OSBE i bëri sot thirrje komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore të zbatojë rekomandimet e zyrës ODIHR pas dy zgjedhjeve të fundit dhe ta mbajë këtë si qëllim kryesor në punën e vet.
Drejtuesi i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasador Bernd Borchardt, i dha këto komente në një konferencë të posaçme mbi zgjedhjet shqiptare, ku morën pjesë deputetë e politikanë, diplomatë dhe ekspertë vendas e ndërkombëtarë.
“Raporti i fundit për zgjedhjet e qershorit theksoi nevojën për veprime solide për të trajtuar çështjen e blerjes së votës dhe abuzimit me burimet shtetërore, edhe me ndjekje penale. OSBE mirëpret lajmin që prokuroria ka hapur çështje për abuzimin me burimet shtetërore dhe ne i bëjmë thirrje prokurorisë të ndjekë edhe rastet e ditura të blerjes së votës” – tha ambasadori Borchardt.
Ai shtoi se besimi tek procesi zgjedhor është i rëndësishëm dhe ai nuk mund të arrihet duke futur disa masa dhe pajisje teknike. Teknologjia e votimit nuk mund të krijojnë besim dhe nuk mund të zëvendësojnë besimin te sistemi zgjedhor.
Megjithatë OSBE rekomandoi të shqyrtohet numërimin elektronik pa shumë shpenzime financiare, që të mos sulmohej lehtë nga piratët e kibernetikës, si dhe mund të kontribuonte në depolitizimin e një pjese të administratës zgjedhore.
Ambasadori amerikan, Donald Lu, deklaroi sot se në zgjedhjet e kaluara ishin probleme kryesore blerja e votës, kërcënimi i votuesve, klima e pandershme mediatike dhe keqfunksionimi i komisioneve me pjesëtarë partiakë.
“Këto probleme themelore, nuk zgjidhen me votim elektronik, (i cili ka edhe ai ndikimin e vet), por me përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it nga dy zgjedhjet e fundit”, tha ai. (voa)