Eksod nga Shqipëria – Vetëm programet e zhvillimit për të dalë nga varfëria frenojnë eksodin me motive ekonomike
Ilir Cenaj e ka parkuar kamionin buzë rrugës dhe pret të kalojë pikën kufitare të Morinës, në Kukës. Automjete të vogla dhe kamionë hyjnë dhe dalin në të dyja anët e kësaj pike, mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ndonjë autobus me pasagjerë pret të hyjë nga Kosova. Ndodhem në Morinë, në një paradite të këtij fundprilli. Rritja, në këta katër muaj të parë të këtij vitit, e numrit të kuksianëve që largohen përmes kësaj pike drejt Gjermanisë, kërkesat e tyre për azil ekonomik dhe paralajmërimi këmbëngulës gjerman se nuk do të pranohen e kanë kthyer Morinën në çështje dite.
Dhe befasohesh me mënyrën pozitive kur atje gjen qetësi, rregull, qarkullim automjetesh të vogla, kamionësh dhe autobusë me pasagjerë që hyjnë nga Kosova. Hetimet që ka filluar qeveria e Tiranës ndaj kompanive abuzive të udhëtimit, ndëshkimi ligjor i atyre që mashtrojnë qytetarët me “azilin e garantuar ekonomik” në Gjermani, kontrolli më i rreptë i kufirit duket se kanë dhënë rezultatet e para. A tregon ky rregull dhe qetësi se ethja e kuksianëve ndaj Perëndimit është frenuar dhe fashitur? “Pres të marr pasaportat biometrike të djemve dhe të udhëtoj drejt Gjermanisë. Do të kërkoj atje azil, azil për arësye ekonomike. Që prej 25 vitesh punoj si kamionist, çoj e sjell mallra në të dyja anët e kufirit. Nuk kam orar, punoj 16 deri 18 orë në ditë dhe paga është shumë e vogël, jam vetë i gjashtë në familje, nuk ia dal dot”, thotë Iliri për DW.
Ai e ka të freskët apelin e ambasadorit gjerman në Tiranë, Helmut Hoffmann, që javën e kaluar ishte në pikën kufitare të Morinës bashkë me Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Iliri ishte mes atyre që e panë dhe dëgjuan ambasadorin. Apeli i tij se “në Gjermani nuk egziston e drejta e azilit ekonomik dhe askush të mos marrë rrugën në drejtim të Gjermanisë, pasi do të rikthehet në Shqipëri për t’ia nisur sërish nga e para” e bën Ilirin të mendohet, të ngurrojë.
“Po e dëgjova me veshët e mi këtë apel por .. se mos jam vetëm unë, gjithë kuksianët duan të ikin në Gjermani, komuna e Shishtavecit p.sh. është boshatis krejt, atje kanë mbetur vetëm pleqtë. Unë do ta provoj.. ndofta maji nuk më gjen më duke pritur kontrollin e dokumentave në Morinë”, thotë ai i menduar..
Eksodi i tanishëm – arësyet, realiteti dhe enigma
Shishtaveci, komuna më e madhe e Kukësit, është 1700 metra mbi nivelin e detit dhe 38 km larg qytetit të Kukësit. Një projekt i mbështetur financiarisht nga qeveria gjermane përmes Bankës KfW po bën të mundur përfundimin e rrugës nacionale automobilistike me dy korsi Kukës – Shishtavec. Makineri të rënda, punëtorë, beton dhe zhavor hasim në segmentet që janë në ndërtim e sipër. Kjo rrugë gjarpëron me kthesa të forta mes pyjeve të mështeknave dhe dushkut që kanë nxjerrë gjethet e reja të pranverës, përrenjve të rrëmbyer, lëndinave me bar të ri, pllajeve dhe maleve ende me dëborë. Ram Basha, ekonomist në komunën e Shishtavecit me 5.100 banorë thotë për DW se kjo bukuri e rrallë, deri më sot, nuk i ka mbajtur me bukë banorët e Shishtavecit. “Kemi emigruar gjithmonë, që në 1920-ën, në vendet fqinjë për të punuar dhe fituar jetesën. Kemi 8 muaj dimër, jemi 8 muaj të bllokuar nga bora. Kemi një ekonomi të dobët, jetesë të vështirë. Mbijetojmë me paratë që na dërgojnë emigrantët që kemi në Angli, ky pejzazh malor dhe kjo natyrë fort e bukur nuk na jep bukë, nuk na siguron jetesën”, thotë Ram Basha.
Shishtaveci ka pak tokë bujqësore. Mekanika nuk përdoret fare. Toka punohet me parmendë ose me krahë. Kultivohet patatja, e famshme në gjithë vendin për shijen e saj të mirë, por të ardhurat janë të pakta se prodhim i saj del nën kosto ose me një kosto më të lartë se patatja e importit. “Një kg. patate në Shishtavec shitet 20 cent. Tregje ose nuk ka, ose janë larg. Patatja vjen në Shqipëri nga Kosova, ku ka superprodhim për shkak të sipërfaqjeve të mëdha të tokës dhe përdorimit të mekanikës bujqësore. Taksat e importit të patates janë shumë të ulëta. Me prodhimet blegtorale sigurojmë vetëm nevojat e familjeve tona”, thotë Ram Basha.
Kukësi mbetet një ndër qarqet më te varfëra të Shqipërisë. Ka nivel të lartë papunësie, nuk ka një qendër shëndetësore dhe as telefoni fikse. “Në Shishtavec ka aktualisht 1370 familje, 400 prej tyre marrin nga Komuna asistencë sociale, prej 25 Eurosh në muaj. Janë familje me 6- 8 anëtarë, nuk kanë mjete jetese dhe jetojnë në varfëri ekstreme. Integrimi europian?! Krejt pa kuptim me këtë varfëri”, thotë Ram Basha për DW.
Prej varfërisë së skajshme banorët e Shishtavecit kërkojnë të shpëtojnë, të ikin drejt vendeve të BE, të kërkojnë azil ekonomik. Me të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet e hapësirës Shengen e kanë mundësinë të udhëtojnë drejt Gjermanisë enkas për të kërkuar azil ekonomik. Mes mbijetesës dhe abuzimit me rregullat e lëvizjes së lirë ata zgjedhin të parën.
“Që nga janari i këtij viti deri tani janë larguar rreth 250 vetë. Në shkollën tetëvjeçare të Shishtavecit ka pasur 400 nxënes, tani ka vetëm 70. Kemi pikën e kalimit kufitar në Shishtavec dhe shumica ikim që andej në Prizren dhe prej atje me autobuzë mbërrijnë në Gjermani. Por shkojmë edhe në Prishtinë dhe Shkup nga pika kufitare e Morinës dhe që andej në Gjermani. Mjafton të kenë 2000 euro në xhep për kontrollin në aeroportet gjermane”, thotë Ram Basha.
Përtej situatës së vështirë ekonomike ka edhe një faktor tjetër që ka nxitur në këta muaj eksodin masiv: përhapja e zërave që Gjermania pranon emigrantë për motive ekonomike. Kur e pyes Ram Bashën nga erdhën, si u përhapën këto zëra ai ngre supet. “Kjo është një enigmë, një mister, nuk di me ta tregue, për besë, nuk ka ndodh vetëm tek ne, por në krejt vendin”, thotë ai.
Këta zëra duket se kanë gjetur tokë pjellore për t’u besuar: sipas një raporti të Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, të publikuar në shtypin e Tiranës, në fund të marsit numri arriti në 3.020 nga 1648 që ishte në janar. Mijëra shqiptarëve të varfër u duhet të shesin gjithë sa kanë për të paguar kostot e larta financiare të ushëtimit drejt Gjermanisë për t’u rikthyer në Shqipëri pas disa muajve jetese në kushtet e vështira në kampet e azilantëve.
“Kam tri vajza dhe një djalë. Dy studiojnë në Universitetin e Tiranës, djalin e kam këtu në Shishtavec. Dua që fëmijët e mi të kenë një jetë më të mirë. Por nuk mund ta vë në rrezik familjen time, ta çoj drejt së panjohurës, ta bëj që të përballojë kushtet e vështira në kampet e azilantëve në Gjermani apo kudo tjetër”, thotë Ram Basha.
Nga eksodi tek zgjidhje të qëndrushme afatgjata
Në mënyrë të përsëritur anëtarë të qeverisë gjermane, të Bundestagut, politikanë të lartë dhe ambasadori gjerman në Tiranë, Hoffmann kanë theksuar që Gjermania nuk pranon azilantë ekonomikë. Në një intervistë ekskluzive, që Ministrii i Brendshëm, Thomas de Maizière i ka dhënë DW, gjatë vizitës vitin e kaluar në Tiranë, ai theksoi se: “Shtetasit shqiptarë nuk kanë asnjë shans për të marrë azil në Gjermani. Ata do të rikthehen dhe është e kotë të përpiqen të kërkojnë azil në Gjermani”.
Për ata që refuzojnë të rikthehen, pasi kërkesa për azil nuk u është miratuar, ka penalitete si ndalim për 5 vjet të së drejtës së lëvizjes së lirë në vendet e hapësirës Shengen. Si do të dalin nga rrethi i varfërisë banorët e Shishtavecit? Ram Basha, me lapsin e ekonomistit në kokë thotë se ka vetëm një rrugë: shfrytëzimi i burimeve natyrore, programe zhvillimi të mbështetura nga BE-ja, në mënyrë që të shmangen valë të reja të kërkesave për azil ekonomik. “Turizmi është prioriteti i parë në Shishtavec për hapjen e vendeve të reja të punës. Rruga nacionale automobilistike, që po ndërtohet, me mbështetjen e qeverisë gjermane do të jetë hapi i parë për zhvillimin e turizmit”, thotë Ram Basha.
Sfida e një turizmi që të gjenerojë vende pune që banorët e Shishtavecit të mos i mbajnë sytë nga eksodi është e madhe: mungojnë krejtësisht shërbimet dhe akomodimi për turistët, mungojnë kapacitetet për të menaxhuar turizmin malor si edhe kultura e shërbimit. Plani strategjik për zhvillimin e komunës së Shishtavecit ka hedhur piketat sesi mund të fitohet sfida: atje ku sot zhvillohen kampionatet lokale të skive është projektuar ndërtimi i një piste për ski dhe i teleferikëve, ngritja dhe funksionim i “Guest Houses” për turistë vendas dhe të huaj, i zyrës së informacionit, i guidave turistike, i treinimit të operatorëve vendas të turizmit etj. Nëse ky plan strategjik nuk mbetet në sirtaret e zyrave të komunës së Shishtavecit por vihet në jetë atëhere peisazhi dhe natyra do t’i japë punë dhe jetesë Shishtavecit. Dhe do të sjellë gradualisht fundin e aventurës së eksodit. (dw)