Opozita bllokon 5 akset nacionale. Basha në Milot: Opozita e vetme jemi ne

milot bashaAshtu si kishte paralajmëruar, opozita bllokoi 5 akset kombëtare këtë të enjte. Duke filluar nga ora 18, për më shumë se 60 minuta, rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja” në Tiranë u bllokua nga mbështetësit e PD-së dhe LSI-së.

E bllokuar u mbajt edhe autostrada e Milotit, ku kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu bashkua protestuesve.

Kryedemokrati e bëri të qartë se, për koalicionin opozitar nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor.

“Më 30 qershor nuk ka për të pasur zgjedhje në Shqipëri, këtë e di edhe bufi edhe vëllai i bufit Edi Rama. Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Ato vetëm zgjedhje nuk janë. Opozita as nuk zgjidhet, as nuk shpiket. Ne nuk do të lejojmë me asnjë mjet, me asnjë forme, krim elektoral. Zgjedhje farse në Shqipëri nuk do të ketë më. Ta di mirë Edi Rama, shërbëtoret dhe mercenarët e tij, në burg do të shkojnë ata që cënojnë zgjedhjet. Në burg do të shkojë Vangjush Dako, bashkëpuntorët e Edi Ramës që janë kapur duke vjedhur zgjedhjet”, tha Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike.

Basha ritheksoi edhe njëherë se opozita nuk do të pranojë një marrëveshje me Ramën kryeministër.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të tilla, kur kujdestar është përdhunuesi i zgjedhjeve, Edi Rama. Rama nuk di të organizojë më zgjedhje. Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm i opozitës. Ndaj, le ta dijë fare mirë se kjo e sotmja është vetëm fillimi i mosbindjes civile. Asnjë hap pas nuk do të ketë, asnjë kompromis me të keqen nuk do të ketë. Largimi i Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike është mundësia e fundit për të shmangur përplasjen e popullit”, tha Basha.

Edhe në Elbasan, rrethrrotullimi i Bradasheshit qëndroi i bllokuar nga mbështetësit e opozitës, ku nuk munguan djegia e gomave dhe as thirrjet “Rama ik”. Në të njëjtën kohë, protesta u zhvillua edhe në autostradën Plepa-Kavajë. Protestuesve atje iu bashkua edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

“Është paralajmërim për Ramën. Akoma nuk ka filluar. Akoma nuk ka filluar mosbindja civile. Akoma Edi Rama nuk e ka parë revoltën e shqiptarëve”, tha Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së.

Ndërkohë, edhe në Fier mbështetësit e opozitës bllokuan rrethrrotullimin e Sheqit. Opozita thotë se, kjo formë proteste e bllokimit të akseve kryesore në vend pritet të jetë e përjavshme.

Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>