Niveli i ujrave në shumë nga zonat e përmbytura është ulur, por ende nuk ka një përmirësim të dukshëm të situatës. Tokat dhe banesat janë përmbytur ndërkohë që banorët në mëngjes u rikthyen në pjesen më të madhe të tyre për të shpëtuar atë çfarë mund të ketë mbetur pa u shkatërruar nga ujrat.Banorët e Novoselës, një zonë e goditur rëndë nga përmbytjet, kërkojnë që të marrin ndihmë nga shteti për të larguar sa më parë ujin nga shtëpitë e tyre, si dhe të dëshmpërblehen për humbjet që kanë pësuar sidomos në bagëti.
Fermerët dhe blegtorët e kësaj zone, por jo vetëm, nuk i kanë braktisur banesat dhe tokat e tyre, pavarësisht rreziku që i kanoset prej vërshimeve të ujit. Ata po përpiqen të shpëtojnë çfarë të munden nga pushtimi i ujit, por barinjtë thonë se humbjet në dhen janë në masë të madhe. Ende nuk ka një shifër për humbjet në bagëti, ndërsa problem mbetet prania e kafshëve të ngordhura në zonat e përmbytura.
Mesditen e së martës, Ministria e Brendshme njoftoi se një sipërfaqe prej 5 mijë hektarësh në mbarë vendin ndodhet nën ujë për shkak të përmbytjeve të ditëve të fundit. Me anë të një njoftimi për 35t, bëhet e ditur se janë evakuuar 420 familje dhe se ka nisur shpërndarja e ushqimeve për familjet në zonat më të goditura, kryesisht në fshatin Novoselë të Vlorës. Po ashtu ndihma do të ketë për familjet në Levan të Fierit dhe Urën Vajgurore, një zonë po ashtu e përfshirë nga përmbytjet.
Ministria e Brendshme siguron se gjendja është nën monitorim, ndërkohë që lumi i Semanit ka arritur në nivele kritike për shkak të prurjeve të shumta.
Vjosa ka më pak prurje dhe gjendja po shkon drejt normalizimit, ndërsa probleme hasen në aksin rrugor Vlorë-Selenicë, ku disa segmente janë ende nën ujë.
Në qarkun e Beratit janë dëmtuar mjaft sera, por ende nuk është bërë përllogaritja e dëmit të shkaktuar. / Top Channel