë reagimi do të ngjallte deklarata juaj?

Edi Rama: Nuk e di se si jam dukur, por ka qenë një natë pa gjumë sepse kemi bërë edhe përgatitjet e fundit deri në detaj dhe ishte një takim që kishte ngarkesën e vet që u bë edhe më e posaçme pas asaj shtyrjes së detyruar të takimit.

Sokol Balla: Në fakt nuk keni folur shumë për telefonatën që patët me Vuçiç, ku ratë dakort të mos binit dakort për shumë gjëra, por ratë dakort që vizita të shtyhej. Mund të na thoni diçka më tepër pasi ka patur shumë spekullime për këtë telefonatë?

Edi Rama: Unë nuk i përflas komunikimet që janë pjesë e punës dhe pjesë e kryerjes së detyrës në raport me homologë, vizitorë të huaj, miq dhe partnerë të Shqipërisë sepse besoj që kjo nuk është etike. Telefonata ka ardhur si rezultat i nevojës për të komunikuar pas një periudhe shumë të ngarkuar ku për fat të keq pala tjetër humbi çdo ekuilibër në adresimin e problematikës të ndeshjes së futbollit dhe sigurisht ka ardhur edhe si rezultat i përpjekjes për të mbajtur një angazhim të marrë kohë më parë, por edhe të lidhur pastaj me Konferencën e Berlinit, ku ky takim ishte i parashikuar dhe i përcaktuar më parë, u konsiderua si një nga elementët kyç në këtë periudhë të parë të procesit të ndërtimit të një paqeje që ja vlen të jetohet.

Sokol Balla: Pra kishte një farë presioni indirekt europian, BE-së apo Gjermanisë që kjo vizitë të bëhej me çdo kusht, apo jo?

Edi Rama: Mbi ne nuk ka patur asnjë presion. Qendrimi ynë ka qenë i qartë dhe i palëkundur dhe më vjen mirë që pas vizitës, edhe ata që ishin kundër vajtjes në Beograd kuptuan që mosvajtja do të ishte jo vetëm shprehje e një dobësie të panevojshme, por dhe një humbje e madhe e një rasti unikal për të çelur një faqe të re në historinë e dy vendeve dhe për të shkruar së bashku me serbët një kapitull të ri për Ballkanin.

Sokol Balla: Për kureshtje, është e vërtetë që ju patët kërkuar që vizita juaj në Beograd dhe ndeshja në një datë, dhe nëse do kishte ndodhur kështu, mendoni që rrjedha e ngjarjeve do kishte qenë ndryshe?

Edi Rama: Nuk është e vërtetë sepse kur do të zhvillohej ndeshja ne kishim prej kohësh një angazhim të marrë në Universitetin e Harvardit për të qenë të pranishëm për ciklin tonë të konsultimeve me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar në Harvard, që është edhe një trupë këshilluese e qeverisë sonë.

Sokol Balla: Si ndjeheni pas kësaj vizite, krahasuar me pritshmëritë që kishit?

Edi Rama: Ndjehem shumë mirë, por mbi të gjitha dua ta përsëris atë që u mundova të them pa shumë sukses në konferencën e shtypit, pas kthimit dhe nuk di se sa mund të jem në gjendje, por është e vështirë për të përshkruar ndjesinë e brendshme përballë gjithë këtij inkurajimi dhe mbështetjeje në të gjithë trojet e shqiptarëve dhe nga shqiptarët kudo ata jetojnë. E vetmja gjë që mund të them është se ju jam të gjithëve thellësisht mirënjohës dhe do bëj gjithcka është në forcat e mia dhe mundësitë që të jem në lartësinë e këtij privilegji që njerëzit në Shqipëri më kanë dhënë për të qenë Kryeministër i vendit tim. Është një privilegj i rrallë dhe nder që nuk i jepet kujtdo, por rasti i këtij takimi e ka bërë përmasën e këtij nderi brenda meje…e vetmja gjë që mund të them është që gjithcka kam unë do ta vë në dispozicion të këtij vendi dhe të njerëzve të këtij vendi.

Sokol Balla: Duket paradoksale sepse ndërkohë ju keni marrë kredite politike nga kjo vizitë, e cila politikisht ndoshta nuk ishte e suksesshme, pasi sic e tha edhe vetë Vucic Edi Rama humbi mundësinë për të normalizuar marrëdhëniet me ne.

Edi Rama: Kjo është cështje këndvështrimesh dhe pas asaj që ndodhi në konferencë, s’kemi pse të presim këndvështrime simetrike për takimin, por fakti që edhe pas konferencës ne vazhduam të komunikojmë dhe fakti që këmbënguljes sonë për t’i dhënë përmbajtje marrëveshjes për rininë, për të mos lënë një marrëveshje me terma të përgjithshme që refuzuam ta firmosim, solli si rezultat vazhdimin e përpjekjes dhe firmosjen e marrëveshjes, tregon që takimi ja ka vlejtur. Njohja e diplomave nga dy vendet është dicka që mund të tingëllojë pa shumë vlerë në veshët e shumëkujt nga prindërit dhe studentët e këtij vendi, këtu në Shqipëri, por pyesni prindërit dhe studentët në Preshevë që do t’u thonë se çfarë rëndësie të madhe ka ky fakt. Ashtu sikundër nesër, gjithmonë e më shumë me intensifikimin e marrëdhënieve, kjo do të jetë e vlefshme për studentët e të dyja anëve sepse me shpresë dhe me punë hapja e ekonomive dhe krijimi i një tregu më të madh do të sjellë një lëvizje shumë më të madhe të burimeve njerëzore dhe do të sjellë edhe një shkëmbim më intensiv të kapitalit njerëzor që do të bëjë që shumë njerëz nuk do të shohin më se çka qenë e shkuara, por pa ngurrim do të përpiqen që të vënë në jetë dijet e tyre, falë diplomave të njohura reciprokisht në vendet respektive.

Sokol Balla: Nuk iu referova marrëveshjeve, pasi sigurisht edhe ato janë të rëndësishme…

Edi Rama: Po ashtu marrëveshja tjetër që të realizojmë lëvizjen vetëm me karta identiteti është një arritje po të llogarisim faktin edhe se qysh prej 1978, janë shkruar, rishkruar, redaktuar, çuar e kthyer mbrapsht dhe kanë mbetur pa firmosur, 17 marrëveshje të cilat po t’i shohësh janë marrëveshje krejt normale mes vendeve, por që kanë qenë të pamunduar të firmosen deri më tani. Kështu që them që vizita ja ka vlejtur për shumë gjëra, por padyshim për të dyja palët ka qenë një moment i rëndësishëm dhe koha do të tregojë, dhe jo vonë, që sekuencat e mëpastajme do të sjellin vazhdimisht produkt.

Sokol Balla: Iu referova më shumë sa i përket faktit që jemi fqinj në sherr prej shekujsh…për një vijë ujë, apo për një copë tokë. Në këtë sens, kjo vizitë, pas asaj që ndodhi, a mund të quhet një fillim i ri pragmatist siç e quajti Vuçiç në konferencë para se ju të flisnit në fakt?

Edi Rama: Mos të harrojmë që armiqtë më të mëdhenj mes tyre në Europë kanë qenë francezët dhe gjermanët dhe luftërat e gjaku që kanë derdhur nga trupi i njëri-tjetrit është i pallogaritshëm, por ja ku jemi. Europa e bashkuar ka në themel miqësinë dhe partneritetin e ndërtuar mbi një të shkuar të përgjakshme mes Gjermanisë dhe Francës. Ka gjithmonë një kohë kur paqja është e mundur dhe mbi paqen të ndërtohet rruga e re e mirëqënies së njerëzve, ajo ka rëndësi parësore. Ne emër të saj bëhen edhe luftërat edhe paqja.

Sokol Balla: Megjithatë ka pasur zëra pak më të ftohtë që kanë ngritur pikëpyetje lidhur me kërkesën tuaj. Shumica e ka quajtur një dron të dytë, por u duk që deklarata solli befasi dhe zemratë tek Vuçiç, por ka patur zëra edhe në Shqipëri nëse ishte e nevojshme një deklaratë e tillë në këtë moment?

Edi Rama: Ata që pyesin a ishte e nevojshme do t’u thoja, parafytyroni vetëm që një Kryeministër i Shqipërisë shkon në Beograd pas 68 vjetësh dhe në konferencën e shtypit duke përmendur Kosovën, çfarë do thoshte?!

Sokol Balla: Ju i bëtë thirrje Serbisë për të njohur Kosovën, jo thjesht përmendet Kosovën

Edi Rama: Në këndvështrimin tim thirrja ndaj Serbisë është ndihmë për Serbinë, nuk është provokim. Sa më shpejt ta njohin aq më shpejt do të çlirohen nga një hije që i ndjek pas dhe që sic e patë ua merr frymën kur u del përpara. Besoj se edhe ata vetë janë të vetëdijshëm që ky është një proces i pakthyeshëm, por kapërcimi i vetvetes kërkon një kurajo që në rastin e tyre është e jashtëzakonshme dhe që ende nuk e kanë gjetur. Unë nuk u ndjeva i provokuar, por i keqardhur nga reagimi i Kryeministri serb dhe sic e thashë edhe aty, në rast se në Tiranë kryeministri serb do të thoshte që ne nuk e njohim Kosovën, sërish nuk do ndjehesha i provokuar, por i keqardhur. Por kjo nuk do më pengojë që të jem i mirësjellshëm dhe të bëj përpjekje që ta çojmë përpara këtë marrëdhënie me Serbinë sepse është në interes reciprok. Ka interes Shqipëria dhe ne që të çojmë përpara këto marrëdhënie pa harruar se cfarë na ndan, por të vetdijshëm se cfarë na bashkon në funksion të transformimit rrënjësor dhe kapërcimit përfundimtar të një periudhe izolimi dhe varfërie dhe prapambetjeje kronike në Ballkan dhe krijimit të kushteve për të qenë të njëzëshëm ndaj Europës që e ka të pamundur të mos jetë cinike kur na sheh si ballkanas që gjithë jetën kemi bërë luftra e sherre. Jemi ne që duhet ta ndryshojmë këtë për të qenë dinjitoz dhe për të kërkuar reciprocitet BE-së. BE s’mund të na trajtojë ne si një shtojcë e bezdisshme dhe s’mund ta shtyjë pafundësisht ditën kur duhet të na marrë edhe në brenda mureve të shtëpisë së vet sepse ne jemi Europë. Si të tillë duhet të sillemi dhe si të tillë duhet të veprojmë që të jemi të besueshëm.

Sokol Balla: Reagimet e para të fjalëve të Vuçiç në konferencën për shtyp, linin të kuptohej se ai ndjehej jo vetëm i provokuar, por edhe i fyer, gati-gati si i prerë në besë. A ishte Kosova pjesë e bisedës kokë më kokë për gati 1 orë që ju patët me të?

Edi Rama: Dikush ma bëri këtë pyetje dhe citoi kryeministrin serb të prerë në besë. Unë di që besa është një institucion shqiptar, nuk e di që e kanë edhe serbët. As kemi dhënë ndonjë besë, as mora besë kështu që nuk preva njeri në besë. Do ishte prerje në besë e shqiptarëve që unë në Beograd të mos bëja atë apel që bëra dhe është shumë e habitshme kjo pjesa që ata ndjehen të provokuar dhe po ta shikojmë është një institucion viktimologjie që serbët e kanë ngritur ndër vite. Kanë folur si të provokuar edhe kur bënin hatara, ndjehen të provokuar kur shikojnë një flamur, kur shikojnë një zog, kur shikojnë kryeministrin e një vendi tjetër që thotë atë që mendon. Unë besoj që koha e provokimeve ka mbaruar dhe këto sjellje i përkasin të shkuarës.

Sokol Balla: Pas konferencës ju vazhduat me një pjesë të delegacionit, hëngrët drekë bashkë. Na thoni diçka më shumë se më thanë që gjërat ishin qetësuar andej nga fundi?

Edi Rama: Nuk ka qenë e lehtë, por ka qenë prova që nuk është e pamundur që të diskutojmë në cështje konkrete edhe pasi ndodh ajo që ndodhi që për serbët u pa dhe u jetua si një hata e madhe, ndërsa për mua është absolutisht bërja e detyrës nga ana ime dhe thënia e një të vërtete që edhe kur dhemb bën mirë. E vërteta është një ilaci i hidhur, por shëron, gënjeshtra e ëmbël por të sëmur.

Sokol Balla: Politika është edhe arti i aktrimit publik. Kush aktroi më shumë atë ditë? Shikoja që qeshnit sa më shumë, Vuçiç nxehej dhe përmendte fjalën provokim.

Edi Rama: Ju siguroj që nuk kam patur asnjë sekondë në vëmendje se si jam dukur, por kam qenë i përqendruar për të bërë gjënë e duhur.

Sokol Balla: Ju kanë akuzuar disa përfaqësues të nivelit të dytë të opozitës se kjo ka qenë dicka e planifikuar, se ju keni rënë dakort për ta bërë këtë në publik. Për të thënë të vërtetën, nga pikëpamja e kapitalit politik nuk është se edhe zoti Vuçiç ka dalë i humbur nga kjo.

Edi Rama: Niveli i parë i opozitës dhe s’ke ku e kap, të diskutojmë tani edhe për nivelin e dytë të opozitës. Nivelin e parë s’ke ku e kap nga sasia e marrëzive për njësi kohe që thotë.

Sokol Balla: Atëherë vijmë tek reagimet e nivelit të parë, nëse do të quajme të tillë atë të Berishës që ka postuar vazhdimisht që nga momenti që avioni u nis për në Beograd dhe deri mbrëmë vonë pas mesnate. I keni lexuar? Ju kanë thënë reagimet e tij?

Edi Rama: Më bënë një pyetje në konferencë lidhur me flamurin sepse nuk e ndjek në Facebook, kështu që, mesa duket Facebook s’është instrument për mosha shumë të thyera.

Sokol Balla: Në fakt nuk kemi patur asnjë reagim të Bashës, ka patur reagime të tjera, por ka patur edhe një reagim të Patozit i cili ka vlerësuar vizitën tuaj dhe rezultatin e saj të paqortueshëm, por ka bërë thirrje që nuk duhet t’i kërkohet opozitës të duartrokasë në një rast të tillë.

Edi Rama: S’di t’i kem kërkuar opozitës të duartrokasë dhe nuk dua të hyj në këto komente sepse besoj që ky nuk është rasti për të përfshirë opozitën në bisedë në formën e shprehjes së pakënaqësisë ndaj saj. Përpiqem që opozita të shihet nga të gjithë ne në të drejtën e vet për të bërë punën e vet kur flet, pavarësisht se flet më shumë marrëzira se çdo të mund të pranoheshin, në këtë rast posaçërisht nuk kam dëshirë të komentoj. S’është aspak e bukur që të vetmet gazeta që hidhnin baltë mbi Kryeministrin e Shqipërisë për vizitën në Beograd dhe për atë që ndodhi atë ditë, ishin gazetat e Serbisë dhe gazeta e PD. Ka 1001 arsye për të kritikuar qeverinë, ka 1001 mundësi për të thënë gjithë të zezat për qeverinë, po jo kjo. Paraardhësi im e di shumë mirë që kur shkohet në një vend tjetër garda e vendit del për të të nderuar mikun qe vjen dhe garda është përfaqësia e parë ushtarake në protokoll dhe nuk del me flamurin e vendit tjetër, del me flamurin e vet. Të thuash tani që ky ishte poshtërim që iu bë Kryeministri shqiptar, si ta marrim këtë?! Unë nuk dua që të besoj dot që ai e thotë këtë sepse kështu dëshiron të jetë, unë them që nga mosha, lodhja, rrjedhja ka harruar që kjo është normë. Të gjithë do të plakemi dhe mos e dhëntë Zoti që të plakemi keq siç po i ndodh atij, por edhe mund të ndodhë. Mirë është që pleqt t’i shikojmë me respekt edhe kur bëjnë budallallëqe si në këtë rast.

Sokol Balla: Zakonisht një fjalim i tillë kthehet në fjalim historik, zakonisht konsultohet me Ministrin e Jashtëm, me analistë të sigurisë, me partnerë ndërkombëtarë. Kjo deklaratë e juaja për Kosovën dhe Preshevën, janë konsultuar me Ministrin e Jashtëm, për më tepër me partnerët tanë ndërkombëtarë?

Edi Rama: Ne kemi për cdo cështje të kompetencave të qeverisë një kulturë pune në skuadër dhe për vizitën është punuar në skuadër. Ministria e Jashtme ka mbajtur barrën kryesore të përgatitjes së vizitës, ashtu si dhe gjithë pjesët e tjera të lidhura me sigurinë dhe padyshim që nuk është se ishte një fjalë e improvizuar, por e menduar e konsultuar dhe e shkruar në cdo fjali me vetëdijen më të plotë. Me ndërkombëtarët nuk kemi patur pse të konsultohemi sepse nuk shkova aty si Sekretar i OKB-së, por si Kryeministër i Shqipërisë.

Sokol Balla: Folët për Kosovën, por është edhe dialogu Prishtinë-Beograd dhe marrëveshja që ata nënshkruan gjithcka është me mbështetjen e ndërkombëtarëve. Ne e dimë shumë mirë që kur vjen fjala për Kosovën ne nuk duhet të flasim pa folur me aleatë tanë historikë.

Edi Rama: Unë nuk e di këtë. Nuk e kuptoj pse duhet të flasim me të tjerët kur flasim për Kosovën. Di që ne kur flasim për Kosovën nuk flasim asgjë të ndryshme nga ajo që thonë Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Europian, ndërkohë që edhe dialogun unë e mbështeta fuqimisht dhe madje edhe me gjithë vlerësimin për udhëheqësit e dy vendeve për ta cuar përpara këtë dialog.

Sokol Balla: Ka patur reagime nga partnerët tanë ndërkombëtarë?

Edi Rama: Jo. Ka patur reagime që janë bërë publike që janë përshtypje e partnerëve tanë për vizitën.

Sokol Balla: Në largim nga Presheva dikush më tha që tani që ikën entuziazmi vjen koha e dhënies së llogarive. Në fakt shumë zyrtarë të qeverisë shqiptare ndodhen në Bruksel këto ditë, ndaj pyetja ime ishte nëse kjo vizitë ka sjell shqetësim duke patur parasysh që nga ana tjetër, nga pala serbe që do të ankoheshin lidhur me “sjelljen tuaj’, sic e quajti Nikoliç të papërgjegjshme.

Edi Rama: Jam krenar për këto ankesa. Ata u ankuan edhe për fluturakun që nuk kishte lidhje me ne, madje ma veshën mua person duke thënë që vëllai im e çoi atje. Besoj që janë sforco që janë pjesë e politikës së tyre dhe pjesë e një historie nga e cila shpresoj të shkëputen sa më shpejt.

Sokol Balla: Sheshel deklaroi se Nikolic dhe Vucic janë tradhëtar të Serbisë sepse bashkëpunojnë me Perëndimin. Mendoni që homologut tuaj i keni shkaktuar një dëm goxha të madh me këtë vizitë?

Edi Rama: Do merremi edhe me Sheshelin tani?! Unë besoj që jo vetëm për shkak të paqes, sepse ne jemi në këtë situatë dhe shpesh natyra njerëzore është e prirur që të harrojë cfarë ka kaluar, ky është viti i parë pa palë dhe pa konflikte mes palësh për kufijtë. Mos harrojmë që vijmë pas një marrëveshje paqeje të firmosur mes Serbisë dhe Kosovës që është akti i fundit i shkatërrimit përfundimtar të ish-Jugosllavisë dhe hapja e një sipari të ri. Pyetja është se cfarë do të bëjmë ne me këtë paqe? Unë besoj që është fat që një gjeneratë e re është në pushtet, edhe në Serbi. Sidoqoftë përtej të gjithave, fakti që kjo gjeneratë e re ka arritur të ulet në tryezë, të nënshkruajë një marrëveshje, të jetë në një dialog, të presë në Beograd Ministrin e Jashtëm të Kosovës dhe kështu me radhë, flet shumë. Para pak javësh Tadic ka folur për njohjen de facto të pavarësisë territoriale të Kosovës. Sigurisht që gjenerata e sheshelëve dhe nikolicëve është ajo që është dhe nuk presim që të jenë ndryshe.

Sokol Balla: Përmendet Tadic dhe ju patët një takim me të që nuk u bë publik…

Edi Rama: Pata një takim miqësor dhe folëm në përgjithësi për këtë tematikë. Qendrimi i tij lidhur me atë që ndodhi në ndeshje ka qenë shumë më i pranueshëm dhe më korrekt, plus largimi nga pushteti e bën shumë më të thjeshtë mënyrën se si shikohen gjëra.

Sokol Balla: Pse zgjodhët një profil që deri dje nuk ua besonte dhe nuk ua njihte askush? Çfarë ndodhi?

Edi Rama: Ndodhi që nuk më keni njohur mirë, jo se unë kam ndryshuar.

Sokol Balla: Ju vetë përmendët në një takim me shoqërinë civile serbe se në vitet ’90 dhe 2000 jeni cilësuar jo rrallë në Shqipëri dhe Kosovë si proserb, shpesh duke ju kujtuar edhe aktin e dhënies së çelësit të qytetit një këngëtari të njohur serb, i njohur edhe për mbështetjen që i dha luftës në Bosnje dhe mercenarëve serbë atje, Goran Bregovic. Këtë s’mund ta mohoni, e përmendet vetë.

Edi Rama: Nuk e mohoj. Besoj që një pjesë e madhe e paragjykimit lidhet me një paragjykim të vjetër të kuptueshëm sidomos në Kosovë për PS për shkak se ata kanë vuajtur tmerre nga ajo që quhej Partia Socialiste atje. Gjithmonë socialistët janë identifikuar me palën tjetër edhe për këtë shkak. Por e vërteta është që nëse ka një arsye themelore për të qenë krenarë për PS të Shqipërisë është se ka qenë konseguente gjithmonë në mbrojtjen e interesit kombëtar. Fakte, jo llafe. Dhe nëse ka dicka që të pengon të thuash të njëjtën gjë është mos konseguenca e PD-së, apo më saktë ndarja në momente dramatike e fjalës nga vepra. Makineria e luftës e Sllobodan Milloshevic është furnizuar me naftë kontrabandë nga Shqipëria.

Sokol Balla: Këtë e ka shpjeguar edhe Berisha, por ka shpjeguar edhe arsyen pse.

Edi Rama: E ka bërë për të mirën e popullit?! Refuzimi për të mbështetur firmosjen e Rambujesë bashkë me gjithë luftën propagandistike simetrike ndaj UÇK-së me atë të luftës propagandistike në Serbi ka ardhur nga pala tjetër. Është një paragjykim që është dashur shumë kohë të zbutet dhe zbehet për shkak të së shkuarës që me plot të drejtë shqiptarët e Kosovës e kanë patur me socialistët. Të mos harrojmë që partia e tmerreve atje quhej socialiste. Unë këtë e kam mirëkuptuar si të tillë. Por nga pikëpamja e koherencës në vijën e interesit kombëtar, me mbështetjen e Kosovës, me mbështetjen e UÇK-së, me mbështetjen e idealeve që çuan në lirinë dhe pavarësinë PS nuk ka pasur as shenjën më të vogël të lëkundjes ndër vite, shumë kohë përpara se unë të isha anëtar dhe kryetar i saj.

Sokol Balla: Kjo ha interpretim…

Edi Rama: Që të hajë interpretim duhet të më jepni një fakt të vetëm që të mund të dëshmojë të kundërtën.

Sokol Balla: Deklarata e Lisbonës e Fatos Nanos se Kosova duhet të jetë në një shtet me kryeqytet Beogradin, në takimin e Kryeministrit të asaj kohe, Nano me Sllobodan Millosheviç.

Edi Rama: Së pari në rast se i referohemi një deklarate duhet edhe konteksti i një kohe, kohë që janë të lashta në historinë që lëviz me një shpejtësi shumë të madhe. Një deklaratë e bërë në një kohë kur Kosova Republikës si shtet i pavarur ishte një opsion që nuk ishte një i hapur dhe i vendosur përballë palës tjetër as në Kosovë. Jemi në kushte të tjera. PS në histori, historia do të tregojë shumë gjëra që sot nuk janë të ditura. Ka qenë një mbështetje aktive e clirimit dhe e pavarësimit të Kosovës.

Sokol Balla: Në emër të koherencës, nëse do të ishit sot, do t’i jepnit çelsin e Tiranës Goran Bregoviç?

Edi Rama: Po.

Sokol Balla: Për çfarë arsye?

Edi Rama: Për të njëjtën arsye që e kam bërë që s’ka lidhje me ato që u thanë por me ato që ne jemi. Pse jemi sot më mirë se ç’kemi qenë ndonjëherë në këtë rajon ku historikisht jemi parë si qënie të dorës së dytë dhe thellë-thellë mospajtimi i të tjerëve, dhe posaçërisht i mikpritësve tanë lidhet me faktin që ju duket çudi që shqiptarët nuk janë më ata që kanë qenë dhe që akoma më keq janë parë sikur kanë qenë. Ne si komb, si popull, kemi arritur të jemi në lartësinë e disa vlerave dhe parimeve që na kanë sjellë këtu. S’kemi kërkuar asnjëherë atë që nuk na takon dhe kemi bërë dallimin mes nacionalizmit dhe patriotizmit. Nacionalisti është dikush që e do shumë vendin e vet, por që urren të tjerët. Patrioti është dikush që do vendin e vet, por do edhe të tjerët. Pra nuk e shikon lumturinë e vendit të vet në kurriz të të tjerëve apo mbi gjakun e të tjerëve. Kemi arritur të ndërtojmë një model që duhet të jemi krenar dhe duhet tja përsërim serbëve dhe kujtdo tjetër; modelin e trajtimit të minoriteteve. Nuk e ka këtë standard askush tjetër, sic e kemi ne. Si trajtohen grekët në Shqipëri edhe një komuniteti i vogël minoritarë maqedonas në Shqipëri dhe si trajtohen serbët në veriun e Kosovës harrojeni se mund të dalë dikush tjetër dhe të thotë se ne i trajtojmë kështu, të paktën në këtë pellgun tonë të nacionalizmave dhe të marrëzive të së shkuarës. Kjo është një arsye shumë e fortë që të kërkojmë të njëjtën gjë nga të tjerët. Është arsye e fortë që të themi që zuri vend provokimi me Kosovën, por të jemi të sigurtë që nëse nuk do kishte qenë Kosova, do kishit parë një reagim të njëllojtë për atë që thashë për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Janë shumë larg së qëni një pakicë brenda Serbisë që trajtohen sic trajtohen serbët në Kosovë dhe pse të mos e kërkojmë ne këtë për shqiptarët? Në fund të fundit me cfarë ushqehet nacionalizmit dhe luftrat? Ushqim kryesor kanë varfërinë dhe të ndjerit të trajtuar keq e më keq. Nëse serbët duan që të ketë një paqe që ja vlen të jetohet duhet ta garantojnë këtë për shqiptarët që kanë atje në Luginën e Preshevës që ta gëzojnë këtë paqe që ja vlen të jetohet. Duhet të bëjnë dhjetra kilometra për të lindur fëmijë, apo duhet të futen nëpër shkolla sikur futet e gjithë lagjja në një kotec sepse nuk është bërë përpjekje për t’i dhënë sinjalin që edhe këta e meritojnë. Vëmendja ndaj minoritetit duhet të jetë e posaçme.

Sokol Balla: Është e vërtetë që situata e tensionuar pas deklaratës për njohjen e Kosovës nga Serbia la disi në hije temën e trajtimit të Preshevës nga Serbia. Në fakt tek kjo pikë u mbështetët edhe nga Berisha, megjithatë fakti i trajtimit apo parimi i reciprocitetit mes veriut të Kosovës dhe Preshevës, mund të trajtohet si argument që ushqen një tezë të vjetër që serbët në fakt nuk është se nuk u pëlqen; ajo e shkëmbimit të territoreve. Në këtë aspekt dua të më bëni dallimin. Kjo është një tezë që është folur pak pas pavarësisë së Kosovës, që nëse ndahet veriu, atëherë edhe Lugina e Preshevës mund të ndjekë të njëjtën rrugë dhe Maqedonia Perëndimore etj etj.

Edi Rama: Shkëmbimi i territoreve është një vizion i tejkaluar i një bote të vjetër, që e sheh territorin si identifikimin me vetë kombin dhe që përjashton cdo kombësi tjetër. Kjo është marrëzi sepse Ballkani është kaq i ndërthurur dhe mozaik kompleks saqë t’i hysh kështu me territore s’dihet më se ku del. Një gjë është e sigurtë që nuk del në shekullin e 21, nuk del në Europën e bashkuar, por del shumë mbrapa në kohë. Sfida është si praninë e të tjerëve ne ta kthejmë në vlerë që na bashkon. Shqiptarët në Preshevë, nuk janë një problem, por një plus, nuk janë një e metë, por një vlerë. Janë një arsye shumë e fortë për shkuar në Serbi dhe për të folur me serbët. Nuk mundet dot të ndërtojmë një Ballkan të integruar në BE duke patur dy standarde, fjalë të tjera në Bruksel dhe vepra të tjera pas shpinës së Brukselit. Kjo është ajo që unë besoj. Cfarë mund të presësh nëse njerëzit janë në limitet e mbijetesës?!

Sokol Balla: Pra ju thoni që ka një braktisje të qëllimshme nga shteti serb ndaj kësaj pjese të territorit të saj?

Edi Rama: Mjafton të ecësh me makinë dhe të shohësh majtas-djathtas nga Beogradi atje dhe nuk ka nevojë as të pyesësh për të parë cfarë diference ka. Është koha për të ndryshuar paqe dhe unë këtë e kam folur drejtpërdrejt me kryeministrin Vuçiç dhe koha do të provojë se sa gjëra do të kthehen në realitet. Ka qenë shumë perceptiv në raport me nevojat e atyre njerëzve.

Sokol Balla: Këtë e pranoi edhe në konferencë për gabimet mbi nevojat e atyre njerëzve në arsim dhe shëndetësi. Gjithsesi, ju thatë që keni qenë i keqkuptuar, por pas kësaj vizite ju keni fituar një kapital që nuk e keni pasur në publik, atë të një personi që është i ndjeshëm ndaj çështjeve kombëtare…

Edi Rama: Unë këta të çështjeve kombëtare që nuk kanë gjë në dorë dhe që tundin flamurin sikur ju dhemb kombi, unë këta i konsideroj parazitë, as atdhetarë, as nacionalistë, as patriotë. Këta i konsideroj parazitë që duan të bëjnë biznes me kombin dhe kombëtaren. Nuk ka gjë më të thjeshtë. Cfarë e pengon një person që të marrë flamurin, ta tundë dhe të thotë unë e dua vendin tim më shumë se ç’e doni ju të tjerët?! Dashuria ndaj vendit tregohet me fjalë kur është vendi dhe me vepra në atë pjesë tënden që të takon. Dashuria për kombin tregohet duke paguajtur faturat e energjisë elektrike, duke paguar taksat, duke paguar të gjitha kontributet që të takojnë dhe duke mos u nxjerrë sytë të tjerëve por duke u thënë të tjerëve; ky është vendi im, ai është vendi jot, por t’i nuk mundet të pengosh të mirën time dhe përsa kohë t’i respekton të mirën time ne bashkë jemi në rregull.

Sokol Balla: Thatë që keni qenë i keqkuptuar në këtë drejtim, nuk keni frikë që të keqkuptoheni sërish nga një valë e madhe patriotizmi që ka shpërthyer ditët e fundit kur nesër pasnesër të bëni dicka që mund të dalë në drejtim të kundërt të kësaj? Ka disa që ju akuzojnë që po rrëshqisni në rrjedhën tradicionale të nacionalizmit ballkanik. Unë që ju njoh dhe të tjerë që ju njohin e dimë që ju nuk do e bëni këtë, por ndoshta me një veprim tjetër mund të tregoni të kundërtën. A keni frikë se mund të zhgënjeni shqiptarët?

Edi Rama: Nacionalizmi për mua është ferri që njerëzit ndërtojnë me duart e tyre duke menduar se po ndërtojnë parajesën e tyre përmes bërjes ferr të jetës së tjetrit. Patriotizmit është dicka krejt tjetër dhe nuk ka rrëshqitje tek patriotizmi. Pa të nuk ka atdhe, nuk ka komb nuk ka zhvillim.

Sokol Balla: Po ju përmend disa deklarata të vjetra dhe të reja, deri diku ka edhe analogji me paraardhësit tuaj, ju quajtët anti-shqiptarë apo qendrime anti-shqiptare të disa zyrtarëve europianë që nuk donin që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat. Të njëjtën gjë e bëri edhe Kryeministri i mëparshëm në samitin e sigurisë të Mynihut. Pardje në Preshevë deklaruat se Kryeministri shqiptar dhe çdo qeveri shqiptare kanë detyrim kushtetues të kujdesen për shqiptarët kudo që ata jetojnë…

Edi Rama: Është në Kushtetutën e Republikës së Shqipëriso kjo.

Sokol Balla: Këtë thoshte ama edhe Berisha kur mbronte tezën e dhënies së pasaportave për të gjithë bashkëkombasit shqiptarë, një tezë që ju e patët kundërshtuar.

Edi Rama: Ne jemi në një proces europianizimi dhe integrimi në BE dhe cështja e pasaportave, nëse duam që të bashkohemi me Europën, duhet të respektojmë edhe disa rregulla europiane. E kam thënë dhe e them kudo se është absurd dhe turp për Europën që shqiptarët e Kosovës, kur ishin nën diktatorë lëviznin lirisht, tani që janë shtet i pavarur dhe demokratik duhet të marrin viza ndërkohë që të gjithë të tjerët lëvizin lirisht. Ne duhet të luftojmë për këtë dhe kjo nuk bëhet duke u thënë hajdeni të gjithë ju merrni pasaportat tona. Këto janë gjëra që na bëjnë edhe qesharakë në sy të BE-së. Nëse është një politikë e dakortësuar, pastaj është diçka tjetër. Është detyrim kushtetues dhe Kushtetutën nuk e kemi bërë ne. Ka qenë aty dhe s’ka pse të ndodhte që unë jam i pari Kryeministër që shkoj vizitoj Preshevën. Ka qenë si zv.Kryeministër edhe Ilir Meta. Pra kur ka pasur vullnet për të shkuar, është gjetur rruga për të shkuar. Të tjerat pastaj për të bërë broçkulla duke provokuar gjithë Europën, është kollaj t’i thuash por vështirë ta mbajnë supet e këtij populli, këtij kombi. Provokon ata të cilët kurrë shqiptarët nuk do ishin sot këtu ku janë, aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE. Arsyeja që shqiptarët janë këtu është sepse besën e kanë dhënë me ta dhe atë besë ne nuk mund ta shkelim sepse shkelim mbi veten tonë. Për një moment të caktuar e çuam në fund fare mbështetjen e tyre dhe agravuam marrëdhëniet me gjithë botën demokratike duke folur për albanofobi botërore dhe duke akuzuar për albanofobi Komisionin Europian, se ato ishin për Komisionin Europian, jo për këta që e thonin vetë, nga këta euroskeptikët.

Sokol Balla: Pashë një moment që u përlotët në Preshevë. Nuk ju dija kaq sentimental në politikë?

Edi Rama: Nuk më dije kaq kështu, nuk më dije kaq ashtu…

Sokol Balla: Keni nxjerrë një profil në këtë vizitë që duhet thënë që nuk e keni patur më parë në publik

Edi Rama: Aty ishte një situatë që realisht unë nuk e kisha menduar që do kisha pasur ndonjëherë fatin ta jetoja dhe kam pas edhe raste të tjera që më kanë pritur e nderuar, por në atë situatë kur shikon ata njerëz që të japin atë respekt dhe të shprehin atë besim duke të dhënë titullin e qytetarit të nderit në atë vend, është një nder i rrallë dhe emocion shumë i rrallë. Edhe falë kontributit të gazetarëve dhe reputacionit që ka politika në përgjithësi, ku të gjithë ata që merren me politikë u duken njerëzve si profesionistë rrenash, që s’kanë as ndjenja, as ideale, as aspirata, por vetëm luajnë teatër nuk na ndihmon shumë dhe duket sikur s’kemi mundësi të kemi emocione. E vërteta është që gjithcka që shqiptarët kanë arritur, është arritur përmes politikës. Politika ka në dorë të bëjë të mira të mëdha për njerëzit, ashtu sic ka edhe fuqinë të shkatërrojë kur është e ndërtuar mbrapsht.

Sokol Balla: Pamë një prezencë të jashtëzakonshme sigurie tuajën personale dhe gjithë delegacionit. Realisht kishte shqetësim konkret real për një atentat të mundshëm?

Edi Rama: Nuk dua të flas me aspekte që janë marrë të tjerët. Ka patur n

Qendra Informative Shqiptare "Liria"