Samsung prezanton modelet e reja të telefonave dhe orëve inteligjente

SamsungFirma Samsung ka prezantuar linjën e re të telefonave që palosen dhe orëve inteligjente. Modelet e reja ofrojnë përmirësime nga ana e efikasitetit si dhe elegancës. Telefonat që palosen, të prodhuar nga gjigandi jugkorean Samsung, së bashku me brezin e ri të orëve inteligjente tashmë kanë dalë në treg.

 

Modelet e telefonave Zflip4 dhe Fold4 kanë një menteshë të re dhe procesor më të fuqishëm. Linja e re ka përmirësuar disa të meta si karikimi i ngadaltë, jetëgjatësia e shkurtër e baterisë dhe kamera.

“Është një linjë e mirë sa i përket dy telefonave të saj të palosshëm. Modelet e reja dalin çdo dy vite. Firma Samsung vitin e kaluar i përmirësoi ndjeshëm këto dy modele. Telefonit më të madh që paloset, iu shtua përdorimi i lapsit elektronik. Këtë vit kemi një përparim më të vogël”, thotë Dominic Preston me faqen elektronike “Tech Advisor” e cila analizon pajisjet elektronike për konsumatorët.

Modeli Fold4 paloset vertikalisht, sikurse një libër, duke u tjetërsuar në një tablet kur hapet plotësisht. Telefoni nuk ka ndryshuar ekranin e përkulshëm me një gjatësi diagonale prej 20 centimetra, por ka përmirësuar raportin e pamjes.

Ky model do të jetë telefoni i parë inteligjent që do të përdorë programin operues Android 12L, një variant i modifikuar i Android 12. Ky sistem operimi i jep përdoruesit më shumë hapësirë veprimi, si rezultat i ekranit të madh, dhe shton një shirit në fund të ekranit çka ofron një mënyrë më të shpejtë për hapjen e aplikacioneve të preferuara.

Firma Samsung thotë se kjo është një veçori e re në ndihmë të përdoruesit. Modeli në fjalë ka sjellë përmirësime të mëdha edhe për të apasionuarit e fotografisë.

Firma Samsung po përdor kamerat e suksesshme nga modeli Galaxy S22. Ka përdorur pothuajse të njëjtën strukturë. Tre kamerat kanë qartësi tejet të lartë dhe lente që kapim imazhe në distanca të largëta.

Telefoni tjetër, Zflip4, paloset horizontalisht si një guaskë. Kjo veçori u ofron përdoruesve t’i bëjnë fotografi vetes nga distanca, pasi telefoni qëndron vetë, dhe kamera mund të aktivizohet me gjeste me dorë. Modeli i ri ka një përmirësim në bateri prej afro 3 orësh më shumë jetëgjatësi para se të karikohet përsëri.

Në rrafshin e orëve inteligjente, firma Samsung ka nxjerrë dy modelet e reja Watch5 dhe Watch5 Pro. Sikurse në rastin e telefonave, edhe orët nuk kanë përmirësime të mëdha.

“Samsung-u është përqendruar tek jetëgjatësia e baterisë, materialet me të qëndrueshme, ekrani më rezistent ndaj gërvishtjes dhe sistemi më i saktë i gjurmimit”, thotë zoti Preston.

Modelet e reja të telefonave dhe orëve intelgjente nga firma Samsung tashmë kanë dalë në treg.

voa

Kurti: Reciprociteti për letërnjoftime fillon me 1 shtator

KurtiKryeministri i vendit, Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve që të ndërrojnë targat e automjeteve në RKS. Këtë thirrje kryeministri Kurti e bëri nga Mbledhja e Qeverisë, në fjalën hyrëse të tij.

Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, e cila filloi në ora 10:00, Kurti tha se reciprociteti me palën serbe për targat dhe letërnjoftime do të fillojë të zbatohet më 1 shtator, ai tha se ekzekutivi po përballet me lajme të rreme për këtë çështje.

“Konvertimi i targave të automjeteve nga ilegale në RKS i shërben rendit, ligjit, sigurisë publike dhe lëvizjes së lirë. Duke i kontribuar këtyre qëllimeve mund të përfitohet nga lirimi nga taksa doganore, taksa administrative, tarifa për targën etj, që në vlerë totale kapin shifrën rreth 5 mijë euro”, tha Kurti.

Ai tha se nuk është e vërtetë që serbëve do t’iu konfiskohen dokumentet në kufi në këmbim me ato të Kosovës për hyrje dalje. “Dokumenti në hyrje dalje është dokument shtesë dhe pa pagesë”.

“Dezinformimi sot paraqet rrezik për sigurinë kombëtare… Ju bëj thirrje edhe njëherë që të përcillni me vëmendje njoftimet nga Qeveria jonë, t’i verifikoni burimet e lajmeve dhe mos lejoni të dezinformoheni nga ata që synim mund ta kenë destabilizimin. Fushata jonë e informimit për regjistrimin e tabelave të veturave nuk do të ndalet as pas 1 shtatorit, kur edhe do të rifillojmë së zbatuari edhe dy vendimet”, tha kreu i ekzekutivit.

Ja vendimet e Qeverisë së Kosovës:

Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, në pikë-kalimet kufitare do të pajiset me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.

Ndërkaq përmes një vendimi tjetër, Qeveria mundëson regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022.

Mbërrin në Portin e Durrësit anija me 6 mijë ton grurë nga Ukraina

Anija Jaohar RanimAnija “Jaohar Ranim” me 6 mijë ton grurë nga Ukraina ka mbërritur sot në Portin e Durrësit.

 

Anija do të ankorohet në kalatën nr. 2 të portit të Durrësit paraditen e sotme, dhe gruri ka mbërritur për llogari të një kompanie mielli në Shqipëri.

Kjo është anija e parë që vjen nga Ukraina që pas fillimit të luftës atje. E ngarkuar në Izmail të Ukrainës, anija është nisur më 28 korrik, në bazë të një marrëveshje të arritur ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, për t’i lejuar kësaj të fundit eksportimin e stokut të grurit të bllokuar nëpër depo për shkak të luftës.

Izmaili është porti më i madh ukrainas në grykëderdhjen e Danubit, në Odesa. Javën e kaluar u njoftua nga autoritetet turke për një tjetër anije të nisur nga Odesa drejt Libisë më 1 gusht, po anija “Jaohar Ranim” e ka çelur e para siparin e lëvizjeve, pas sulmeve që nisën nga Rusia në shkurt të këtij viti.

Bllokimi i porteve ukrainase shkaktoi probleme në furnizimin global me drithëra.

Rusia dhe Ukraina së bashku mbulojnë gati një të tretën e eksporteve globale të grurit, ndaj rifillimi i eksporteve të grurit nga Ukraina i ka dhënë një frymëmarrje të re nevojës globale për konsum.

Në Ukrainë ka disa disa milionë ton grurë të bllokuara që pritet të shpërndahen në të gjithë globin.

Top Channel

Turqia dërgon anije shpimi në Detin Mesdhe

ErdosanPas dy vjetësh ndërprerjeje Turqia dërgon një anije shpimi për gaz në lindje të Mesdheut. Për presidentin Erdogan kjo është kaq e rëndësishme sa që ai udhëtoi enkas në Mersin në jug të Turqisë për të qenë i pranishëm.

 

“Abdylhamid Han” do të kërkojë për gaz, derisa të gjejë, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdogan gjatë inagurimit të anijes së re të shpimit në portin e Merinit. Ne do të marrim „atë që na takon”. Anija “Abdylhamid Han” fillimisht do të niset për në rajonin Iskenderun, tha ai. Zona e parashikuar për shpime ndodhet në veri të Qipros jo larg territoreve, për të cilat Turqia grindet me Greqinë dhe Qipron.

Parimisht i hedh poshtë rezervat greke dhe qipriote kundër misioneve turke të shpimit, tha Erdogan duke deklaruar, se Turqia ka të drejtën të kërkojë për gaz në territoret që i ka të vetat: „Ne nuk kemi nevojë të marrim leje nga ndokush.”

Anija “Abdylhamid Han”, sipas tij, është një “Simbol për vizionin e ri të Turqisë në sektorin e energjetikës”, tha Erdogan në Mersin. Sipas mediave turke anija e emërtuar sipas njërit prej sulltanëve osmanë fillimisht do të kërkojë për gaz deri më 7 shtator.

 

Grindje e vazhdueshme mes fqinjëve në lindje të Mesdheut

Konflikti për rezervat e gazit rëndon prej vitesh ndër të tjera marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë. Më 2020 të dy vendet për pak sa nuk u përplasën ushtarakisht, kur anija turke e shpimeve “Oruc Reis” nën eskortimin e anijeve luftarake ndërmori udhëtimet në kërkim të burimeve të gazit në jug të ishullit Rhodos. Marina greke u mobilizua. Vetëm pas largimit të “Oruc Reis” nga territoret e diskutueshme gjendja u qetësua.

Greqia akuzon Turqinë, se po kryen hulumtime në mënyrë tërësisht ilegale. Qeveria në Ankara i hedh poshtë akuzat dhe mbron pozicionin, se kërkimi i gazit është konform ligjit, pasi ujërat ku operohet shtrihen në harkun tokësor turk. Si Greqia  dhe Qiproja si vende anëtare të BE-së, ashtu edhe Turqia kanë pretendime ndaj rezervave të gazit të zbuluara në tabanin e detit në lindje të Mesdheut.

 

Pavarësia energjetike po vendoset gjithnjë e më shumë në fokus edhe në Ankara

Në plan të parë Turqia synon zbulimin dhe shfrytëzimin e rezervave të gazit, shkruan në një artikull Christian Schaller, studiues pranë fondacionit gjerman „Shkenca dhe Politika”. “Por në radhë të parë Turqia synon edhe dominancën maritime në rajon.” Gjestet që tani sërish po bëhen agresive kundrejt Greqisë, sipas disa vëzhguesve pjesërisht kanë të bëjnë edhe me zgjedhjet që do të zhvillohen në Turqi duke ua shpjeguar ato klientelës së zgjedhësve si gjeste nacionaliste.

Lufta sulmuese ruse në Ukrainë e ka nxjerrë në fokus aspketin e furnizimit me energji. Turqia vitin e kaluar një të katërtën e naftës dhe pothuajse gjysmën e importeve të gazit i ka marrë nga Rusia dhe tani po përpiqet ta minimizojë këtë varësi.

 

qu/sti (dpa, afp, rtr)

BE: Hyn në fuqi plani i emergjencës për gazin

simboli gasNë BE hyri në fuqi plani i emergjencës për furnizimet me gaz. Por zbatimi varet nga vendet anëtare.

 

Pasi plani i emergjencës së gazit u publikua të hënën (08.08) në Fletoren Zyrtare të BE-së ai hyri në fuqi një ditë më pas, të martën. Rregullorja parashikon që të gjitha vendet e BE-së do të ulin vullnetarisht konsumin e gazit me 15 përqind nga fillimi i gushtit deri në mars të vitit të ardhshëm, krahasuar me konsumin mesatar të pesë viteve të fundit. Se si 27 vendet anëtare të BE-së do të ulin këto shpenzime, varet nga vetë vendet, sepse zbatimi është kompetencë e tyre. Plani i emergjencës fillimisht vlen për një vit. Si pasojë e luftës në Ukrainë, Rusia ka reduktuar në mënyrë drastike furnizimet me gaz në BE.

Rregullorja e BE-së parashikon përjashtime të shumta për vendet si Spanja apo Italia, si dhe “sektorë kritikë të ekonomisë” si industria ushqimore. Sipas shifrave të Komisionit të BE-së, në këtë periudhë duhet të kursehen gjithsej 45 miliardë metra kub gaz. Gjermania duhet të kursejë më së shumti, me rreth 10 miliardë metra kub për të arritur objektivin prej 15 përqind.

 

Gjermania duhet të kursejë më shumë

Përjashtimet nënkuptojnë se Gjermania duhet të kursejë dukshëm më shumë gaz se vendet e tjera këtë dimër, në mënyrë që të shmangë problemet e mëdha për industrinë apo edhe një recesion në rast të një ndërprerjeje së plotë të furnizimit me gaz rus. Kështu tha ministri i Ekonomisë, Robert Habeck pas marrëveshjes për planin e emergjencës së gazit, në fund të korrikut në Bruksel. Ai iu referua “gabimeve strategjike” të qeverive të mëparshme dhe varësisë së madhe gjermane nga gazi rus.

Nëse nuk kursehet mjaftueshëm dhe ka pengesa të mëdha me furnizim, hapi tjetër mund të jetë ndezja e alarmit në mbarë BE-në, që ka për qëllim kursimin me detyrim. Por për t’u futur në fuqi një plan i tillë, ai duhet të miratohet nga të paktën 15 vende të BE-së, të cilat së bashku përbëjnë të paktën 65 përqind të popullsisë totale në BE.

 

Landet duan të vendosin

Disa lande gjermane duan të kenë të drejtë fjale në planet e emergjencës, sipas të cilave gazi do të shpërndahej dhe racionalizohej në këtë vend në rast të mungesës. Duke pasur parasysh pasojat e rëndësishme ekonomike dhe sociale, ky vendim nuk mund t’i lihet vetëm Agjencisë Federale të Rrjetit, tha kryetari i bashkisë së Hamburgut, Peter Tschentscher (SPD). “Qeveria federale duhet të përfshijë landet në përcaktimin e vijave bazë për prioritetet.” Për arsyen se zinxhirët e prodhimit janë të lidhur në mënyrë komplekse, është e rëndësishme të vlerësohen saktë efektet praktike.

Kundërshtimi vjen nga kreu i Agjencisë Federale të Rrjetit, Klaus Müller. Sipas mendimit të tij, landet janë mjaft të përfshira kur bëhet fjalë për hartimin e planeve emergjente në rast të mungesës së gazit. Landet janë të përfshira në ekipin e krizës prej fillimit dhe ato mund të japin rekomandime dhe kritika, tha Müller.

Transparenca është e rëndësishme, por veprimet duhet të merren shpejt në situata krize. Mund të keni vetëm 24 orë për të përgatitur një vendim të caktuar, e ndodh që duhet të keni edhe më pak kohë për vendim. Prioriteti kryesor është shmangia e mungesës së gazit. Këtu janë të rëndësishme kursimet, theksoi ai.

Gjermania duhet të kursejë 20 përqind të gazit për të kaluar pa probleme serioze vjeshtën dhe dimrin. Gjatë këtij viti kursimet e deritanishme kanë qenë rreth 14 përqind. Müller thotë se në këtë kontekst na ka ndihmuar “vera shumë, shumë e ngrohtë”. Ai pohon se nuk janë të mira idetë që të ngrohemi me energji elektrike. Kjo është shumë më e shtrenjtë se gazi. Do të ishte më mirë të rregulloni më mirë ngrohjen dhe të mendoni se sa ngrohtë duhet të jetë dhe ku mund të kursehet.

bc/kle/as (dpa, afp)

Ruajtja e dokumentave presidenciale në arkivat kombëtare

fbiRrethanat rreth kontrollit të shtëpisë së ish Presidentit Trump, nuk janë plotësisht të qarta, por FBI-ja dihej që po hetonte rreth disa kutive me dokumente të klasifikuara, të gjetura në shtëpinë e zotit Trump në Florida, pasi ai ishte larguar nga detyra.

 

Sipas ligjeve, gjithshka, lista e telefonatave, projekt-fjalimet, fjalimet, shënimet me dorë dhe gjithshka tjetër nga aktiviteti i një presidenti, duhet t’i dërgohet Arkivave Kombëtare për ruajtje pas përfundimit të mandatit.

Çdo dokument presidencial është pronë e qeverisë amerikane dhe ruhet në Arkivat Kombëtare, sipas drejtuesve të arkivit. Ligji për këtë është miratuar në vitin 1978.

Për dokumentet e paklasifikuara, publiku mund të bëjë kërkesa në bazë të ligjit për të drejtën e informimit, për t’u njohur me to, 5 vjet pasi ato kanë shkuar në arkiva, ndonëse ish presidentët kanë të drejtë të kërkojnë që një pjesë e dokumenteve mos të hapen deri në 12 vjet pas largimit të tyre nga detyra.

Sipas historianëve që studiojnë këto dokumente, pa patur qasje në këto materiale, publiku nuk mund të shikojë të vërtetën, por vetëm të vërtetën që u serviret nga zyrtarët.

voa

Përparim në rritjen e embrionit sintetik, por rritja e organeve njerëzore mbetet larg për t’u arritur

FILE - Qin Jinzhou deposits an embryo into a microplate after injecting it with Cas9 protein and PCSK9 sgRNAShkencëtarët e qelizave embrionale thonë se kanë krijuar për herë të parë “embrione sintetike” pa përdorur spermën, vezët apo fekondimin, por perspektiva e përdorimit të një teknike të tillë për rritjen e organeve njerëzore për transplantim mbetet e largët.
Lajmi u përshëndet si një hap i madh përpara, megjithëse disa ekspertë thanë se rezultati nuk mund të konsiderohet plotësisht si embrion dhe paralajmëruan për mundësinë e shkeljeve etike në të ardhmen.
Në hulumtimin e botuar këtë javë në revistën Cell, shkencëtarët në Institutin e Shkencës Weizmann në Izrael thanë se gjetën një mënyrë për t’i bërë qelizat embrionale të miut të vetë-bashkohen në struktura të ngjashme me embrionin në laborator.
Ata filluan duke mbledhur qeliza nga lëkura e minjve, dhe më pas i bënë ato të ktheheshin në gjendjen e qelizave embrionale.

Qelizat embrionale më pas u vendosën në një inkubator të posaçëm të krijuar nga studiuesit, i cili lëvizte vazhdimisht për të imituar barkun e nënës.
Shumica dërrmuese e qelizave nuk arritën të formonin asgjë.

Por 50 – 0.5 përqind e 10,000 qelizave në total – u mblodhën në sfera, e më pas në struktura të ngjashme me embrionin, thanë studiuesit.

Pas tetë ditësh – rreth një e treta e periudhës 20-ditore të shtatzënisë së miut – kishte shenja të hershme të trurit dhe rrahjes së zemrës, shtuan studiuesit.
Ato u përshkruan si 95% të ngjashëm me embrionet normale të miut.

 

‘Koha do ta tregojë’
Nëse organet e njeriut mund të rriteshin një ditë në laborator, teknika mund të sigurojë transplante që do të mund t’u shpëtonin jetën mijëra njerëzve çdo vit.

Shkencëtari i qelizave embrionale Jacob Hanna, i cili udhëhoqi hulumtimin, i tha agjencisë AFP se “Problemi i madh me transplantimin është se duhet të gjesh një donator me të cilin të përputhen parametrat dhe ADN-ja nuk është kurrë identike me pacientin”.
Por duke përdorur teknikën e re, një ditë shkencëtarët mund të marrin qeliza nga mëlçia e një pacienti, për shembull, dhe t’i përdorin ato për të krijuar qeliza embrionale, për të rritur një embrion sintetik dhe pastaj “i transplanton ato përsëri te pacienti”, tha shkencëtari Hanna.

“Qeliza do të krijohet nga pacienti, kështu që do të jetë ADN-ja e njëjtë – pa patur nevojë për të gjetur donatorë dhe organizmi nuk do të ketë refuzim,” shtoi ai.

Ndërsa ato janë strukturat më të avancuara sintetike të ngjashme me embrionet e rritura ndonjëherë, disa shkencëtarë që nuk u përfshinë në kërkim paralajmëruan që të mos i quanin ato “embrione”.
“Këto nuk janë embrione,” tha për AFP-në shkencëtari francez i qelizave embrionale Laurent David.
Ai preferoi t’i quante ato embrioide, emërtimi për një grup qelizash që i ngjajnë embrionit.
Megjithatë, zoti David mirëpriti hulumtimin “shumë bindës”, për të cilin ai tha se mund të lejojë eksperimente të mëtejshme për të kuptuar saktësisht se si formohen organet.
Përveç organeve, shkencëtari Hanna tha se embrioidet mund të ndihmojnë gjithashtu në identifikimin e objektivave të rinj për barnat dhe potencialisht të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjeve për një sërë çështjesh si humbja e shtatzënisë, infertiliteti, endometrioza dhe preeklampsia.
“Koha do ta tregojë”, tha ai.

Hanna, një palestinez që drejtoi kërkimin në institutin në Izrael, tha: “Shkenca është largimi im nga realiteti i ashpër me të cilin përballem ndërsa jetoj në atdheun tim.”
“Dhe unë jam një nga ata me shumë ‘fat’”, shtoi ai.
Autori i studimit është një student i doktoraturës nga territori palestinez i Gazës, që ka nevojë për një leje speciale që rinovohet rregullisht për ta lejuar atë të punojë në institutin në qytetin izraelit të Rehovotit.

 

Implikimet etike

Jacob Hanna ka themeluar kompaninë, Renewal Bio, për të cilën tha se “do të përqëndrohet në testimin e aplikacioneve të mundshme klinike të embrioneve sintetike njerëzore”.
Ai tha se ata kishin miratimin për një testim të tillë në Izrael dhe se ai ishte i ligjshëm në shumë vende të tjera si SHBA dhe Britani.
“Duhet të kujtojmë se embrionet sintetike janë embrioide dhe jo embrione reale dhe nuk kanë potencial për t’u bërë të zbatueshme,” tha ai.
Por studiuesit që nuk u përfshinë në studim thanë se ishte shumë herët për të konsideruar përdorimin e një teknike të tillë për njerëzit.
Alfonso Martinez Arias i Universitetit Pompeu Fabra të Spanjës tha se zbulimi “hap derën për studime të ngjashme me qelizat njerëzore, megjithëse ka shumë pengesa rregullatore për të kaluar në fillim dhe, nga pikëpamja e eksperimenteve, ato të kryera tek sistemet njerëzore mbeten prapa atyre të kryera tek minjtë”.

Synimi për të marrë rezultate të ngjashme nga qelizat njerëzore ka të ngjarë të hapë një debat të ashpër etike.

“Megjithëse perspektiva e embrioneve sintetike njerëzore është ende e largët, do të jetë thelbësore të përfshihemi në diskutime më të gjera rreth ndërlikimeve ligjore dhe etike të një kërkimi të tillë,” tha James Briscoe nga Instituti britanik Francis Crick.

voa

Pritshmëritë nga takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel

Kurti VucicAmbasadorët e vendeve kryesore perëndimore në Kosovë u takuan të martën me Kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar zhvillimet politike dhe gjendjen e sigurisë në vend.

 

Ndonëse nuk janë dhënë hollësi, zyra e Kryeministrit Kurti e citoi atë të ketë nënvizuar angazhimin e qeverisë së Kosovës, për siç u tha dialog parimor dhe të balancuar, për marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen e ndërsjellë në qendër.

Kryeministri Kurti pritet që javën e ardhshme të bisedojë në Bruksel me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, në një takim që Bashkimi Evropian u ngut ta oragnizojë pas tensioneve të 31 korrikut, për shkak të reagimeve serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës, për vendosjen e reciprocitetit në përdorimin e dokumenteve personale të lëshuara nga Serbia.

Profesori për paqe dhe studime të konflikteve në Universitetin e Dublin-it në Irlandë, Gëzim Visoka, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se tensionet e fundit në veri tregojnë për kthim prapa në marrëdhëniet ndërmjet dy palëve.

“Ka dallime esenciale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sa i takon tërë dialogut dhe përfundimit të tij, kjo si parakusht pastaj shpjegon edhe zhvillimet e fundit në veri. Serbia është duke përdorur dialogun për të krijuar ose zgjeruar një autonomi për serbët në Kosovë dhe është duke i ikur temës së njohjes së ndërsjellë apo pranimit të Kosovës. Në anën tjetër Kosova është duke përqendruar tërë energjinë në arritjen e një marrëveshjeje për njohje të ndërsjellë. Këto janë qëndrime kundërshtuese ndaj njëra tjetrës dhe asnjëra palë duket se nuk ka gatishmëri për kompromis”.

Zoti Visoka thotë se tensionet në veri mund të shpjegohen në disa forma.

“E para si paralajmërim se dialogu dhe paqebërja janë thelbësore, prandaj kemi përshkallëzim për të qetësuar situatën, kemi përshkallëzim për të paralajmëruar të gjitha palët se vërtetë duhet të kthehen në tavolinën e bisedimeve. E dyta, këto përshkallëzime mund të lexohen si shenja për një trajektore negative të zhvillimeve në veri ku kemi shkallëzim të situatës si metodë për të imponuar pastaj zgjidhje në terren por edhe në tavolinën e bisedimeve. E treta, këto zhvillime mund të lexohen edhe si tendenca politike për të larguar vëmendjen nga problemet ekonomike në të dy vendet, posaçërisht në Serbi sa i përket refuzimit të tyre për të vënë sanksione ndaj Rusisë”.

Me 1 shtator të këtij viti, pritet të rinisë zbatimi i masës për reciprocitet sa i takon dokumenteve të identifikimit, por edhe i ndërrimit të targave të makinave të lëshuara nga autoritetet serbe.

Zoti Visoka thotë se kjo mund të sjellë përshkallëzim të rrezikshëm të situatës në veri, ndërsa thekson se KFOR-i dhe EULEX-i duhet të përgatiten paraprakisht për të mos lejuar bllokadat e ngjashme si ato të fillimit të këtij muaji.

“Serbia dhe strukturat e saj politike dhe të sigurisë janë të përgatitura mirë dhe duket se janë përgatitur ndër vite për të bllokuar dhe për të rezistuar ndaj zgjerimit të autoritetit të Kosovës në veri. Ky përshkallëzim është i rrezikshëm për shkak se kemi kombinim të disa grupeve, edhe kriminale, që kanë interesa ekonomike, të sigurisë dhe inteligjencës, dhe ato të përfaqësuesve politik të imponuar nga Beogradi. Por tani kemi edhe elementin rus, të cilët janë të interesuar të ndryshojnë situatën në veri”, thotë ai.

“Kjo mund të ndodhë për aq kohë sa udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë janë të angazhuar për të shkaktuar telashe e për të rritur tensionet. Me një politikë të tillë të krijimit të trazirave, të psikozës së luftës, psikozës së frikës, pushtetarët e kontrollojnë situatën më mirë, jetojnë e veprojnë më lehtë brenda situatave të tilla, sepse e largojnë vëmendjen nga çështje thelbësore për qytetarët”, i tha Zërit të Amerikës njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Rrahman Paçarizi.
Ai tha se me këto tensione udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë po i përgatisin qytetarët për vendimet e vështira që i presin në të ardhmen.

“Për shembull, Serbisë i intereson që të shkaktojë tensione, frikë, të krijoj psikozën te qytetarët e vet se ne jemi të rrezikuar të na sulmojë NATO-ja e të tjera, në mënyrë që sa më lehtë t’i pranojnë kushtet e një marrëveshje përfundimtare. Në anën tjetër, në interesin e qeverisë së Kosovës është që të krijojë ndjenjën e frikës, psikozës së përgjithshme në mënyrë që vendimi, ta zëmë për Asociacionin apo për kishat, të pranohet më lehtë nga qytetarët si një variant më i mirë nga dy apo tri variante të këqija”, tha zoti Pacarizi.
Analistët thonë se takimi i nivelit më të lartë politik, që pritet të mbahet më 18 gusht, mund të shërbejë për të siguruar uljen e tensioneve, ndoënse qëndrimet tërësisht të kudnërta të palëve nuk japin shumë shpresë për ndonjë përparim.
“Nëse nuk ka përparim në këto tema, ose në përgjithësi në dialog, mendoj se ky takim duhet të shërbejë për të mos u përshkallëzuar më tej situata. Të paktën çfarë mund të ndodhë është të dalin me deklaratë të përbashkët për mos agresivitet, të dalin me qëndrimet se asnjëra palë nuk do të marrë masa që cenojnë sigurinë në veri dhe të paktën Bashkimi Evropian duhet të jetë i qartë që nëse palët shkelin këto parime – do të ketë sanksione”, thotë zoti Visoka.
Janë mbushur 11 vjet që kur palët janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve por përpairmet janë të pakta. Serbia e mbështetur nga Moska kundërshton pavarësinë e Kosovës të cilën e njohin vendet kryesore perëndimore.

voa

Goditet mafia e basteve në Stamboll, mijëra euro në kriptovaluta kanë përfunduar në Maqedoni

Mafia e basteveNë Stamboll është shkatërruar mafia e basteve “Totobo” e cila shtrihet nga Gjermania deri në Turqi, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Janë arrestuar 59 anëtarë të mafias, e cila ka përfituar 55 milionë euro.

 

Operacionet ilegale të basteve i ka kryer në Turqi, Gjermani dhe Maqedoni, përcjell gazeta “Milijet”. Policia për 8 muaj me radhë ka ndjekur operacionin, kurse 59 personat janë arrestuar në Stamboll.

Policia bën me dije se po vazhdon aksioni për ta parandaluar njërën prej aferave më të mëdha të basteve të paligjshme. Pasi janë ndjekur xhirollogaritë e pjesëtarëve të grupit, është konstatuar se 1 miliard euro janë transferuar në Maqedoni në formë kriptovalutash. Me qëllim që Banka Qendrore mos t’i ndjekë këto të holla, janë bërë transaksione prej nga 10-15 mijë dollarëve. Ato mjete janë grumbulluar në një xhirollogari, pas çka janë kthyer në kriptovaluta dhe janë transferuar në Maqedoni, transmeton “Milijet”.

telegrafi

Nga e mërkura ulen temperaturat në Shqipëri, parashikimi i motit për javën

moti-Duke filluar nga e mërkura do të ketë një tërheqje të valës së të nxehtit, duke sjellë ulje të temperaturave të ajrit.

 

Kështu u shpreh meterologu i Meteoalb, Hakil Osmani i cili tha se temperaturat do ulen deri në fundjavë.

“Temperaturat e ajrit mbeten të larta të paktën këtë fillim jave, rreth vlerave 38-39 gradë celcius. Në qarqet e Elbasanit dhe Beratit do regjistrohen temperaturat më të larta, por duke filluar nga dita e mërkurë, pritet që të kemi tërheqje të valës së të nxehtit duke bërë që të kemi dhe rënie të temperaturave të ajrit. Parashikohet që deri në fundjavë të regjistrohen vlerat 34-35 gradë celcius”, theksoi ai.

Osmani u shpreh se në zonat bregdetare, parashikohet që maksimumet të mos shkojnë më shumë se 32 gradë celciues, teksa shtoi se edhe zonat malore do kenë klimë të freskët, me temperatura deri në 30 gradë celcius.

Sipas tij, pas datës 17 gusht, do ketë sërish afrim të valëve të të nxehtit me temperatura të larta mbi 38 gradë për disa ditë me rradhë, të paktën deri në datën 24.

Euronews Albania

 

Qendra Informative Shqiptare "Liria"