Parlamenti Europian: Shqipëria të plotësojë të gjitha kushtet për negociatat

EUKlima e polarizuar politike, tensionet dhe mungesa e dialogut mes palëve në Shqipëri është shqetësuese për proceset demokratike.

Raporti i fundit që Komisioni i jashtëm i Parlamentit Europian miratoi për progresin e Shqipërisë lidhur me hapjen  e negociatave të anëtarësimit mbështet “zhvillimin pa vonesa të mëtejshme të konferencës së parë ndërqeveritare, pas përmbyshjes së plotë të kushteve të vendosura nga Këshilli Europian.”

Raporti në fjalë vlerëson prioritare në progresin e Shqipërisë “reformat e pakthyeshme, të qëndrueshme lidhur me sundimin e ligjit, funksionimin efektiv të institucioneve demokratike dhe administratës publike dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”

Lufta kundër korrupsionit në nivele të larta

Parlamenti Evropian në raportin e për progresin e Shqipërisë lidhur me plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave tërheq vëmendjen për rëndësinë e sundimit të ligjit dhe “ndjekjes penale të qëndrueshme të korrupsionit në nivele të larta”

Raporti shpreh shqetësim për praktikën që lejon Policinë e Shtetit të marrë donacione private dhe sponsorizime. “Akuzat për korrupsion vazhdojnë të minojnë besimin e publikut tek qeveria dhe institucionet demokratike në përgjithësi” konstaton Parlamenti Evropian.

Raporti vlerëson në mënyrë të posaçme procesin e vettingut në kuadër të reformës në drejtësi dhe bën thirrje për ” përshpejtim të procedurave të vetting-ut

“Ngritja e një gjyqësori funksional, të pavarur dhe të përgjegjshëm është një parakusht për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare” thekson raporti.

Në këtë kontekst Parlamenti Evropian vlerëson bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe pjesërisht të Gjykatës së Lartë.

Funksionimi i institucioneve demokratike

Klima e polarizuar politike, tensionet dhe mungesa e dialogut mes palëve në Shqipëri është shqetësuese për “proceset demokratike”. Parlamenti Evropian u bën thirrje drejtuesve politikë ” të krijojnë një klimë besimi përmes rritjes së transparencës, kapërcimit të mungesës së bashkëpunimit dhe sigurimit të funksionimit normal demokratik të institucioneve”.

Raporti vë në dukje “përgjegjësinë e përbashkët të forcave politike në Shqipëri për të lënë mënjanë akuzat, vendimet e një anëshme dhe bojkotet”. Si shembull pozitiv drejt kësaj përqasjeje politike Parlamenti Evropian përmend Marrëveshjen e 5 qershorit të vitit të kaluar, për realizimin e reformës zgjedhore.

Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit

Për Parlamentin Evropian zhvillimi i këtyre zgjedhjeve në mënyrë të tillë që të cilësohen “të lira dhe të ndershme është shumë i rëndësishme për integrimin në BE”.

Në këtë kontekst raporti shpreh shqetësim lidhur me akuzat “për blerje votash ” dhe sjell në vëmendje se ndjekja penale e rasteve të blerjes së votës ” është një nga kushtet e Këshillit Europian, të vendosura në mars 2020.

“Të gjitha forcat politike, institucionet e  shtetit,shoqëria civile dhe media kanë një detyrë të përbashkët për të siguruar një fushatë zgjedhore transparente, të besueshme dhe objektive, të ꞔliruar nga disinformimi, kërcënimi dhe akuzat e rreme,” thekson raporti

Krahas vlerësimit të marrëveshjes së 5 qershorit 2020 për kryerjen e reformës zgjedhore, Parlamenti Evropian vë në dukje dështimin në arritjen e një konsensusi gjithëpërfshirës, në amendimet që iu bënë Kodit Elektoral, “Parlamenti miratoi amendime të diskutueshme të Kodit Zgjedhror pa konsensus ndërpartiak pavarësisht thirrjeve të përsëritura ndërkombëtare për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias,” vë në dukje PE.

Pastrimi i parave dhe liria e medias

Ndër shqetësimet që evidenton Parlamenti Evropian është edhe ai për pastrimin e parave në Shqipëri, “sidomos në sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të patundshme”.

Në kontekstin e paketës së diskutueshme anti-shpifje, raporti në fjalë bën thirrje për “zbatimin e plotë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, të qershorit 2020.”

“Çdo rishikim i ligjeve të medias dhe Kodit Penal duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke garantuar që zërat dhe opinionet e shoqërisë civile, medias dhe gazetarëve të dëgjohen për të përmirësuar lirinë e medias dhe mjedisin e punës së gazetarëve të pavarur”thekson raporti.

Burime zyrtare në Tiranë mendojnë pas publikimit të raportit të Parlamentit Evropian se konferenca e parë ndërqeveritae e BE për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë pritet të zhvillohet brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, gjatë presidencës portugeze të Këshillit Europian.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>