Përsëritja e tenderit për “Unazën” e Tiranës ka nxjerrë në pah diferenca të mëdha çmimesh, krahasuar me tenderin e parë. Në tenderin e anuluar, pas shpërthimit të skandalit me falsifikimin e dokumenteve, kompania “DH Albania” e fitoi kontratën për ndërtimin e lotit të parë me një çmim prej 2.24 miliardë lekësh, ose rreth 18 milionë euro.
Por, në tenderin që u zhvillua këtë të henë, ofertat kanë zbritur ndjeshëm. Sipas dokumenteve të tenderit, një bashkim kompanish shqiptare ka ofruar ta ndërtojë lotin e parë të “Unazës” me çmim 1.77 miliardë lekë, ose 14.1 milionë euro. Pra 3.8 milionë euro më pak sesa tenderi i parë.
Kjo është një diferencë e konsiderueshme, pasi vlera e kursyer në vetëm një lot do të mjaftonte për ndërtimin e një shkolle të re, e nëse do të ishte zhvilluar e njëjta garë edhe në dy lotet e tjera, atëherë taksapaguesve mund t’u kurseheshin deri në 10 milionë euro.
Por, këto janë vetëm ofertat financiare. ARRSH-ja thotë se ka nisur shqyrtimin e dokumentacionit të kompanive pjesëmarrëse, nëse ato plotësojnë kriteret e tenderit. Kjo duket se ka hapur një luftë të re. Top Channel ka mësuar se, në Departamentin Antikorrupsion, Agjencinë e Prokurimeve Publike dhe Ministrinë e Sipërmarrjes kanë mbërritur ankesa për kriteret e vendosura nga ARRSH-ja.
Sipas tyre, një pjesë e kritereve, si detyrimi për të pasur një vinç me kapacitet 450 tonë, apo licencat për punime telekomunikacioni, janë përjashtuese dhe mund të çojnë në skualifikimin e padrejtë të kompanive që kanë dhënë ofertat më të ulëta.
Por, këto akuza janë hedhur poshtë nga ARRSH-ja. Ndërkohë, një ditë më parë, Partia Demokratike akuzoi se fituesi i tenderit për “Unazën” është paracaktuar të jetë kompania “Gjoka shpk”, e cila për nga oferta financiare renditet e treta, me çmim rreth 17.5 milionë euro.
Top Channel