SHBA: Në lista, kandidatë me probleme

ambasada usaZgjedhjet vendore, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu “kemi identifikuar disa emra personash me histori të mundshme kriminale dhe jemi duke i diskutuar rastet e tyre me udhëheqësit politikë”. SHBA-të japin mbi gjysëm milioni dollarë për OJF-të vendase që do të vëzhgojnë zgjedhjet

Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu tha sot se në listat e kandidatëve për kryetarë bashkie të paraqitur nga partitë shqiptare disa prej tyre dyshohen për një të kaluar kriminale. Duke folur në një aktivitet ku u njoftua një ndihmë prej 500 mijë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara për procesin zgjedhor, ambasadori Lu, ndërsa nuk dha detaje të mëtejshme për kandidatët problematikë, u shpreh se për këto raste po diskutohet me udhëheqësit shqiptarë.

Ndërsa palët politike në Shqipëri po diskutojnë prej muajsh për të ashtuquajturin process të dekriminalizimit, dhe janë përfshirë ndërkohë në akuza të drejtpërdrejta për emra me të kaluar kriminale në listat e kandidatëve respektiv për zgjedhjet e 21 qershorit, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, heq cdo dyshim mbi këtë debat:  “Premtuam se do të shqyrtonim listat e kandidatëve për emra personash që kanë qenë të arrestuar apo të dënuar për krime të rënda qoftë në Shqipëri ose në vende të tjera. Në përgjithësi ndihemi mjaft mirë për listat, vecanërisht nga prania e një numri të madh kandidatesh gra të afta. Kemi identifikuar disa emra personash me histori të mundshme kriminale dhe jemi duke i diskutuar rastet e tyre me udhëheqësit politikë.”

Ambasadori Lu, nuk dha detaje të tjera rreth kandidatëve mbi të cilët rëndojnë dyshime dhe nuk saktësoi se kujt krahu politik ata i përkasin. Të dy partitë kryesore, ajo socialiste e kryeministrit Edi Rama dhe partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha, të cilat drejtojnë dy koalicione të mëdha, kanë përcaktuar tanimë pjesën dërrmuese të kandidatëve. Afati i fundit për regjistrimin e tyre është data 2 maj.

Ambasadori amerikan nxiti shoqërinë civile dhe qytetarët që t’i kërkojnë llogari politikanëve: “Nxisim gazetarët, OJQ-të dhe qytetarët e zakonshëm të kërkojnë që politikanët e tyre të përmbushin standartet më të larta etike. Të huajt nuk do t’i bëjnë këto zgjedhje të mira, por janë gratë dhe burrat e guximshëm të shoqërisë tuaj civile që do të sigurojnë që demokracia shqiptare të jetë e mbrojtur”.

Pikërisht për të forcuar rolin e shoqërisë civile, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të japin gjysëm milioni dollarë në mbështetje të OJF-ve vendase për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe ndërveprimin me votuesit, ndërsa një pjesë e fondeve do të shkojë si mbështetje teknike për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ndërkaq ambasada në Tiranë por dhe selitë diplomatike amerikane në vendet fqinje me Shqipërinë në rajon, do të angazhohen direkt ditën e zgjedhjeve. “Personeli shqiptar dhe amerikan i ambasadës së Shteteve të Bashkuara si dhe kolegë nga ambasadat e SHBA-së të tri vendeve fqinje do të udhëtojnë në të gjithë vendin për të vëzhguar zgjedhjet. Por ne jemi vetëm një pjesë e vogël e një përpjekjeje shumë më të madhe ndërkombëtare. Përmes BE-së, ODIHR-it dhe asamblesë parlamentare të OSBE-së ne presim një përpjekje të fortë vëzhgimi, përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve”, u shpreh ambasadori amerikan

Lidhur me deklarimet e tij për kandidatët me problem, zëvendëskryeministri Niko Peleshi tha se shumica do të shohë me seriozitet cdo sinjal: “Ka një process nga ana jonë për të verifikuar pastërinë, apo historinë e cdo kandidati. Dhe ne jemi, madje e kemi treguar dhe në zgjedhjet e kaluara, që kemi një shqetësim të vecantë për të patur kandidatë me integritet të lartë”.

Ndërkaq, për të shmangur pjesmarrjen e kandidatëve me të kaluar kriminale opozita ka propozuar ndryshime urgjente në kodin zgjedhor. Kjo cështje ishte sot pjesë edhe e debateve në komisionin parlamentar për dekriminalizimin, ku përfaqësuesit e shumicës premtuan se do t’i shqyrtojnë me shpejtësi propozimet e opozitës. (voa)

Kosova shënon Ditën e të Pagjeturve

te pagjeturitKuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë plenare kushtuar 27 Prillit, Ditës së Personave të Pagjetur të Luftës. Në seancë ishin ftuar edhe përfaqësues të familjarëve e shoqatave të personave të pagjetur, si dhe diplomatë të akredituar në Prishtinë.

Fillimisht, ka folur deputetja Lirie Kajtazi, kryetare e Komisioni për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, e cila ka thënë se moszbardhja e fatit të mbi 1 mijë e 600 personave, tregon për një krim të pandëshkuar të luftës së fundit.

Me fillimin e dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ajo tha se shumë familjarë kishin shpresuar se do të bëhej më shumë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Por, edhe sot e kësaj dite, vijoi Kajtazi, autoritetet serbe, megjithatë, nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim.

“Moszbardhja e fatit të pagjeturve bën që Kosova të mbetet dosje e madhe e krimit të pandëshkuar, e fajtori dihet. Ka adresë dhe ky është shteti i Serbisë, i cili jo vetëm që nuk kërkoi falje, e nuk shprehi as pas kaq shumë vitesh pak humanitet, por sot e kësaj dite nuk tregon së paku vendndodhjen e tyre. Me konventat ndërkombëtare krimet vazhdojnë deri në zbardhjen e tyre dhe jo vetëm të pagjeturit, por edhe familjarët e tyre vazhdojnë të viktimizohen tutje nga ankthi i pritjes”, ka thënë Kajtazi.

Në foltoren e Kuvendit është ftuar edhe përfaqësuesi i familjarëve të personave të pagjetur Bajram Qerkinaj.

Ai tha se personat që sot konsiderohen të pagjetur, u rrëmbyen dhe u morën të gjallë gjatë luftës së vitit 1999, dhe më pas askush nuk ofroi asnjë informacion për ta.

Që atëherë, Qerkinaj tha se familjarët dhe të afërmit e të pagjeturve jetojnë në ankth e vuajtje, por do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe zbardhjen e fatit të tyre.

“Ne vuajtëm shumë. Unë po flas në emër të familjarëve, edhe të 1.650 personave të pagjetur. Në emër të familjarëve që vazhdojnë të vuajnë, në emër të familjarëve që vazhdojnë të presin lajme për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre. Në emër të atyre familjarëve, për të cilët lufta ende nuk ka përfunduar dhe liria për ta nuk e ka kuptimin e plotë”, është shprehur Qerkinaj.

Në emër të familjarëve të personave të pagjetur, Qerkinaj, ndër tjera, ka kërkuar që të zbardhet fati i 1 mijë e 650 personave të pagjetur, të ndëshkohen përgjegjësit për këto krime si dhe që për fatin e të pagjeturve të diskutohet në Bruksel, në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Pas seancës, në kuadër të shënimit të Ditës së të Pagjeturve, është zbuluar edhe një përmendore dedikuar personave të pagjetur që nga lufta e vitit 1999 në Kosovë.

Aty, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafakanë kërkuar që përgjegjësit për zhdukjen e këtyre personave të ndëshkohen dhe u zotuan që për këtë temë të diskutohet edhe në Bruksel, në kuadër të dialogut me Beogradin.

Sipas shifrave zyrtare, janë mbi 1,600 persona nga Kosova, fati i të cilëve mbetet i pazgjidhur.

Së fundmi, Prokuroria për krime lufte e Serbisë, ka bërë hulumtimin e një varreze të mundshme në rrethinën e Novi Pazarit, në fshatin Kozarevë, në afërsi të lumit me të njëjtin emër.

Gërmimet vlerësuese kanë nisur në bazë të disa hetimeve, të cilat i kanë bërë zyrtarët e kësaj prokurorie.

Zyrtarët e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur në Kosovë, të cilët kanë qenë të ftuar nga autoritetet serbe që të vëzhgojnë gërmimet, kanë theksuar se punimet janë ndërprerë, për shkak se kanë rezultuar të pasuksesshme dhe vend-gërmimi nuk përputhej me informacionet që kishte pala e Kosovës lidhur me varrezën eventuale masive, ku dyshohet të jenë varrosur civilët shqiptarë, të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Megjihatë, ata thanë se tashmë ky proces i gërmimeve vlerësuese ka nisur në Kozarevë të Novi Pazarit, dhe ai do të duhej të vazhdojë edhe më tutje.

Fati i personave të pagjetur mbetet një nga plagët më të rënda të luftës së fundit. (rel)

Rreth 3200 viktima në zonën e katastrofës në Himalaje

NepalPas tërmetit shkatërrimtar në rajonin e Himalajës, numri i viktimave është në rritje. Veç kësaj, një goditje e fortë pasuese tërmeti goditi Nepalin dhe Indinë.

Sipas të dhënave të qendrës së SHBA për tërmet,et goditja pasuese ishte me një forcë 6,7 ballë. Qendra e goditjes ishte në Nepal, në jug të Kodarit, pranë kufirit me Kinën, në një thellësi prej rreth dhjetë kilometrash. Në kryeqytetin e Nepalit, Kathmandu njerëzit dolën në panik në rrugë. Në Mount Everest, në malin më të lartë të botës në Malësinë e Himalajës, ka vazhduar rënia e orteqeve. Në kryeqytetin e Indisë, New Delhi, shtëpitë u lëkundën.

Më shumë se 3000 të vdekur

Të shtunën(25.04), një tërmet i fuqishëm i shkallës 7,8 tronditi Nepalin dhe të gjithë rajonin e Himalajas duke shkaktuar shkatërrime të mëdha. Përmasat e plota të katastrofës ende nuk dihen. Numri i viktimave që humbasin jetën po rritet gjithnjë e më shumë. Sipas të dhënave më të fundit të autoriteteve, jetën e kanë humbur të paktën 23200 vetë. Në Kathmandu policia bëri të ditur se ndërkohë janë regjistruar 1953 të vdekur. Në Indi e humbën jetën të paktën 53 vetë. 17 vetë e humbën jetën në Tibet, bënë të ditur autoritetet kineze.

Në Nepal, për rajonet e tërmetit, në të cilat sipas të dhënave të OKB-së jetojnë 6,6 milionë vetë, u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Klinikat dhe morgjet janë të tejmbushura, konservat e gjakut dhe medikamentet po mbarohen, deklaruan Kombet e Bashkuara. Furnizimi me energji elektrike është ndërprerë në masën më të madhe.

Shumica e njerëzve në Kathmandu aktualisht jetojnë në qiell të hapur – edhe të plagosurit, që nuk kanë gjetur më vend në spitalet e stërmbushura. Mijëra vetë i kanë humbur shtëpitë ose kanë frikë të kthehen në godinat e rrezikuara për t’u rrëzuar. Vetë Presidenti Ram Baran Yadaf fjeti në një çadër, tha një zëdhënës i tij në radio.

Forcat e shpëtimit punojnë pjesërisht vetëm me duar, për t’i nxjerrë viktimat nga godinat e rrëzuara. Vargje të tëra godinash në rrugët e qytetit dhe në sheshe janë kthyer në gërmadha. Mungojnë mjetet profesionale, për të nxjerrë nga gërmadhat viktimat.

Në qytetin e populluar dendur me mbi 2,5 milionë banorë, tërmeti shkatërroi edhe tempuj dhe ndërtesa qindravjeçare. Gjendja në qytetet dhe fshatrat e largëta në Himalaje është e paqartë. Fshati Barmak, nën të cilin ndodhej epiqendra e tërmetit është shkatërruar thuajse tërësisht, tha një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme.

Ka nisur ndihma ndërkombëtare

Ndërkohë kanë nisur ndihmat ndërkombërtare për vendin e varfër aziatik. Inidia dërgoi disa avionë me ndihma si ushqime, ujë dhe aparatura komunikimi. Edhe nga Gjermania janë nisur ndihmës. Shoqatat ndërkombëtare të Caritasit kanë nisur tashmë punën në terren – dhe informojnë për probleme të mëdha. “Aksesi tek viktimat e tërmetit në shumë vende ende nuk është i mundur, sepse rrugët janë të mbyllura. Komunikimi është i vështirë, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike”, deklaroi drejtori i Caritas Nepal, Pius Perumana.

Thirrje për donacione nga organizatat e ndihmës

Në Gjermani organizatat e ndihmës kanë bërë thirrje për donacione. Care për shembull planifikon që të mbështesë në Nepal deri 75.000 vetë me strehime emergjence, ushqime, tableta për pastrimin e ujit dhe ndërtimin e WC-ve portative.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel e siguroi qeverinë nepaleze për mbështetje. Kancelarja i përcolli kryeministrit nepalez, Sushil Koirala ndjenjat e saj të solidaritetit, bëri të ditur zëvendëszëdhënësja qeveritare Christiane Wirtz në Berlin. Merkel është e tronditur për përmasat e katastrofës natyrore dhe për numrin e madh të viktimave. Qeveria gjermane është e gatshme që të ndihmojë me fuqitë e saj. Agjencia Federale e Ndihmës Teknike (THW) do të dërgojë një ekip në Nepal, i bëri të ditur një zëdhënës Deutsche Welle-s. (dw)

Shishtaveci dhe eksodi nga Shqipëria drejt Gjermanisë

ShishtavecEksod nga Shqipëria – Vetëm programet e zhvillimit për të dalë nga varfëria frenojnë eksodin me motive ekonomike

Ilir Cenaj e ka parkuar kamionin buzë rrugës dhe pret të kalojë pikën kufitare të Morinës, në Kukës. Automjete të vogla dhe kamionë hyjnë dhe dalin në të dyja anët e kësaj pike, mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ndonjë autobus me pasagjerë pret të hyjë nga Kosova. Ndodhem në Morinë, në një paradite të këtij fundprilli. Rritja, në këta katër muaj të parë të këtij vitit, e numrit të kuksianëve që largohen përmes kësaj pike drejt Gjermanisë, kërkesat e tyre për azil ekonomik dhe paralajmërimi këmbëngulës gjerman se nuk do të pranohen e kanë kthyer Morinën në çështje dite.

Dhe befasohesh me mënyrën pozitive kur atje gjen qetësi, rregull, qarkullim automjetesh të vogla, kamionësh dhe autobusë me pasagjerë që hyjnë nga Kosova. Hetimet që ka filluar qeveria e Tiranës ndaj kompanive abuzive të udhëtimit, ndëshkimi ligjor i atyre që mashtrojnë qytetarët me “azilin e garantuar ekonomik” në Gjermani, kontrolli më i rreptë i kufirit duket se kanë dhënë rezultatet e para. A tregon ky rregull dhe qetësi se ethja e kuksianëve ndaj Perëndimit është frenuar dhe fashitur? “Pres të marr pasaportat biometrike të djemve dhe të udhëtoj drejt Gjermanisë. Do të kërkoj atje azil, azil për arësye ekonomike. Që prej 25 vitesh punoj si kamionist, çoj e sjell mallra në të dyja anët e kufirit. Nuk kam orar, punoj 16 deri 18 orë në ditë dhe paga është shumë e vogël, jam vetë i gjashtë në familje, nuk ia dal dot”, thotë Iliri për DW.

Ai e ka të freskët apelin e ambasadorit gjerman në Tiranë, Helmut Hoffmann, që javën e kaluar ishte në pikën kufitare të Morinës bashkë me Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Iliri ishte mes atyre që e panë dhe dëgjuan ambasadorin. Apeli i tij se “në Gjermani nuk egziston e drejta e azilit ekonomik dhe askush të mos marrë rrugën në drejtim të Gjermanisë, pasi do të rikthehet në Shqipëri për t’ia nisur sërish nga e para” e bën Ilirin të mendohet, të ngurrojë.

“Po e dëgjova me veshët e mi këtë apel por .. se mos jam vetëm unë, gjithë kuksianët duan të ikin në Gjermani, komuna e Shishtavecit p.sh. është boshatis krejt, atje kanë mbetur vetëm pleqtë. Unë do ta provoj.. ndofta maji nuk më gjen më duke pritur kontrollin e dokumentave në Morinë”, thotë ai i menduar..

Eksodi i tanishëm – arësyet, realiteti dhe enigma

Shishtaveci, komuna më e madhe e Kukësit, është 1700 metra mbi nivelin e detit dhe 38 km larg qytetit të Kukësit. Një projekt i mbështetur financiarisht nga qeveria gjermane përmes Bankës KfW po bën të mundur përfundimin e rrugës nacionale automobilistike me dy korsi Kukës – Shishtavec. Makineri të rënda, punëtorë, beton dhe zhavor hasim në segmentet që janë në ndërtim e sipër. Kjo rrugë gjarpëron me kthesa të forta mes pyjeve të mështeknave dhe dushkut që kanë nxjerrë gjethet e reja të pranverës, përrenjve të rrëmbyer, lëndinave me bar të ri, pllajeve dhe maleve ende me dëborë. Ram Basha, ekonomist në komunën e Shishtavecit me 5.100 banorë thotë për DW se kjo bukuri e rrallë, deri më sot, nuk i ka mbajtur me bukë banorët e Shishtavecit. “Kemi emigruar gjithmonë, që në 1920-ën, në vendet fqinjë për të punuar dhe fituar jetesën. Kemi 8 muaj dimër, jemi 8 muaj të bllokuar nga bora. Kemi një ekonomi të dobët, jetesë të vështirë. Mbijetojmë me paratë që na dërgojnë emigrantët që kemi në Angli, ky pejzazh malor dhe kjo natyrë fort e bukur nuk na jep bukë, nuk na siguron jetesën”, thotë Ram Basha.

Shishtaveci ka pak tokë bujqësore. Mekanika nuk përdoret fare. Toka punohet me parmendë ose me krahë. Kultivohet patatja, e famshme në gjithë vendin për shijen e saj të mirë, por të ardhurat janë të pakta se prodhim i saj del nën kosto ose me një kosto më të lartë se patatja e importit. “Një kg. patate në Shishtavec shitet 20 cent. Tregje ose nuk ka, ose janë larg. Patatja vjen në Shqipëri nga Kosova, ku ka superprodhim për shkak të sipërfaqjeve të mëdha të tokës dhe përdorimit të mekanikës bujqësore. Taksat e importit të patates janë shumë të ulëta. Me prodhimet blegtorale sigurojmë vetëm nevojat e familjeve tona”, thotë Ram Basha.

Kukësi mbetet një ndër qarqet më te varfëra të Shqipërisë. Ka nivel të lartë papunësie, nuk ka një qendër shëndetësore dhe as telefoni fikse. “Në Shishtavec ka aktualisht 1370 familje, 400 prej tyre marrin nga Komuna asistencë sociale, prej 25 Eurosh në muaj. Janë familje me 6- 8 anëtarë, nuk kanë mjete jetese dhe jetojnë në varfëri ekstreme. Integrimi europian?! Krejt pa kuptim me këtë varfëri”, thotë Ram Basha për DW.

Prej varfërisë së skajshme banorët e Shishtavecit kërkojnë të shpëtojnë, të ikin drejt vendeve të BE, të kërkojnë azil ekonomik. Me të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet e hapësirës Shengen e kanë mundësinë të udhëtojnë drejt Gjermanisë enkas për të kërkuar azil ekonomik. Mes mbijetesës dhe abuzimit me rregullat e lëvizjes së lirë ata zgjedhin të parën.

“Që nga janari i këtij viti deri tani janë larguar rreth 250 vetë. Në shkollën tetëvjeçare të Shishtavecit ka pasur 400 nxënes, tani ka vetëm 70. Kemi pikën e kalimit kufitar në Shishtavec dhe shumica ikim që andej në Prizren dhe prej atje me autobuzë mbërrijnë në Gjermani. Por shkojmë edhe në Prishtinë dhe Shkup nga pika kufitare e Morinës dhe që andej në Gjermani. Mjafton të kenë 2000 euro në xhep për kontrollin në aeroportet gjermane”, thotë Ram Basha.

Përtej situatës së vështirë ekonomike ka edhe një faktor tjetër që ka nxitur në këta muaj eksodin masiv: përhapja e zërave që Gjermania pranon emigrantë për motive ekonomike. Kur e pyes Ram Bashën nga erdhën, si u përhapën këto zëra ai ngre supet. “Kjo është një enigmë, një mister, nuk di me ta tregue, për besë, nuk ka ndodh vetëm tek ne, por në krejt vendin”, thotë ai.

Këta zëra duket se kanë gjetur tokë pjellore për t’u besuar: sipas një raporti të Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, të publikuar në shtypin e Tiranës, në fund të marsit numri arriti në 3.020 nga 1648 që ishte në janar. Mijëra shqiptarëve të varfër u duhet të shesin gjithë sa kanë për të paguar kostot e larta financiare të ushëtimit drejt Gjermanisë për t’u rikthyer në Shqipëri pas disa muajve jetese në kushtet e vështira në kampet e azilantëve.

“Kam tri vajza dhe një djalë. Dy studiojnë në Universitetin e Tiranës, djalin e kam këtu në Shishtavec. Dua që fëmijët e mi të kenë një jetë më të mirë. Por nuk mund ta vë në rrezik familjen time, ta çoj drejt së panjohurës, ta bëj që të përballojë kushtet e vështira në kampet e azilantëve në Gjermani apo kudo tjetër”, thotë Ram Basha.

Nga eksodi tek zgjidhje të qëndrushme afatgjata

Në mënyrë të përsëritur anëtarë të qeverisë gjermane, të Bundestagut, politikanë të lartë dhe ambasadori gjerman në Tiranë, Hoffmann kanë theksuar që Gjermania nuk pranon azilantë ekonomikë. Në një intervistë ekskluzive, që Ministrii i Brendshëm, Thomas de Maizière i ka dhënë DW, gjatë vizitës vitin e kaluar në Tiranë, ai theksoi se: “Shtetasit shqiptarë nuk kanë asnjë shans për të marrë azil në Gjermani. Ata do të rikthehen dhe është e kotë të përpiqen të kërkojnë azil në Gjermani”.

Për ata që refuzojnë të rikthehen, pasi kërkesa për azil nuk u është miratuar, ka penalitete si ndalim për 5 vjet të së drejtës së lëvizjes së lirë në vendet e hapësirës Shengen. Si do të dalin nga rrethi i varfërisë banorët e Shishtavecit? Ram Basha, me lapsin e ekonomistit në kokë thotë se ka vetëm një rrugë: shfrytëzimi i burimeve natyrore, programe zhvillimi të mbështetura nga BE-ja, në mënyrë që të shmangen valë të reja të kërkesave për azil ekonomik. “Turizmi është prioriteti i parë në Shishtavec për hapjen e vendeve të reja të punës. Rruga nacionale automobilistike, që po ndërtohet, me mbështetjen e qeverisë gjermane do të jetë hapi i parë për zhvillimin e turizmit”, thotë Ram Basha.

Sfida e një turizmi që të gjenerojë vende pune që banorët e Shishtavecit të mos i mbajnë sytë nga eksodi është e madhe: mungojnë krejtësisht shërbimet dhe akomodimi për turistët, mungojnë kapacitetet për të menaxhuar turizmin malor si edhe kultura e shërbimit. Plani strategjik për zhvillimin e komunës së Shishtavecit ka hedhur piketat sesi mund të fitohet sfida: atje ku sot zhvillohen kampionatet lokale të skive është projektuar ndërtimi i një piste për ski dhe i teleferikëve, ngritja dhe funksionim i “Guest Houses” për turistë vendas dhe të huaj, i zyrës së informacionit, i guidave turistike, i treinimit të operatorëve vendas të turizmit etj. Nëse ky plan strategjik nuk mbetet në sirtaret e zyrave të komunës së Shishtavecit por vihet në jetë atëhere peisazhi dhe natyra do t’i japë punë dhe jetesë Shishtavecit. Dhe do të sjellë gradualisht fundin e aventurës së eksodit. (dw)

Observator i ri me rreze Gama

observatorShkencëtarët amerikanë dhe ata meksikanë kanë përfunduar ndërtimin e observatorit më të madh në botë me rreze gama, që është vendosur në malin Sierra Negra në Meksikën Qendrore. Detektorët e observatorit do të fillojnë së shpejti të zbulojnë fakte të panjohura për vrimat e zeza dhe supernovat, apo shpërthimet yjore.

Ngjarje kozmike ekstreme, siç janë shpërthimet e yjeve, pulsarët, apo vrimat e zeza, lëshojnë rrezatime elektromagnetike, të quajtura rreze gama, të cilat në rrethana të caktuara lëvizin më shpejt se sa shpejtësia e dritës.

Shkencëtarët thonë se rrezet janë aq të fuqishme, saqë disa prej tyre mund të zbulohen duke ardhur nga distanca deri në 10 miliardë vite drite larg.

Jordan Goodman është profesor fizike në Universitetin e Merilendit.

“Është drita me energjinë më të madhe, dhe na lejon të kuptojmë se nga ç’pjesë e universit vijnë pjesëzat me energjinë më të lartë. Ndaj  ky observator do të ofrojë një pamje të gjerë  të qiellit në momentet e energjisë më të lartë.”

Kur rrezet kozmike gama godasin elemente si uji, ato krijojnë një shkëlqim të butë në ngjyrë blu, që njihet si “radiacioni elektromagnetik Cherenkov”, ndriçim që vihet re tek bërthama e reaktorëve bërthamorë.

Treqind cisterna me ujë të mbyllura mirë në Observatorin eksperimentues Cherenkov po ashtu përmbajnë sensorë që zbulojnë dhe regjistrojnë radiacionin Cherenkov.

Duke matur këndin dhe intensitetin e goditjes së rrezeve gama mbi sensorët, shkencëtarët mund të llogarisin prejardhjen e tyre.

Zoti Goodman thotë se krahas me studimin e hapësirës së thellë, observatori i ri po ashtu mund të studjojë edhe diellin.

“Kjo është një teknikë e pazakontë, pasi ka edhe ide  se duhet të studjojmë rrezet gama që vijnë nga dielli, me një energji tepër të lartë. Për të pare diellin  përdorim pikërisht rrezet gama.”

Për këtë ekpserimetim, u zgjodh fundi i një vullkani të shuar në Meksikën qendrore, për shkak të kushteve të favorshme klimatike.

Pas dhjetë vietësh, observatori do të çmontohet dhe mjedisi përreth do të kthehet në kushtet e mëparshme. (voa)

Koment: Turqia bën autogola

erdoganMe kërcënimet ndaj Gjermanisë dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë për shkak të vlerësimit të tyre në masakrën e Armenisë, Turqia ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm, mendon Thomas Seibert.

Rrallë ka sulmuar në mënyrë retorike Turqia brenda një kohe kaq të shkurtër kaq shumë aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë. Papa mori pjesën e tij njësoj si Parlamenti i BE, pastaj e pati radhën Austria. Më pas u sulmuan në një seri deklaratash të publikuara me distancë thuajse minutash nga njëra-tjetra – Gjermania, Franca, Rusia dhe SHBA për shkak të pozicioneve të tyre në mosmarrëveshjen për vlerësimin e masakrës ndaj armenëve para njëqind vjetësh.

“Populli turk nuk do të harrojë dhe falë”

Në rastin e Gjermanisë, Ankaraja theksoi se populli turk nuk do t’i harrojë dhe nuk do t’i falë fjalët e Presidentit gjerman, Joachim Gauck për gjenocidin ndaj armenëve. Njëkohësisht, qeveria turke e paralajmëroi Bundestagun në Berlin që të mos miratojë një rezolutë të planifikuar, në të cilën gjithashtu bëhet fjalë për gjenocidin ndaj armenëve në vitet 1915 deri 1917.

Presidentët e SHBA, Rusisë dhe Francës, Barack Obama, Vladimir Putin dhe Francois Hollande e zemëruan Ankaranë, sepse edhe ata e kujtuan masakrën. Kjo në një kohë kur Obama, i kujdesshëm ndaj partnerit të rëndësishëm në NATO, nuk e përmendi fjalën gjenocid.

Pasojat të diskutueshme

Brenda pak orësh, Ankaraja sulmoi verbalisht në këtë mënyrë tre nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe me Gjermaninë edhe partnerin e saj më të rëndësishëm tregtar. Pak javë para zgjedhjeve parlamentare turke nm 7 qershor, tek zgjedhësit me drejtim të djathtë kjo ndoshta mund të bëjë efekt të mirë. Ndoshta kjo është edhe një arsye për valën e deklaratave me tërbim.

Por në politikën e jashtme, Turqisë do t’i duhet të pranojë se këto shpërthime të tepruara zemërimi më tepër bëjnë dëm se sa dobi. Së pari, në vendet e prekura thuajse nuk gjen asnjë politikan qeveritar që t’i marrë seriozisht mësimet që u jep Ankaraja. Në të kaluarën Turqia ka shpallur me zhgënjim të madh kundërmasa politike dhe ekonomike kundër shteteve partnere, për të vazhduar pastaj heshturazi në pikat e tjera të rendit të ditës.

Izolim në politikën e jashtme

Së dyti, shpërthimet e tërbimit turk i përforcojnë dyshimet ndaj besueshmërisë së partnerit të rëndësishëm të Perëndimit. Që qeveria turke nuk e pranon kategorizimin e masakrës ndaj armenëve si gjenocid, kjo përballë dekadave të mohimit të krimeve dhe gjendjes në politikën e brendshme në vend, në njëfarë mënyre është e kuptueshme. Por që Ankaraja me gjeste spektakulare gati prish miqësinë me aleatë të rëndësishëm, vetëm sepse ata nuk duan të ndjekin pozicionin e Turqisë, kjo mund t’i verë në mendime disa politikanë dhe nëpunës në Perëndim.

Ka disa kohë që Turqisë i pëlqen të prezantohet si fuqi rajonale, ngjitja e pandalshme e së cilës thuhet se frenohet nga fuqi të huaja, sepse Evropa dhe SHBA kanë frikë nga një rival i ri. Ky botëkuptim i çuditshëm është pjesë e shkaqeve për çështjen e armenëve dhe ditët e fundit është përfaqësuar më me forcë nga shtypi proqeveritar dhe nga disa këshilltarë të Presidentit Rexhep Tayip Erdogan. Mundet që Erdogani dhe partia e tij për Drejtësi dhe Ripërtëritje (AKP) të mbledhin pikë në këtë mënyrë tek zgjedhësit nacionalistë. Në plan ndërkombëtar ky kurs çon në izolim. (dw)

Studiuesit e vërtetojnë mitin “gjaku i ëmbël” për mushkonjat

miskonjaMe rritjen e temperaturave mushkonjat shfaqen përsëri. Se sa shepsh pickohemi prej tyre, e përcaktojnë genet tona, konstaton një studim.

“E ke gjakun e ëmbël!” Ato që vuajnë nga të pickuarit e mushkonjave, e kanë dëgjuar disa herë këtë frazë dhe shpesh kanë vënë buzën në gaz, sikur të donin ta largonin nga vetja këtë bezdisje.

Tani studiuesit kanë siguruar prova shkencore, se gjenet tona vendosin me të vërtetë, se kush pickohet nga mushkonjat dhe kush jo. Shkencëtarë të “London School of Hygiene and Tropical Medicine” testuan në një studim binjakë njëvezorë, pra gjenetikisht identikë, dhe binjakë dyvezorë. Këta të fundit kanë dallime më të mëdha gjenetike. Mushkonjat bënin të njëjtat zgjedhje të atyre, që pickonin. Ndërsa tek binjakët njëvezorë mushkonjat i shpërndanin pickimet në mënyrë të barabartë, tek binjakët dyvezorë preferonin më shumë njërin prej binjakëve.

Studimi, i publikuar në revistën “Nature”, ka një sfond serioz. Studiuesit shpresojnë se kështu mund të hedhin bazat për përmirësimin e ilaçeve kundër mushkonjave. Sepse sëmundjet, që transmetohen nga mushkonjat, si malaria dhe ethet dengue, janë përsëri në rritje.

Një mjet mbrojtës nga mushkonjat mund të ndihmojë për të penguar infektimin me këto sëmundje. Ai mund të jetë i dobishëm edhe për njerëzit me alergji të theksuara.

Deri tani ka qenë e njohur vetëm se mushkonjat preferojnë disa njerëz të caktuar për shkak të erës së tyre të trupit. Studimet e deritanishme kanë treguar, se edhe gratë shtatzëna dhe njerëzit me temperatura të larta të trupit janë më tërheqës për mushkonjat. Studjuesit në Londër thonë tani, se trashëgimia që përcakton të qenit tërheqës për mushkonjat është gati po aq e theksuar sa edhe për përcaktimin e madhësisë së trupit dhe të inteligjencës.

Se cila pjesë e kromozomeve tona përcakton, që mushkonja të vijë tek ne, këtë studiuesit nuk e kanë zbuluar ende. Dhe nëse gjaku ynë ka me të vërtetë shije të ëmbël për mushkonjën? Ku ta dish. Sipas studimeve shkencore asnjë nga metodat e vjetra shtëpiake nuk ndihmon kundër mushkonjave, që thithin gjakun. Shpesh rekomandohen hudhra dhe dy birra. Atij, që i aplikon këto metoda, të paktën nuk i afrohet kush shumë pranë me komentet, se e ka gjakun të embël. (dw)

Danaj: Bashkimi do ndodhë, Shqipëria nuk hyn në BE pa Kosovën

DanajBashkimi i Shqipërisë me Kosovën ka për të ndodhur shumë shpejt, dhe Shqipëria nuk do pranohet në BE pa Kosovën.

Kështu deklaron në një intervistë për KosovaPress, politologu i njohur, kryetari i Listës për Shqipërinë Natyrale Koço Danaj. Për Danajn ka ardhur koha që ne si shqiptarë të mos bëjmë vetëm thjesht deklarata por të hartojmë një platformë të qartë të bashkimit dhe t’ia prezantojmë atë Brukselit.

Kur e thotë këtë, Danaj bazohet në deklaratën e fundit të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, dhe e quan një paralajmërim për bashkimin dhe jo një provokim ashtu sikurse u shprehën qeveritarët serbë, apo të tjerë përfaqësues pa emër të ambasadave.

Për Koço Danaj bashkimi i shqiptarëve pasqyrohet më së miri të përbërja e kombëtares shqiptare të futbollit, apo te unifikimi i kurrikulave arsimore, doganave e gjithë marrëveshjeve të tjera që kanë dalë nga mbledhjet e dy qeverive, veçse bashkimi i vërtetë është ai i gjithë kombit shqiptar, i të gjitha trojeve shqiptare, nën një qeveri të vetme.

Danaj: Se kombi është i bashkuar tregon kombëtarja e futbollit

“Nuk kemi të bëjmë me një provokim, kemi të bëjmë me një reagim, ndryshe nga herët e tjera, shumë të vakët. Po ju sjell një shembull; reagimi i Ambasadës Amerikane ishte pa emër. Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-ve u shpreh se ndoshta nuk ka ardhur koha për gjëra të tilla. SHBA kur do të prononcohet për një problem, në të gjithë hapësirën e kombit shqiptar flet me emra, me emër ambasadori me emër këshilltari, me emër zëdhënësi të Departamentit të Shtetit etj. Këtë herë pa emër. Ndërsa nga BE kishim një serbe, me origjinë serbe, Koçijanciç, e cila natyrisht nuk mund të shprehej ndryshe. Nuk kishim Mogerinin, shefen e politikës së jashtme. Kishim një Kukan i cili është sllovak dhe ka probleme brenda me hungarezët që janë në Sllovaki, dhe natyrisht nuk mund të fliste ndryshe. Ndërsa fjalën provokim më shumë e kishim te serbët dhe te grekët, një gjë që është e pritshme. Vuçic nuk mund të flas me tjetër gjuhë, për më tepër Vuçic arriti deri atje sa të thotë se ne nuk e lejojmë, pra foli me gjuhën e Sllobodan Millosheviçit……Doni t’ju jap një shembull shumë të freskët, të pastër e të kuptueshëm për të gjithë shqiptarët? Merrni Kombëtaren e Republikës së Shqipërisë që në thelb është kombëtarja e Shqipërisë Natyrale, është gati të hyjë në eliminatoret, në finalet e kampionatit Europian që do zhvillohet në Francë vitin që vjen. Pse? Sepse realisht ka ndodhur bashkimi i kombit shqiptar. Imagjinoni sikur kjo kombëtare të mos e kishte në skuadër Lenjanin që është nga Presheva; Lorik Canën që është nga Kosova; Mërgim Mavraj që është nga Kosova, Berishën e Shkëlzen Gashin që është nga Kosova etj, do ishte vërtet kaq e mirë sa është sot? Jo. Ja shembulli konkret se çfarë mund të arrijë kombi shqiptar edhe në fusha të tjera kur bashkohet. Do ti kursente edhe Bashkimit Europian miliona e miliona euro që sot i harxhon për EULEX-in apo që nesër do ti harxhojë për famëkeqen Gjykatë Speciale që duan të krijojnë në Prishtinë”, thotë Danaj në këtë intervistë.

Por sa është me rrezik ky bashkim dhe sa do të ngjallte konflikte dhe reagime të shteteve tjera, Danaj përmend rastin e fundit në Maqedoni. Ngjarjet e fundit në këtë vend sipas Koço Danajt, tregojnë vërtet se shqiptarët në Maqedoni janë të fyer dhe nuk do të durojnë më.

Madje thotë se Maqedonia është në prag të shpërbërjes.

Danaj: Shqiptarët po përdorën si popull i dorës së dytë

“Jo rreziku është tani. A i ndoqët ngjarjet në Maqedoni? Maqedonia është në prag të shpërbërjes. Shqiptarët janë të anashkaluar, janë të përbuzur, janë të fyer. Përsëri po ju jap një shembull. A po zhvillohen në Bruksel, bisedime për tejkalimin e krizës në Maqedoni. Midis kujt po zhvillohen bisedimet; midis LSDM-së të Zoran Zaevit dhe VRMNO-DPMNE-së të Nikolla Gruevskit. Pra bisedimet për tejkalimin e krizës në Maqedoni po zhvillohen midis maqedonasve. Po shqiptarët që janë 40 %, si komb dhe si territor ku janë? As i përfill askush. As i ka thirrur kush në Bruksel. Ku është BDI- e Ali Ahmetit? Pse nuk e thërrasin në Bruksel se cili është mendimi juaj për krizën? Sepse shqiptarët i duan vetëm si qytetarë të dorës së dytë. Jo vetëm maqedonasit, por fatkeqësisht edhe Brukseli i cili duke qenë i çoroditur nga kriza, nga ato që po ndodhin në Greqi, dhe që pritet të ndodhin në Spanjë, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku mund të fitojnë homologët e Syrizas, atëherë nuk di çfarë të bëjë, e duke qenë kështu, atëherë përdor shqiptarët duke iu thënë mos bëni zhurmë se kjo përbën rrezik. Ndërkaq rreziku është; shqiptarët shtrojnë tjetër alternativë dhe thonë; A doni të mos ketë rrezik, lërini shqiptarët të bashkohen. Çfarë është sot Kosova? Është turpi i Bashkimit Europian, geto e BE-së. Si ka mundësi i vetmi vend që nuk lejohet të qarkullojë lirshëm në Europë dhe pastaj ankohet pse ka eksod pse ka këtë, pse atë. Ata e kanë nxitur, e kanë nxitur qarqe korruptive dhe kontrabandiste që e kanë rrënjën në Bruksel, ndërsa ata që janë në Prishtinë janë shërbëtorë të Brukselit”, tha Danaj për KosovaPress.

E Danaj thotë se një tjetër gjë edhe më e rëndësishme do të ndodhte nëse shqiptarët do bashkohen. Ai, mendon se asnjë shqiptarë nuk do të kërkonte azil nëse do të ishin të bashkuar.

Danaj: Nuk do të ikin shqiptarët nëse janë të bashkuar

“Thelbi kryesor është se shqiptarët janë të përçarë në disa shtete. Bashkojini shqiptarët dhe nuk do kini më asnjë shqiptar që të shkojë të kërkojë azil në asnjë vend të BE-së, sepse kanë një vend aq të begatë dhe aq të mirë sa nuk do kenë nevojë, përkundrazi do jenë të huajt që do vijnë në Shqipëri. Por këtë gjë që e duan shqiptarët, nuk e do Brukseli, sepse nuk do që tu hyjë telasheve, ashtu si nuk e duan edhe disa politikanë shqiptarë; sepse ata vërtet kanë kostume të kohës së sotme, kostume moderne, por mentaliteti i tyre është mentalitet xhon-turk i vitit 1908 ku më mirë 4 vilajete neootomane, se sa një shtet i vetëm shqiptar si ai që shpalli Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Dom Nikollë Kaçorri, Luigj Gurakuqi etj”, thotë Danaj.

Ndërsa fajëson politikanët e Kosovës që për hir të kolltukut dhe benifiteve që të jep posti apo pushteti nuk nxjerrin zë.

Danaj: Politikanët nuk pranojnë të jenë të dytë në shtet

“Nuk janë të gjithë politikanët. Po shkoj në Prishtinë. Çfarë është projekti politik Adem Jashari? Çfarë është UÇK-ja, thelbi i UÇK-së është bashkimi me Shqipërinë. Po ju rikujtoj betimin e luftëtarit të UÇK-së, po ja rikujtoj të gjithë atyre ish drejtuesve të UÇK-së që sot janë politikanë të lartë të Kosovës; Hashim Thaçi; Kadri Veseli; Jakup Krasniqi; Rexhep Selimi. Ata e nisnin luftën kundër makinës shtetërore serbe duke përsëritur, duke thënë; duke mësuar përmendsh betimin e luftëtarit të UÇK-së; të cilin e formuloi Adem Jashari dhe që pastaj u bë Kodi Etik, Kodi Etnik, Kodi Moral dhe Kodi Çlirimtar i të gjithë UÇK-së, dhe të cilin më lejoni t’ua kujtoj të gjithëve, e përqafuan, e pranuan SHBA-të, të cilët ishin të parët që nisën sulmin, bombardimin kundër Beogradit. Pra këta e dinin që këta kishin këtë vendim, pse i përkrahën? Sot pastaj për hir të kolltukut, për hir të benefiteve që të jep posti apo pushteti atëherë thua më mirë po pranoj të jem i pari në vilajet se sa i dyti në shtet apo i treti në shtet”, tha tutje Danaj.

Danaj mendon se bashkimi i shqiptarëve do ti shërbente edhe vetë rajonit dhe BE-së, sepse bashkimi i kombit shqiptar sipas politologut Danaj, është një faktor stabiliteti në Rajon dhe vetë BE- nuk do harxhonte miliona euro fonde për EULEX-in, e për struktura të tjera mbështetëse.

“Ne shqiptarët e kemi në dorë atë që quhet kyçi i stabilitetit rajonal”, thotë Koço Danaj, për KosovaPress dhe thotë se këtë nuk duhet ta harroj as Brukseli dhe asnjë nga politikanët shqiptarë.

Danaj: Të gjithë përfitojnë nga bashkimi i shqiptarëve

“Absolutisht një qeveri; sepse kështu do ti kursejmë edhe qindra milionë euro BE-së, ose këto qindra milionë euro qe sot i harxhon për mbi 90-të zëvendësministra në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, nesër do kemi 20 apo 30 zëvendësministra. Sot kemi 3 administrata, nesër do kemi 1. Pra këto qindra miliona euro; ose do ti marr kombi shqiptar për mirëqenien e tij ose do ti mbaj BE-ja për të kapërcyer krizën dhe t’ia jap Greqisë apo Spanjës, dhe ti jap Irlandës, kujt të dojë BE-ja. Pra shiko çfarë shërbimi i bëjmë ne edhe BE-së, të gjithë përfitojnë nga bashkimi i shqiptarëve dhe të gjithë humbasin nga ky copëtim kriminal i shqiptarëve, që duhet ta themi; nga ky shovinizëm demokratik i Brukselit, i cili përpiqet duke shfrytëzuar këtë soj politikanësh që kanë kolltukun mbi kombin, atëherë thonë shikoni: Prisni të bashkoheni në Europë. Në Europë nuk bashkohen kombet, bashkohen shtetet. Dini ndonjë komb të jetë bashkuar në Europë. Pse nuk priti Gjermania Lindore të bashkohej në Europë. Atëherë kemi të bëjmë me të njëjtin shembull por ka një ndryshim; Gjermania është komb i madh, ne jemi komb i vogël në Europë, por jemi komb i madh në Rajon. Pra ne kemi në dorë atë që quhet kyçi i stabilitetit rajonal. Këtë nuk duhet ta harroj as Brukseli dhe asnjë nga politikanët shqiptarë të cilët duan të ruajnë pasurinë e tyre”, thotë Danaj.

E kur komenton se pse BE nuk pranon bashkimin e shqiptarëve, ai sërish fajëson liderët tanë se kanë mungesë të platformës.

Danaj thotë se BE nuk kërkon vetëm deklarata, por platformë të shkruar.

Danaj: Brukselit i duhet platforma

“Sepse ka një problem; e para Brukseli nuk kërkon vetëm deklaratë, Brukseli kërkon platformë. Tirana e ka në Kushtetutë që bashkimi shqiptar është aspiratë e ligjshme. Bukur. Ulu, zbërtheje. Nëse nuk të pëlqejnë platformat e hartuara deri tani, kjo s’ka rëndësi sepse Shqipëria Natyrale nuk ka nevojë për emër; bashkimi i shqiptarëve nuk ka nevojë kush është i pari; Shqipëria natyrale është mbi të gjitha. Le të hartojmë platformën dhe t’ia dorëzojmë Brukselit, ndërsa deri më sot i kemi dorëzuar deklarata. Po deklaratat i thua sot i harron nesër, ndërsa platforma është e shkruar; verba volant, skripta manent. Atëherë ke të drejtë të thuash do apo nuk do Brukseli. Mund të mos dojë Brukseli po Brukseli nuk donte as bombardimin e Beogradit. Por do Amerika, e cila kombin shqiptar e ka aleatin e saj strategjik (nëse e dëgjuat edhe deklaratën e fundit të Xhon Kerrit, sekretarit amerikan të Shtetit), e ka aleatin më strategjik, ashtu siç kemi ne si komb Amerikën, aleatin e vetëm strategjik. Me të tjerët kemi marrëdhënie të mira, shumë të mira; marrëdhënie normale apo të fqinjësisë së mirë”, tha Danaj.

Tutje Danaj komenton edhe mbledhjet e fundit të përbashkëta të dy qeverive dhe thotë se këto janë një hap drejt bashkimit politik por sipas tij kombi shqiptar, minimalja është 5 hapa para politikanëve shqiptarë.

Krejt në fund Danaj e mbyll këtë intervistë duke thënë se Shqipëria nuk do hyj në BE pa u bashkuar me Kosovën dhe me trojet e tjera shqiptare në Maqedoni, në Mal të ZI dhe në Luginën e Preshevës dhe se bashkimi i shqiptarëve nuk është larg.

Danaj: Janë vetëm iluzione

“Nuk do hyj, mos t’ju shkojë ndërmend, janë të gjitha iluzione. Nuk do hyj në BE. Absolutisht ky vendim i takon kombit shqiptar. Është një moment, Shqipëria nuk do pranohet në BE, pa u bashkuar, përkundrazi Ballkani sot ndodhet para turbulencave tepër të rrezikshme për vetë BE-në. Dhe nëse kërkoni ti qetësoni këto turbulenca dhe detin ta keni të qetë,atëherë ka vetëm një rrugë, bashkimi i shqiptarëve. Për mua është i afërt, shumë shumë i afërt. Shumë shpejt edhe Brukseli, dhe kur them Brukseli kam parasysh Berlinin sepse BE në mënyrë figurative ka vdekur. Sot ka një Berlin ka një kryeministër real të BE-së që quhet Angela Merkel, ka një president real të BE-së që quhet Angela Merkel, ka një ministre të Jashtme të BE-së që quhet Angela Merkel dhe s’ka asgjë tjetër, të tjerët janë figurantë që duhen për të thënë që ja kemi dhe Parlament Europian, ja kemi dhe një shefe të politikës së jashtme Mogerini, që vendi i saj është po aq në krizë sa ç’është Greqia”, tha Danaj.

Kim Mehmeti: Shqiptarët në duart e banditëve politik që mbështesin regjimet antishqiptare

Postimi i plotë i shkrimtarit dhe publicistit Kim Mehmeti:

“Shqiptarët e Maqedonisë mbetën në duart e kryesuesve banditë të BDI-së dhe PDSH-së edhe shkaku i pafytyrësisë së disa burrështetasve në Prishtinë e Tiranë, të cilët edhe pse e dinin se drejtuesit e këtyre dy partive ishin shërbëtorë të qarqeve policore e politike maqedonase, ata mbështesnin regjimet e këtushme antishqiptarë, duke mbrojtur kështu bizneset e tyre, e jo interesat e shqiptarisë!

Me çka edhe një herë u dëshmua vërtetësia e thënies se ujku e njehë mirë “kushëririn” e vet, andaj kurrë nuk e sulmon qenin!” (lajm)

Aksion i gjërë policor në Karadakun e Shkupit

tanketNë Karadakun e Shkupit nga orët e para të mëngjesit po zhvillohet një operacion i gjërë i forcave policore maqedonase.

Siç bëjnë të ditur për INA, burime jozyrtare nga fshati Malinë operacioni i gjërë i njësiteve të MPB-së ka nisur nga orët e mëngjesit në fshatrat Malinë dhe Brezë dhe se bëhet fjalë për një operacion të gjërë policor.

Zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski i pyetur nga gazetarët as nuk e konfirmoi as nuk e demantoi informacionin lidhur me operacionin që po zhvillohet. Deri tani nuk ka hollësi se çfarë po ndodhë në këtë zonë malore, që është e përfshirë nga njësite të shumta policore. (INA)

Qendra Informative Shqiptare "Liria"