Lulzim Basha: “Shqiptarët meritojnë llogaridhënie se ç’u bë me paratë e tyre”

Kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha i ftuar në Bundestag, pas takimeve me deputetët gjermanë në intervistë me Deutsche Welle mbi skandalin e CEZ, ngecjen e dekriminalizimit e reformën në drejtësi.

Lulzim BashaDW: Zoti Basha ju vizituat papritur Berlinin më 1 Tetor: – ardhja juaj në Berlin ishte thjesht një vizitë e radhës, apo kishte ndonjë lidhje me zhvillimet e fundit të ndezura në Shqipëri?

Lulzim Basha: Vizita sot në Berlin është në kuadër të shkëmbimeve me partinë tonë simotër kristiandemokrate të kancelares Merkel dhe sigurisht gjatë vizitës janë diskutuar edhe zhvillimet shokuese në skenën politike shqiptare të dy javëve të fundit.

E cila është mbështetja që morët nga kristiandemokratët gjermanë?

Partia Demokratike po bashkëpunon ngushtësisht me kristiandemokratët gjermanë dhe me Fondacionin Konrad Adenauer për hartimin e alternativës së saj para votuesve shqiptarë, programin qeverisës të demokratëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në këtë kuadër ne vazhdojmë të marrim mbështetje të plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, nga partitë simotra dhe në veçanësi nga kristiandemokratët gjermanë si përsa i përket anës përmbajtësore të programit, ofertës sonë që kanë të bëjnë me aspektet e zhvillimit ekonomik, të ringjalljes së shpresës për një Shqipëri të zhvilluar mbi bazën e parimeve të konkurrencës së lirë, luftës kundër korrupsionit e mbi bazën e meritës, por po kështu edhe përsa i përket organizimit e riorganizimit të Partisë Demokratike për të pasur një përballje të suksesshme në sfidën elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme.

Aktualisht Shqipëria është tronditur nga një skandal i CEZ, ju e quani megaafera e CEZ – dhe i drejtoni akuzat si ndaj Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta ashtu edhe ndaj kryeministrit Edi Rama. Ju kërkoni hetim ndërkombëtar, pra doni që gjykatësit e huaj të hetojnë të dy krerët aktualë në qeverisje?

Akuzat ndaj Kryetarit të Kuvendit janë publikuar nga Rrjeti i Gazetarëve Investigativë të Ballkanit Perëndimor, BIRN, bazuar mbi dokumente zyrtare të avokatëve të qeverisë shqiptare e opozita ka bërë detyrën e saj duke mbajtur qëndrimin politik, të shpallur tashmë, kërkesën për dorëheqje të Ilir Metës dhe vënien e tij në dispozicion të një hetimi të plotë, të pavarur e të gjithanshëm. Po është bërë e qartë ana tjetër e kësaj afere, që ka të bëjë me 500 milionë euro, fatura e detyrime të njohura nga CEZ ndaj shqiptarëve, ndaj buxhetit të shtetit që u falën apo u ndanë në mënyrë misterioze përmes terminimit të papërgjegjshëm e jo transparent të arbitrazhit ndërkombëtar dhe një marrëveshje sekrete, për të cilën dëgjojmë lloj-lloj justifikimesh, por e vërteta vazhdon të mbetet e fshehur. Kush ka përfituar dhe sa ka përfituar nga kjo marrëveshje, ku kanë shkuar 500 milionë euro të shqiptarëve, këto janë pyetje legjitime, të cilat mund dhe duhet të marrin përgjigje përmes një hetimi ndërkombëtar. PD ka çuar në parlament draftligjin për këtë, në bazë të një përvojë të mëparshme, kërkesë e cila për fat të mirë, ka marrë edhe mbështetje nga brenda mazhorancës.

Por mazhoranca nuk është për një hetim ndërkombëtar, duke iu referuar institucioneve të drejtësisë shqiptare….

Përpjekjet për t’i ikur hetimit ndërkombëtar vetëm se demaskojnë përgjegjësinë e hapur të Edi Ramës si kundërshtar i vetëm deri më tani i propozimit tonë, për t’i ikur hetimit ndërkombëtar dhe për të mbuluar këtë skandal, këtë megaaferë, këtë vjedhje të shekullit. I bëj thirrje deputetëve socialistë që të ngrihen në lartësinë e ndërgjegjes dhe pritshmërisë që kanë edhe votuesit e tyre, paratë janë të shqiptarëve, nuk janë as të Edi Ramës, as të Lulzim Bashës, as të Ilir Metës, shqiptarët meritojnë llogaridhënie se ç’u bë me paratë e tyre. Është e njëjta drejtësi, të cilën Edi Rama e anatemon, e shantazhon, shan në një fjalor të papranueshëm, dhe tek e cila kthehet dhe bën avokatin, kur nuk i leverdis të zbardhet e vërteta. Unë dhe Partia Demokratike jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund, me çdo mjet demokratik deri në zbardhjen e së vërtetës e nxjerrjen e përgjegjësve para ligjit.

Por CEZ ka qenë aktive edhe në kohën që pushtetin e kishin demokratët, e ka shumë zëra që thonë se ka edhe demokratë që i kanë duart pis…

Sa herë që opozita dhe unë si kreu i saj drejtojmë gishtin bazuar mbi fakte, shifra e argumente ndaj Edi Ramës, ky kthehet jo me përgjigje ndaj akuzave, por me përpjekje për delegjitimim të opozitës. Ne jemi të hapur për një hetim të plotë e gjithëpërfshirës, për dy vjet me radhë qeveria e ka pasur pasur shansin ta bëjë këtë, jo vetëm nuk e ka bërë, por nuk ka ngritur asnjë akuzë. Tani që akuza të rënda rëndojnë mbi Edi Ramën për humbjen, abuzimin, vjedhjen, shpërdorimin e 500 milionë eurove të shqiptarëve, ai kujtohet të bëjë akuza kundër atyre që po i ngrenë këto çështje jo për interesin e tyre politik, por për interesin publik të shqiptarëve. Ne nuk kemi asnjë rezervim ndaj subjektit të hetimit.

Mediat kanë folur këto kohë për një takim Basha-Rama, duke nënkuptuar me këtë prapaskenat vepruese në politikë për koalicione të reja, sa të vërteta janë këto zëra?

Nuk ka asnjë takim sekret të Lulzim Bashës me asnjë nga bashkëpërgjesit e gjendjes ku është katandisur vendi, familjet, të cilat kanë marrë rrugën e eksodit si asnjëherë më parë në këto 20 vite. Por ka një përballje të fuqishme të Lulzim Bashës, Partisë Demokratike dhe opozitës me shkaktarët e kësaj gjendjeje, me Edi Ramën dhe Ilir Metën, me politikat e tyre të gabuara, me politikën e lakut në fyt, të kërbaçit për qytetarët e të korrupsionit e megaaferave për qeveritarët, me politikën e ndëshkimit të berberëve, por të lartësimit të ministrave të lidhur me narkotrafikun, siç është Ministri i Brendshëm. Në këto kushte është jo vetëm qesharake, por edhe e papranueshme, e refuzueshme, unë e refuzoj me përbuzje çdo insinuatë për pakte me ta.

Dekriminalizimi – një çështje që u ngrit dhe u ndërkombëtarizua nga opozita, por ende sot nuk është mbyllur- megjithë përpjekjet për një ligj e komision të posaçëm dekriminalizimi. Ku ngec kjo çështje?

Aktualisht po negociohet për draftin e opozitës, ne jemi të hapur për këtë, i cili kërkon konsesusin e dy palëve të tjera në parlament, ne jemi të vendosur të mos heqim dorë nga asgjë që dëmton thelbin e këtij ligji. Thelbi është ndalimi i kandidimit të personave me rekorde kriminale e largimi i menjëhershëm i këtyre personave nga zyrat publike që kanë okupuar vitet e fundit për shkak të përzgjedhjes së tyre enkas nga Edi Rama për të shërbyer si deputetë, kryetarë bashkish, duke poshtëruar popullin shqiptar, siç janë shprehur aleatët tanë, me kandidatura të padenja e kriminale që populli shqiptar nuk i meriton. Duke moskompromentuar thelbin e propozimit tonë ne jemi gati e presim bashkëpunim për kalimin e ligjit në parlament.

Po ju vetë jeni të sigurtë se njerëzit tuaj janë me kostum të papërlyer?

Sigurisht që jo, por unë jam i sigurtë në atë që kam thënë e dua ta përsëris sot se në Partinë Demokratike nuk ka vend për njerëz të tillë, se pavarësisht stadit në të cilin gjendet përpjekja jonë, ligji për dekriminalizimin, unë kam nisur iniciativën time për komisionin e përhershëm të integritetit në Partinë Demokratike të kryesuar nga Dr. Halim Kosova, detyra e të cilit do të jetë skanimi i çdo zyrtari të Partisë Demokratike në strukturat partiake, administrative apo shtetërore me qëllim shmangien e çdo personi me të shkuar kriminale dhe mosinfiltrimin e këtyre personave në strukturat e Partisë Demokratike. Partia Demokratike e ka dëshmuar jo me fjalë, por me vepra, se sa herë që janë evidentuar persona me rekorde të mundshme kriminale në gjirin e saj ka vepruar.

Drejtësia është ende thembra e Akilit në Shqipëri. Edhe kancelarja Merkel në vizitën e saj të parë e vuri theksin aty. Kërkohet një konsesus pozitë-opozitë për reformën, e cila ende nuk është arritur. Ju si demokratë çfarë do të ishit të gatshëm të ofronit që kompromisi të funksionojë – dhe reforma në drejtësi të marrë udhë?

Ne kemi ofruar 300 amendamente, nuk ka pasur asnjë forcë politike në historinë e pluralizmit që të jetë angazhuar kaq shumë për të kontribuar realisht në një reformë të drejtësisë. Ne e duam reformën në drejtësi, ne duam një drejtësi të pakorruptuar, të pastër nga korrupsioni, ku luftohet korrupsioni, ku hiqen e dërgohen para ligjit prokurorët e korruptuar, por ne nuk mund të pranojmë kurrë një drejtësi të kapur nga politika. Përpjekja për të rikthyer në sistemin e drejtësisë hetues, prokurorë, gjyqtarë të kohës së komunizmit, përpjekja për të larguar nga vendimmarrja faktorë kushtetues siç është Presidenti i Republikës apo për të zeruar kontributin e opozitës në kundërshtim me doktrinën që ka paraqitur Komisioni i Venecias, tregojnë se dyshja Rama-Meta më shumë se reformën në drejtësi është e interesuar në kapjen e drejtësisë. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për ta parandaluar këtë e në këtë beteje kemi si mbështetje edhe faktorin ndërkombëtar, pa të cilin kjo reformë nuk mund të realizohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>