Një raketë e kompanisë SpaceX do të lëshohet nga Kalifornia sonte vonë, në kuadër të një misioni të NASA-s për të testuar sistemin e parë mbrojtës planetar, i projektuar për të devijuar një asteroid nga përplasja me Tokën. Misioni i quajtur DART do të testojë aftësinë e NASA-s për të ndryshuar trajektoren e një asteroidi me forcë kinetike, duke përplasur një sondë në të me shpejtësi të lartë dhe duke shtyrë gurin hapësinor aq sa për të shmangur përplasjen me Tokën.
Duket si një temë e filmave të Hollivudit, por kërcënimi ndaj Tokës nga asteroidët është i rrënjosur në fakte e jo trillime.
Për këtë arsye NASA do të nisë atë që konsiderohet si misioni i parë i njerëzimit për të testuar mundësinë e devijimit të trajektores së një asteroidi.
“Ne mund të mësojmë nga ky mision se si t’i gjejmë objektet hapësinore dhe gjithashtu shpresojmë si t’i shmangim ato dhe t’i largojmë nga zona e rrezikshme e Tokës”, thotë zyrtari i NASA-s, Thomas Zurbichen.
NASA njoftoi në fillim të këtij viti se Toka nuk do të jetë e kërcënuar nga asteroidët në shekullin e ardhshëm, por zoti Zurbuchen thotë se shkencëtarët besojnë se vetëm një e treta e kërcënimeve të tilla janë diktuar deri më tani.
“Është gjithashtu e vërtetë se nga të gjitha objektet hapësinore që janë të përmasave të mëdha që do të mund përplaseshin me Tokën, ne kemi vëzhguar vetëm një të tretën e tyre. Dhe, të them të drejtën, është një nga detyrat tona që të vëzhgojmë dy të tretat e tjera të asteroidëve në dekadën e ardhshme”, thotë ai.
Sonda DART, që do të lëshohet nga Baza e Forcave Hapësinore Vandenberg në Kaliforni, me një raketë të kompanisë SpaceX, do t’i ndihmojë ekspertët të përcaktojnë nëse përplasja e qëllimshme e një sonde me një asteroid është një mënyrë efektive për të ndryshuar kursin e tij.
“Ne do të përplasemi me një asteroid të madhësisë së një stadiumi futbolli, që ndodhet në orbitën e një asteroidi tjetër 5 herë më të madh. Pastaj, ne do të masim ndryshimin real të orbitës së tij rreth objektit dytësor”, thotë zoti Zurbuchen.
Shkencëtarët zgjodhën asteroidin e dyfishtë “Didymos” si objektiv të këtij misioni. Asteroidi në orbitën e tij, “Dimorphos” ka një diametër prej rreth 160 metrash. Asteroidi që çoi në zhdukjen edinosaurëve kishte një diametër prej rreth 10 kilometrash.
Kur sonda DART të mbërrijë atje në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit të vitit të ardhshëm, ajo do të përdorë programin autonom të navigimit për t’u përplasur qëllimisht në asterodin “Dimorphos” me një shpejtësi prej afërsisht 6.6 kilometrash në sekondë.
Shkencëtarët shpresojnë se goditja do të ndryshojë shpejtësinë e orbitës së asterodit me vetëm një fraksion të 1 përqindëshit, e mjaftueshme për të ndryshuar periudhën e saj orbitale me disa minuta.
“Duke ndryshuar orbitën, duke matur ndryshimin të orbitës, ne shpresojmë të mësojmë se me çfarë force dhe më çfarë shpejtësie duhet goditur një objekt i këtij lloji për të shmangur rrezikun e përplasjes me Tokën në të ardhmen”, thotë zoti Zurbuchen.
Nëse gjithçka shkon mirë, përplasja do të ndodhë në një distancë prej vetëm 11 milionë kilometrash nga Toka, duke e bërë të mundur vëzhgimin me teleskopë tokësorë të kësaj ngjarje.
Sonda DART është planifikuar të lëshohet të martën në mbrëmje nga Baza e Forcave Hapësinore Vandenberg në Kaliforni.
voa