Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ka ndarë lajmin për sektorin e turizmit në Shqipëri, duke njoftuar një rritje të jashtëzakonshme gjatë dekadës së fundit. Sipas tij, Shqipëria ka kaluar nga 3.6 milionë vizitorë të huaj një dekadë më parë në një shifër rekord prej 11.7 milionësh në vitin 2024.
“Gjatë dekadës së fundit, udhëtimi transformues i Shqipërisë në turizëm i përngjan një fluturimi që e ka ngjitur vendin në pikën më të lartë të suksesit të këtij sektori. Nga 3.6 milionë vizitorë të huaj që prisnim 10 vite më parë, kryesisht në pak muajt e verës, një dekadë më vonë, në vitin 2024 mirëpritëm 11,7 milionë vizitorë të huaj, duke kaluar befasishëm nga sezonaliteti në një industri, ingranazhet e së cilës vënë në lëvizje një zinxhir të gjatë ekonomie e që sjell miliarda euro për vendin.
Rimëkëmbja e Shqipërisë në turizëm është vlerësuar dhe promovuar fort edhe nga Organizata Botërore e Turizmit duke e përzgjedhur vendin tonë disa herë si qendër të ngjarjeve dhe vëmendjes së industrisë globale të udhëtimeve dhe duke e bërë Shqipërinë kryesuese të Barometrit të turizmit”, shkruan Kryeministri Rama.
Në një intervistë për “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH 1, zëvendësministrja e Turizmit, Ilva Gjuzi, theksoi se gjatë 2024 vendi u vizitua 11.7 milionë turistë, duke shënuar në rritje me 15 %, ndërsa të ardhurat nga sektori vetëm për janar–shtator ishin 3.9 miliardë euro.
“Sektori prioritar që po gjeneron të ardhura për ekonominë shqiptare është turizmi. Ne mbyllim 2024 me 11.7 milionë turistë, kemi një rritje me 15 %. Turistët nuk vijnë tashmë vetëm për det dhe diell në pikën e sezonit, por shtrihen gjatë gjithë vitit. 3.9 mld euro kemi bërë vetëm nga janari në shtator për 2024. Për qytetarët shqiptarë kjo ka një impakt dhe në strukturat akomoduese ku baza është zgjeruar jo vetëm me hotelet por edhe qiratë afatshkurtra të apartamenteve. Duhet të kemi një ofertë akomoduese të certifikuara dhe kjo shkon përtej nevojës së formalizmit të tyre, por edhe te nevoja për të certifikuar atë strukturë nga ana cilësore dhe turisti kur vjen në Shqipëri të dijë ku shkon dhe të mos ketë surpriza të pakëndshme”, tha ajo.
Gjuzi theksoi gjithashtu se turizmi në Shqipëri nuk është më i fokusuar vetëm në plazhe dhe diell, por ka një sezon turistik më të shtrirë gjatë gjithë vitit. Për vitin 2025, Gjuzi nënvizoi se Shqipëria duhet të vijojë të zhvillojë produkte të reja turistike dhe të investojë në infrastrukturë që lidhin destinacionet natyrore dhe kulturore.
“Ajo që ka ndodhur vitet e fundit është që të shtyjë sipërmarrjet dhe të gjenerojë produkte të reja turistike. Nëse flasim për bukuritë natyrore Shqipëria ka shumë , por ka nevojë edhe për infrastrukturë rrugore. Para disa vitesh kishim vetëm pushues, ndërsa dy vitet e fundit kemi parë që kemi turistë që përtej plazhit eksplorojnë edhe pjesën tjetër të Shqipërisë. Janë mbi 5 milionë turistë që vizitojnë parqet natyrore, vizitohet sitet kulturore me rreth 1.5 mln vizitorë, vijnë për të shijuar festivalet që organizohen, pra vendi ka potencial për të tërhequr turistë. Kemi mbi 260 struktura agro-turistike në të gjithë vendin dhe kjo ndihmon edhe strategjinë për rritjen e turizmit”, tha ajo.