Prokuroria i kërkon gjykatës të caktojë masën e sigurisë “arrest me burg’ për Kostandin Xhuvanin dhe Erald Sidën, dy prej të arrestuarve pas masakrës së djeshme në lokalin e natës Ante Grand. Kostandin Xhuvani akuzohet “për 4 vrasje’, për “vrasje për shkak të cilësive të vecanta të viktimës’ dhe “për armbëmbajtje pa leje’, ndërsa për mikun e tij Erald Sida, nuk ka ende një akuzë përfundimtare, pasi pritet ekspertiza e armës tjetër të gjetur në vendngjarje, por deri më tani, ai akuzohet për bashkëpunim në vrasje, përkrahje të autorit dhe për shfrytëzim prostitucioni. Nga 3 arrestimet që policia bëri dje, pas hekurave kanë mbetur vetëm Xhuvani e Sida, ndërsa miku i tyre Albano Ballcaj, është lënë i lirë, pasi hetuesit nuk kanë gjetur elementë, që e përfshijnë atë në konfliktin me armë. Sipas burimeve, Albano është djali i tezes së Arbër Demirajt, një nga viktimat e djeshme, i cili me sa duket u vra gabimisht gjatë masakrës.
Sipas burimeve, gjatë marrjes në pyetje i dyshuari kryesor Kostandin Xhuvani dhe miku i tij Erald Sida, i qëndrojnë versionit se nuk mbajnë mend asgjë dhe nuk pranojnë autorësinë e krimit.
2 personat në fjalë u arrestuan dje herët në mëngjes, pas masakrës që ndodhi në lokalin e natës “Ante Grand” ku nga armët e zjarrit mbetën të vrarë 4 persona. (Ballkanweb)