ShBA, kur u shfaq kovidi për herë të parë ?

covid-19Një analizë e re e mostrave të gjakut nga 24,000 amerikanë, të marra në fillim të vitit të kaluar, është studimi më i fundit dhe më i madhi që sugjeron se koronavirusi u shfaq në Shtetet e Bashkuara në dhjetor 2019 – disa javë para se zyrtarët e shëndetësisë të konfirmonin rastet e para me virus.

Analiza nuk është përfundimtare ndërsa disa ekspertë vazhdojnë të jenë skeptikë. Por zyrtarët federalë të shëndetësisë gjithnjë e më shumë po pranojnë një afat kohor gjatë të cilit një numër i vogël infeksionesh me COVID-19 mund të kenë ndodhur në Shtetet e Bashkuara, para se bota të bëhej e vetëdijshme për një virus të ri të rrezikshëm që shpërtheu në Kinë.

“Studimet arrijnë në të njejtin përfundim”, thotë Natalie Thornburg nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC.

“Ka të ngjarë që ka pasur raste shumë të rralla dhe sporadike më herët sesa kemi qenë në dijeni. Por nuk ishte i përhapur dhe nuk u përhap deri në fund të shkurtit”, shton zonja Thornburg, kryehetuese e ekipit të imunologjisë për virusin e rrugëve të frymëmarrjes.

Koronavirusi, që u shndërrua në pandemi, u shfaq në Wuhan të Kinës në fund të vitit 2019. Zyrtarisht, infeksioni i parë i identifikuar në Shtetet e Bashkuara ishte një person nga shteti i Uashingtonit që u kthye nga Wuhani më 15 janar dhe kërkoi ndihmë mjekësore në një klinikë më 19 janar.

Zyrtarët e CDC-së thanë fillimisht se shpërthimi i virusit në Shtetet e Bashkuara ndodhi gjatë një periudhe kohore tre javore nga mesi i janarit deri në fillim të shkurtit. Por hulumtimet që nga ajo kohë – përfshirë kërkime të bëra nga CDC – kanë sugjeruar se një numër i vogël i infeksionesh kanë ndodhur më herët.

Një studim i udhëhequr nga CDC-ja dhe i botuar në dhjetor 2020 që analizoi 7,000 mostra gjaku të dhuruar organizatës së Kryqit të Kuq Amerikan, sugjeron se disa amerikanë ishin infektuar me virus që nga mesi i dhjetorit 2019.

Studimi i fundit, i botuar të martën në internet nga revista “Clinical Infective Diseases”, është realizuar nga një ekip ku përfshihen studiues të Instituteve Kombëtare të Shëndetit, NIH.

Hulumtuesit analizuan mostrat e gjakut të më shumë se 24,000 njerëzve në të gjithë vendin, të mbledhura në tre muajt e parë të vitit 2020 si pjesë e një studimi afatgjatë të quajtur “Të gjithë Ne” (All Of Us) që kërkon të mbledhë të dhëna për 1 milion amerikanë ndër vite për studime shëndetësore.

Sikurse në studimin e kryer nga CDC, këta hulumtues kërkuan për antitrupa në gjak, provë e infeksionit me koronavirus, që mund të zbulohen dy javë pas infektimit.

Studiuesit thonë se nëntë pjesëmarrës në studim – pesë nga shteti Illinoi dhe nga një pjesmarrës nga shtetet Masaçusets, Misisipi, Pensilvania dhe Viskonsin – ishin infektuar më herët se çdo rast i raportuar me kovid në ato shtete.

Një nga rastet e shtetit Ilinoi ishte infektuar që nga Krishtlindja, tha Keri Althoff, profesore në Shkollën e Shëndetit Publik “Bloomberg” në Universitetin Johns Hopkins dhe autorja kryesore e studimit.

Mund të jetë e vështirë të dallohen antitrupat që neutralizojnë SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19, nga antitrupat që luftojnë koronavirusët e tjerë, përfshirë disa që shkaktojnë ftohjen e zakonshme.

Hulumtuesit në të dy studimet nga NIH dhe CDC përdorën disa lloje testesh për të minimizuar rezultatet fallso pozitive, por disa ekspertë thonë se akoma është e mundur që rezultatet pozitive në vitin 2019 të ishin infeksione nga koronavirusë të tjerë dhe jo varianti i pandemisë.

“Ndërsa është plotësisht e besueshme që virusi është futur në Shtetet e Bashkuara shumë më herët sesa vlerësohet zakonisht, nuk do të thotë se kjo është domosdoshmërisht dëshmi mjaft e fortë për të ndryshuar mënyrën e të menduarit”, thotë William Hanage, ekspert për dinamikën e sëmundjes në Universitetin e Harvardit.

Hulumtuesit e NIH ende nuk kanë mbledhur të dhëna nga pjesëmarrësit e studimit për të parë nëse ndonjë prej tyre kishte udhëtuar jashtë Shteteve të Bashkuara para infektimit. Por duhet theksuar se ata gjetën se asnjë nga të nëntë pjesmarrësit nuk jetonin në qytetet Nju Jorkut, Sietëll apo pranë tyre, qytete ku ishte përqendruar vala e parë e infeksioneve në Shtetet e Bashkuara.

“Pyetja qëndron se si dhe ku i hodhi rrënjët virusi”, thotë Keri Althoff, profesore në Shkollën e Shëndetit Publik “Bloomberg” në Universitetin Johns Hopkins. Studimi i ri, thotë ajo, tregon se “ndoshta i ka hedhur rrënjët në shumë qytete të vendit tonë.”

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>