“Blockchain” – teknologjia që përdoret për menaxhuar dhe mbrojtur në mënyrën më të mirë dhe më të sigurtë të dhënat – njihet si motori pas monedhës dixhitale “Bitcoin”. Aktualisht, një importues amerikan po e përdor këtë teknologji për të përmirësuar jetën e fermerëve të kafesë në disa nga komunitetet më të varfëra në Amerikën Qendrore.
Ivonne Herrera ka një plantacion kafeje në kodrat mbi Santa Rosa de Lima, rreth 40 kilometra larg kryeqytetit të Guatemalës.
“Do të kemi të ardhura të mira nga kafeja. Kemi investuar për këtë dhe sivjet po shohim rezultatet e dy viteve punë” , thotë ajo.
Sikurse shumica e fermerëve të kafesë në botë, Herrera e shiste kafenë në tregun ndërkombëtar të mallrave, ku blerësit bien dakort për një çmim të paracaktuar përpara se produkti të jetë gati. Kjo praktikë, ul çmimet e kafesë dhe i lë të pambrojtur prodhuesit nga luhatjet e monedhës.
Aktualisht, Herrera i shet prodhimet e saj drejtpërdrejt tek një importues amerikan kafeje me një çmim të lartë.
Sistemi në fjalë është ide e vëllezërve Paul dhe Scott Tupper, të cilët shfrytëzuan një biznes të suksesshëm të teknologjisë ‘blockchain’ në Siatëll për të zgjidhur çështjet e qëndrueshmërisë mjedisore në botën në zhvillim.
“Të apasionuarit pas kafesë apo mallrave të tjera kanë parë shtimin e standarteve dhe çertifikatave në treg, që mund të jenë çoroditëse për konsumatorët. Teknologjia ‘blockchain’ ofron një mënyrë për të verifikuar se çfarë po ndodh si nga ana financiare ashtu edhe sociale”, thotë Paul Tupper.
Teknologjia ‘blockchain’ krijon një regjistër llogarie, menaxhon dhe konfirmon transaksionet në mënyrë të verifikueshme dhe transparente nga të gjitha palët e interesuara, që nga kultivuesit e kafesë, e deri tek importuesit dhe specialistët. Kompania e dy vëllezërve beson se shumica e konsumatorëve duan të dinë nga vjen kafeja e tyre në mënyrë që të paguajnë kultivuesit e kafesë çmime që tejkalojnë madje edhe standardet e tregtisë së drejtë të kafesë.
Garantimi i çmimeve më të larta u mundëson fermerëve si Ivonne Herrera që jo vetëm të investojnë dhe mbrojnë pronat e tyre, por gjithashtu t’i paguajë më mirë punonjësit, duke rritur standardin e jetesës në komunitet.
voa