Në laboratorët në të gjithë Shtetet e Bashkuara, shkencëtarët po studiojnë kafshët dhe insektet lidhur me vetitë e tyre për të zbuluar kancerin. Siç njofton korrespodentja e Zëri të Amerikës, Dora Mekouar, hulumtimet e fundit sugjerojnë se bletët dhe qentë mund ta zbulojnë sëmundjen më shpejt sesa pajisjet mjekësore.
Në fillim të këtij viti, studiuesit në Universitetin e Miçiganit zbuluan se bletët me shqisën e tyre të mprehtë të nuhatjes mund të zbulojnë kancerin e mushkërive në frymëmarrjen e pacientit.
“Bota jonë është vizuale. Bota e insekteve bazohet e gjitha tek nuhatja, kështu që aftësia e tyre e nuhatjes është shumë mirë”, thotë për Zërin e Amerikës Debajit Saha, asistent profesor i inxhinierisë biomjekësore në Universitetin e Miçiganit.
Ekipi i tij zbuloi se bletët mund të nuhasin kancerin e mushkërive në frymëmarrjen e një pacienti.
“Hulumtimi ynë tregon se bletët mund të zbulojnë kancerin e mushkërive dhe ndoshta sëmundje të tjera bazuar në erën që mbajnë qelizat”, thotë ai.
Disa bletë u ekspozuan ndaj provave që imitonin frymën e një pacienti me kancer të mushkërive. Në 93% të rasteve bletët mund të dallonin midis frymëmarrjes së një pacienti me kancer dhe frymëmarrjes artificiale të shëndetshme. Bletët gjithashtu mund të dallonin midis llojeve të ndryshme të kancerit të mushkërive.
“Ne mendojmë se diagnostikimi i kancerit përmes frymëmarrjes mund të ndryshojë gjithçka. Arsyeja është se shumë herë ne e zbulojmë kancerin vonë, kur tumori tashmë është rritur”, tregon zoti Saha.
Studiuesit po studiojnë gjithashtu vetitë që ka qeni në zbulimin e hershëm të kancerit. Kafshët janë trajnuar për të njohur aromat specifike të kancerit.
“Shumë kafshë të tjera i kanë gjithashtu shqisat e nuhatjes mjaft të zhvilluara. Por ajo që i bën qentë kaq të mirë është se ata bashkëpunojnë me njerëzit dhe kështu e tregojnë informacionin”, thotë Dr. Cindy Otto, nga Universiteti i Pensilvanisë.
“Qentë duan që të bashkëveprojnë. Ndaj është si një lojë argëtuese për ta. Përdorin trurin e tyre, përdorin hundën për ta zbuluar”, thotë Clara Wilson, nga “Penn Vet Working Dog Center”.
Qentë mund të mendojnë se po luajnë, por studiuesit thonë se ata kanë afëtsi të zbulojnë kancerin më mirë se pajisjet mjekësore.
“Po zbulojmë se këta qen po i kalojnë kompjuterat. Një pjesë e suksesit të tyre është për shkak të aftësisë superiore për të zbuluar molekulat e aromës në krahasim me gjithçka që kemi aktualisht në përdorim”, thotë Amritha Mallikarjun, nga “Penn Vet Working Dog Center”.
Shkencëtarët po vijojnë punën si me qentë dhe me bletët për të mësuar sa më shumë lidhur me aftësitë e tyre për zbulimin e hershëm të llojeve të ndryshme të kancerit.
voa