Tiranë: Ilir Meta, thirrje partive të mos përfshihen në abuzime me zgjedhjet

Ilir MetaNë Shqipëri, presidenti i zgjedhur i Republikës, Ilir Meta, paralajmëroi forcat kryesore politike, që të mos përfshihen në manipulime të votimit për zgjedhjet parlamentare.

Zoti Meta tha se ai nuk do të dekretojë asnjë kryeministër apo ministër, që vjedh vota dhe manipulon zgjedhjet e 25 qershorit.

Korrespondenti ynë, Ilirian Agolli, njofton nga Tirana

Presidenti i zgjedhur i Republikës, Ilir Meta, ish-kryetar i parlamentit dhe i LSI-së, i dha një kthesë të papritur fushatës zgjedhore, kur tha sot se në këtë periudhë shteti po keqpërdoret me manipulime dhe frikësime të qytetarëve nga dy partive të mëdha në aleancë pas marrëveshjes së fundit.

“Aleanca PS-PD është aleancë e errësirës, që po shpërdoron pushtetin në dëm të interesave të qytetarëve” – tha zoti Meta.

Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta bëri paralajmërimet më të forta ndaj kujtdo që do të përiqet të vjedhin votat në këto zgjedhje.

Ai tha se “nuk do të dekretojë si kryeministër apo ministër asnjë politikan, që vë dorë mbi zgjedhjet dhe do të përpiqet të manipulojë rezultatet e tyre”.

Forcat politike po zhvillojnë fushata të ethshme zgjedhore nëpër të gjithë Shqipërinë plot premtime të reja dhe kritika për garuesit e tjerë.

Kryetari i PS-së, Edi Rama po viziton këto ditë objekte në ndërtim e sipër të investimeve publike dhe po premton vazhdimin e ecurisë së deritanishme, duke kërkuar një mandat të dytë.

Opozita po përpiqet të bëjë një bilanc të premtimeve të pambajtura të qeverisë së koalicionit socialist, duke renditur një program ekonomik të sajin.

Krahas takimeve në qytete, kryetari i PD, Lulzim Basha, po takohet edhe me banorë të zonave fshatare, ku banon afro gjysma e popullsisë së vendit.

Secili subjekt politik po garon më vete këtë vit dhe koalicionet parazgjedhore janë lënë mënjanë dhe aleatët e mëparshëm po fajësojnë njëri tjetrin për dështimet.

LSI deklaroi se gjatë 4 vjetëve të fundit në drejtimin e PS i gjithë vendi u mbush me bimë narkotike dhe pakkush e luftoi këtë veprimtari kriminale.

Ndërsa forcat më të reja si LIBRA, e drejtuar nga Ben Blushi, po kërkojnë votat për të vënë në provë drejtësinë e projektve të tyre si parti të reja garuese, duke fajësuar për abuzime të konsiderueshme partitë e vjetra, sic i quan ai.

Ben Blushi

Nga ana tjetër KQZ po bën përgatitjet e fundit për mbarëvajtjen e procesit të votimit në 25 qershor, kur do të zgjidhet parlamenti i ri.

Por, si asnjë herë më parë atje ka dalë problemi që komisionerët dhe veprimtarë të tjerë vullnetarë të procesit zgjedhor po bojkotojnë trajnimet nga frika se humbasin vendet e punës. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>