PE: Shqipëria të intensifikojë reformat

peMiratohet rezoluta. Vlerësohet përparimi i bërë, por konsiderohet i pamjaftueshëm për të mundësuar nisjen e bisedimeve për anëtarësim

“Që Shqipëria të nisë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin europian, duhet të intesifikojë reformat në fushat kyçe si Shteti ligjor, Reforma në Drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në administratën publike dhe në fushën e të drejtave të njeriut”, nënvizon rezoluta për Shqipërinë e miratuar sot nga Parlamenti europian. “Vendi ka bërë përparim në reformat kyce politike dhe administrative, por nevojitet të bëhet më shumë për të arritur atë nivel që kërkohet për nisjen e bisedimeve për anëtarësim”, vlerëson rezoluta.

Sipas dokumentit, eurodeputetët “mbeten të shqetësuar për korrupsionin e përhapur në arsim, shëndetësi, gjyqësor dhe fusha të tjera”. Ata janë shprehur të shqetësuar gjithashtu për “autocensurën e përhapur mes gazetarëve, të cilët ndonjëherë janë penguar fizikisht për të mbuluar ngjarje të vecanta, janë sulmuar dhe kërcënuar për shkak të detyrës së tyre”.

Rezoluta ndërkohë mirëpret angazhimin e Shqipërisë në luftë kundër radikalizmit dhe terrorizmit dhe lavdëron vendin për masat e marra për të penguar luftëtarët e huaj që t’i bashkohen ISIS-it në Irak dhe Siri, ndërsa “rekomandon që Shqipëria të ndajë më shumë informacion për këtë cështje me shtetet anëtare”.

“Shqipëria është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit. Vendi aktualisht po përgatit një Reformë në Drejtësi vërtetë ambicioze, e cila do t’i japë përgjigje shqetësimeve më kryesore që kanë qytetarët dhe do të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit në jetën e përditshme. Qytetarët shqiptarë duan të jenë gati për anëtarësim. Tani, i takon udhëheqësve politikë të kapin momentin dhe të vazhdojnë me zbatimin e reformave”, deklaroi relatori për Shqipërinë, europarlamentari Knut Fleckenstein.

Menjëherë pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë, Komisioneri europian për politikat e zgjerimit, Johannes Hahn, e përshëndeti vendimin. Përmes një postimi në Twitter, ai shkruan se “Mbështetja e PE për Shqipërinë vazhdon në rrugën e progresit. BE është vendimtare”, thekson komisioneri Hahn. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>