Tiranë: Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, komenton reformën gjyqësore dhe atë zgjedhore

Yuri KimAmbasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, deklaroi se reforma në drejtësi duhet të vazhdojë, duhet të këmbëngulim, dhe reforma në drejtësi duhet të tregojë rezultate.

Zonja Kim i bëri këto komente në një intervistë për televizionin News 24 në emisionin “Real Story”, ku përsëriti vendosmërinë e SHBA-ve për të mbështetur reformat kryesore të Shqipërisë, si ajo në sistemin gjyqësor dhe atë zgjedhor.

“Jemi në mes të betejës. Është koha për të qenë trima dhe për të luftuar. Nuk është koha për të hequr dorë” – tha ambasadorja Kim.

Ajo theksoi se populli dhe rinia shqiptare kanë shumë kurajë dhe këmbëngulje për të ecur përpara.

“Reforma në drejtësi është thelbësore për të arritur ndryshimet e pritura. Është e tmerrshme të shohësh gjithë ata të rinj që kërkojnë një të ardhme jashtë Shqipërisë. Është përgjegjësi e udhëheqësve politikë, e gjyqtarëve, avokatëve, gazetarëve, kushdo që ka qoftë edhe një gram pushtet në Shqipëri për ta bërë më të mirë. Ne do të mbështesim për ta bërë Shqipërinë më të mire, në mënyrë që të rinjtë të qëndrojnë këtu” – tha zonja Kim.

Ajo theksoi se integrimi europian është një projekt historik dhe përgëzo popullin dhe qeverinë shqiptare që kanë arritur në këtë pikë në histori.

“Qeveria dhe populli shqiptar dhe udhëheqësit politikë shqiptarë, avokatë, gjyqtarë, prokurorë të bashkojnë forcat për ta bërë reformën në drejtësi realitet. Është e vështirë. E di që jo të gjithë e duan. Jo të gjithë duan të gjitha pjesët e saj, por është vërtet e nevojshme dhe shumica dërrmuese e popullit shqiptar e do dëshpërimisht. Biznesi amerikan me të cilët flas e do dëshpërimisht. Askush nuk do të investojë në Shqipëri nëse nuk kanë ndjesinë se kontratat do të zbatohen, që nëse ka një mosmarrëveshje dhe nëse shkojnë në gjykatë, do të marrin një gjykim transparent dhe të ndershëm” – tha ambasadorja Kim.

Ajo shtoi se reforma po shkon drejt fundit dhe të gjithë duhet të përqëndrohen tek rezultati përfundimtar.

“Gjyqtarët që janë qartësisht të korruptuar duhet të dalin që aty. Nuk duhet të ulen në ato salla gjyqi. Nuk duhet të marrin vendime për asgjë. Duhet të jenë jashtë që aty. Unë e marr procesin e vetingut shumë seriozisht” – tha zonja Kim.

Reforma zgjedhore ishte po ashtu në qendër të komenteve nga ambasadorja amerikane në Shqipëri.

Ajo tha se opozita, që është jashtë parlamentit, bëri një gabim; nuk duhet të kishin ikur, por ata përfaqësojnë një pjesë domethënëse të popullsisë, ndaj duhet të jenë pjesë e diskutimit dhe se ishte diçka shumë e mirë, që u kthyen në tryezë për të negociuar çështjen e reformës zgjedhore.

“Më 5 qershor, palët ranë dakord dhe kanë hartuar ligjet që kodifikojnë marrëveshjen që arritën. Pritshmëria ime është që do ta ruajnë atë. Është e patjetërsueshme. 5 qershori duhet të kalojë siç është. Nuk mund të hapet përsëri. Nuk mund ta bësh sepse do të ishte shkelje e shumë besimi të vënë. Nëse jep fjalën, si politikan, si diplomat, nëse nuk e mban fjalën, nuk ke asgjë. Ndaj pritshmëria ime është që udhëheqësit këtu do të bëjnë pikërisht atë që më thanë se do të bënin, që është miratimi i 5 qershorit” – tha ambasadorja Kim.

Diplomatja amerikanë në Shqipëri tha se synimi i menjëhershëm është shumë specifik: të sigurohet që Shqipëria të hyjë në BE.

“Ajo që nuk duam është një situatë pengmarrjeje, kur diçka që është ekstra mban peng diçka që është e nevojshme. Nuk mund të jetë dhe nuk mund ta mbështes këtë.. Marrëveshja e 5 qershorit është mbyllur dhe nuk mund ta hapim përsëri” – tha ambasadorja Kim.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>