Ivana Stradner, e specializuar në çështjet e sigurisë dhe informacionit dhe një vëzhguese e thellë e gjendjes në Ballkanin Perëndimor, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me rolin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në rajon.
Stradner në platformën “X” , ka thënë se disa vende të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të vetëdijshëm se Vuçiq aktualisht vepron si faktori kryesor i destabilitetit në Ballkan.
Sipas Stradner, inteligjenca serbe ka investuar burime të konsiderueshme për të krijuar një imazh të Vuçiqit si një lider që është i përqendruar vetëm tek përfitimet ekonomike dhe se për këtë arsye, ai duhet të përceptohet si një figurë stabiliteti.
Kjo strategji, sipas saj, ka për qëllim të bindë figurat kyçe perëndimore për të shikuar përtej ngjarjeve të viteve ’90 dhe të fokusohen në potencialin e bashkëpunimit të ardhshëm.
“Inteligjenca e Serbisë ka bërë përpjekje të palodhura për të bindur udhëheqësit në Perëndim se Vuçiqit i interesojnë vetëm financat dhe ekonomia, dhe se kjo përfaqëson një garanci për stabilitet,” thekson Stradner.
Kjo taktikë ka për qëllim jo vetëm të krijojë përshtypjen e një Vuçiq të moderuar, por edhe të dobësojë opozitën pro-perëndimore dhe të ushqejë lëvizjet e ekstremit të djathtë.”
Stradner vazhdon të theksojë pasigurinë që mbizotëron në Perëndim në lidhje me Serbinë, duke veçuar rolin e kufizuar të Mbretërisë së Bashkuar, që megjithë kuptimin e situatës, përballet me mungesën e një strategjie të qartë ndaj presidentit serb, si dhe me një mungesë të opozitës së fortë në Serbi.
Stradner shpreh shqetësimin se Ballkani po neglizhohet nga udhëheqësit perëndimorë, ndërsa shumë analistë të huaj tashmë kanë humbur shpresat se perspektiva evropiane e Serbisë do të shtynte Vuçiqin drejt qëndrimeve më demokratike.
“Përkundrazi, Serbia, sipas tyre, duket të jetë duke ecur në një ritëm të ndryshëm nga ai i kontinentit evropian, një fakt që vetëm sa rrit shqetësimet për të ardhmen e rajonit”, shkruan Stradner.
rtk