Deputeti socialist, Alket Hyseni në fjalën e tij gjatë seancës parlamentare në lidhje me projektligjin për disa ndryshime në Kodin Penal ka sulmuar hapur presidentin Ilir Meta në lidhje me dekretin e kthimit të ligjit për ndryshimet në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor.
Në fjalën e tij, Hyseni është shprehur se presidenti Meta ka tre qëllime si opozitari i fundit institucional.
Tre qëllimet e Metës sipas Hysenit janë: pengimi i reformave në përgjithësi, lufta për lidershipin e opozitës dhe qëllimi i fundit është një hall personal në lidhje me drejtësinë.
“Duhen gjurmuar paratë e pista, dhe kjo nuk bëhet si rrufe në qiell të hapur, nëse nuk i japim mbështetje Policisë së Shtetit. Jemi përpjekur të adresojmë shqetësimet bazë. Së bashku me kolegët Balla, Gjina e Manja, kemi sjellë një amendament me dy ndryshime bazike, që synojnë ruajtjen e rolit të Prokurorisë në këtë proces dhe ruajtjen e frymës së parimeve të kodit. Kemi sjellë një institucion të ri për këtë ligj, Komitetin për parandalimin dhe goditjen e parave të pista, që ndodhet pranë Ministrisë së Brendshme. Mendoj se kjo iniciativë është e frytshme. Në ligjin specifik të policisë fusim dhe mbikëqyrjen dhe mirë administrimin e fushatës zgjedhore nga policia. Tashmë ne përcaktojmë në ligj detyrat bazë të policisë, bashkëpunimin me administratën zgjedhore, mbikëqyrja e rregullt e fushatës, si dhe raportimi në KQZ e çdo institucion që përcaktohet në ligje specifike. Ky ndryshim ligjor është edhe në kuadër të marrëveshjes së 5 qershorit, që bëmë me opozitën, opozitë e cila na la mbrapa me disa aspekte kryesore të marrëveshjes, por ne bëjmë detyrën tonë.
Ne jemi në rrugën e duhur për të përmbushur të gjitha detyrimet që buruan nga marrëveshja e 5 qershorit. Le të shpresojmë që opozita e rrugës të mos e pengojë, siç bëri për 3 vite, duke përdorur çdo mekanizëm për të penguar reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore. Është nga të paktat raste në botë që opozita nuk është e interesuar për ndryshimin dhe përmirësimin e Kodit Zgjedhor, duke hyrë e dalë nga Kuvendi, duke hyrë e dalë në bulevarde. Duke hyrë e duke dalë kjo opozitë edhe në tryezën, që krijuam, në Këshillin Politik. Të shpresojmë që veglat e fundit opozitare, që është presidenti, të mos e kthejnë këtë ligj. Jo se do na bëjë ndonjë dëm të madh, por thjesht na detyron t’i tregojmë vendin kujtdo që pengon reformën. Nëpërmjet Presidentit, si opozitari i fundit institucional, ka tre qëllime: së pari, pengimin e reformave në përgjithësi, por nuk mund ta bëjë këtë. Nëse ne nuk ndryshojmë Kodin Zgjedhor do të çonim në pamundësinë e bërjes së zgjedhjeve më 25 prill.
Qëllimi i dytë i presidentit është personal, lufta brenda opozitës për lidershipin e asaj opozite të çartur. Kjo nuk është problem për ne, le të zgjedhin kë të duan lider, me ne do të përballen me 25 prill dhe do ta marrin përgjigjen më 26, përmes sovranit, që do mbështesë në mandatin e tretë kryeministrin.
Qëllimi i fundit është hall personal, këtu nuk e ndihmojmë dot, për shkeljet pafund që i ka bërë Kushtetutës. Jam i bindur se herët apo vonë do të japë llogari, ashtu siç jepet llogari në demokraci, përmes votëbesimit, por edhe duke shkuar në dyert e drejtësisë. Nuk do të doja që kjo zyrë ikonë e shtetit demokrat, Presidenca, të përfundonte aty. Megjithatë, Shqipëria ka prodhuar vazhdimisht çudira. Shpresojmë në këto pak muaj që të marrë vendim për t’u tërhequr apo për t’i dhënë ngjyrat e duhura Presidencës”, u shpreh Hyseni.
Top Channel