Përplasjet për Ali Pashë Tepelenën

Ali Pashë Tepelena / Një personazh historik që përplas studiuesit dhe shkrimtarët në qëndrimet rreth kësaj figure… Cila është e vërteta e këtij shqiptari që vazhdon të joshë në shekullin XXI me historitë e tij. Dorian Koçi, nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar sjell një këndvështrim mbi figurën e Pashait të Janinës

Zbulimi i një poeme të panjohur më parë kushtuar Ali Pashë Tepelenës në gjuhën greke dhe botuar nga albanologu i njohur, Emile Legrand në Francë në 1871, do ta çonte Dorian Koçin, njohës të historisë dhe nëndrejtor i Muzeut Historik Kombëtar drejt një këndvështrimi të ri në figurën e Pashait shqiptar. Një personazh që ka gjetur gjithnjë kundërshti në mendimin politik e kulturor shqiptar, për të cilin rilindësit në veprat e tyre mbanin qëndrim kritik, ndërsa udhëtarët e huaj apo shkrimtarët anglezë i vishnin tone joshëse, që ende sot i bëjnë anglezët të vizitojnë Sarajet e mbetura nga Pashai në Tepelenë. Por cili ishte në të vërtetë Ali Pashë Tepelena? Në studimin që sapo ka nxjerr në treg “Gjeanologjia e Ali Pashë Tepelenës”, Koçi përpiqet të japë një tjetër vështrim për këtë figurë, që ashtu siç shkruan dhe Aleksandër Duma te libri “Ali Pashë Tepelena”, prirjen për pushtet, dhe dinakërinë e kishte të lindur. Sipas Koçit, duhet të heqim dorë për ta parë figurën e tij si të një njeriu oriental, të egër, mizor që fillon karrierën e vet si një hajdut i thjeshtë në male e Epirit për të përfunduar nëpërmjet vrasjeve, përdhunimeve dhe dredhive si zot i vërtetë i tij. As nën dritën e historive me ngjyrime orientaliste të haremeve të tij, dashurive, historisë së Frosinës që paraqesin si një figurë të degjeneruar dhe epshore që s’ndalet para asnjë gjëje për të arritur qëllimet e veta. Ashtu si sqaron dhe në libër, Ali Pasha ishte përfaqësues i një nga familjeve më fisnike toske dhe të parët e tij kishin qenë pashallarë, administrues të Pashallëkut të Delvinës dhe në këtë mënyrë ai trashëgonte jo vetëm një linjë fisnikërie, por edhe trashëgimi administrative të admirueshme për kohën.

Figura e Ali Pashë Tepelenës, vazhdon të mbetet një nga figurat historike shqiptare që tërheq ende vëmendjen e të huajve që vizitojnë Shqipërinë, si dhe audiencën shqiptare. Përse ky interesim i madh rreth kësaj figure?

Ali Pasha Tepelena është figura më interesante dhe më karizmatike e kapërcyellit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit të XIX në historinë e Shqipërisë. Koha në të cilën u brumos dhe ushtroi aktivitetin e tij pashai tepelenas ishte koha kur Ballkani dhe territoret e perëndimore të tij nën kontaktin e drejtpërdrejt me ushtrinë franceze që pushtuan Ishujt Jonianë dhe zhvillimit të një rrjeti tregtar të admirueshëm me Europën kaluan nga procesi i Mesjetës së vonë në iluminizëm dhe nacionalizëm. Merita e Ali Pashë Tepelenës është se ai nuk u gjend i papërgatitur për të përjetuar këto ndryshime, por në varësi të rrethanave dhe gjeopolitikës evoluoi qëndrimet e veta politike nga një shkollë administrative e politike që e kishte përgatitur për të qenë një Pasha tradicional otoman në një prijës makiavelik me tendenca moderniste të aftë për të krijuar shtetin e vet. Kjo përpjekje modernizuese fitoi simpati të madhe mes udhëtarëve të huaj që vizituan Shqipërinë në këtë kohë, duke e trajtuar atë në veprat e tyre shumë herë pozitivisht, por nuk munguan dhe ngjyrat negative në varësi të shijeve, interesave diplomatike dhe afilacioneve kulturore që këta udhëtarë përfaqësonin. Trashëgimia kulturore e veprave të këtyre udhëtarëve e bën figurën e Ali Pashë Tepelenës ende tërheqëse në Europë dhe të lidhur me romantizmin, rrymës letrare që përshkoi Europën në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XIX.

Ju, jeni autori i një monografie për Ali Pashë Tepelenën “Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës”. Çfarë aspektesh të reja keni sjellë krahasuar me veprat e tjera kushtuar kësaj figure?

Studimi im e ka marrë shtysën nga zbulimi i një poeme të panjohur më parë kushtuar Ali Pashë Tepelenës në gjuhën greke dhe të botuar nga albanologu i njohur, Emile Legrand, në Francë në 1871. Poema është një fragment i titulluar “Gjenealogjia e Ali Pashës” dhe rrëfen për vitet e para të karrierës së tij deri në moshën 16 vjeç. Përkthimi dhe publikimi i saj më nxiti që ta plotësoj me fakte historike gjenealogjinë e tij përmes leximit dhe citimit të kujdesshëm të një bibliografie shumë të gjerë rreth Ali Pashës, për të saktësuar origjinën e tij shqiptare, vitin e lindjes, ngjarjet e Hormovës dhe Kardhiqit që janë kthyer në burime nga rrjedhin motivet orientale rreth figurës së tij, shkrimin e shqipes me alfabet grek dhe lindjen e protonacionalizmit në territoret e tij, Kushtetutën që dëshironte të hartonte si dhe heraldikën e veçantë. Për më tepër figurën e Ali Pashë Tepelenës e kam parë nën prizmin e kohës së vet, pasi nuk mund të studiohet jashtë kontekstit të kohës, gjeopolitikës dhe balancës së pushteteve të trashëguara që ai gjeti të ngritura si strukturë më vete, ndaj në libër ka dhe një pasqyrë të gjerë të ambicieve, dëshirave dhe aksioneve të klasës feudale shqiptare ë e mbështeti apo dhe e tradhtoi Ali Pashë Tepelenën.

Ali Pashë Tepelena, përveçse një figurë historike është dhe një personazh kryesor në disa vepra letrare të epokës së tij. Si është trajtuar figura e tij dhe çfarë rëndësie kanë këto vepra?

Ali Pashë Tepelena për herë të parë shfaqet në poemën e gjatë narrative të Lord Byron-it, Childe Harold në 1812, dhe që atëherë u bë objekt dhe personazh i një sërë veprash jo vetëm në poezi, por edhe në prozën e gjatë. Mes tyre, për nga rëndësia, shquan vepra e Aleksandër Dumasë, “Ali Pasha”, një vepër sa historike po aq edhe letrare e mbështetur kryesisht mbi veprat e konsullit francez, Pukvil, dhe një sërë veprash të tjerash, por e thurur dhe e hartuar me mjeshtëri artistike të tillë, ku imazhet dhe vendet që autori nuk i ka vizituar ndonjëherë, dalin shumë të gjalla dhe gjithë dritë duke i dhënë lexuesit një tablo të përgjithshme se çfarë ishte Epiri nën qeverisjen e Ali Pashës. Fakti që në Francën e gjysmës së parë të shekullit XIX, publiku francez njihte dhe lexonte rreth jetës, bëmave dhe aksioneve politike të kësaj figure tregon sesa i rëndësishëm ishte për publikun europian. Libri i Dumasë është shkruar sigurisht nën kapërcyellin e dy ngjarjeve të rëndësishme për mendimin kulturor e politik të Europës, fillimit të udhëtimit të shpeshtë në Lindjen e Afërt ku bënte pjesë Pashallëku i Janinës dhe përpjekjeve kryengritëse për t’u krijuar shteti kombëtar grek. Parë nën prizmin e këtyre dy ngjarjeve, figura e Ali Pashës u portretizua nëpërmjet mesazheve orientaliste si despot oriental, gjakpirës e të pabesë, cinik e epshor duke e parë si një shtypës dhe një zotërues të territoreve që ata do të dëshironin të shikonin të projektuar “Heladhën” e teksteve të tyre shkollore, por edhe për të tërhequr vëmendjen e lexuesve të tyre me aventura të tilla për njerëz të vendeve që ishin sa afër Europës, por në të njëjtën kohë dhe shumë larg saj për shkak të mungesës së kontakteve kulturore.

Ka një mendim se udhëtarët anglezë që kanë qenë më të shumtë në numër kanë qenë më realistë ndaj figurës së Ali Pashë Tepelenës, ndërsa francezët kanë mbizotëruar në paraqitjen e figurës së tij në letërsi. Sa afër së vërtetës qëndrojnë këto konstatime?

Qëndrimi ndaj figurës së Ali Pashë Tepelenës, nuk u ka shpëtuar dhe shqetësimeve gjeostrategjike të kohës. Nuk duhet të harrojmë që shumica e udhëtarëve anglezë para se të ishin udhëtarë të thjeshtë në Lindje të Afërt ishin dhe diplomatë e ushtarakë që përfaqësonin interesat e Perandorisë Britanike që në një kohë për më tepër se 10 vjet përkuan me fuqizimin e Ali Pashë Tepelenës, ndërsa shkrimtarët francezë si Hygo, Balzak dhe kryesisht Duma shprehnin dhe pasqyronin ekzaltimin romantik të rizbulimit të këtyre territoreve dhe të personazheve që dominonin aty. Pasqyrimi i krimeve dhe grykësia për pushtet dhe para e Ali Pashës që Duma përshkruan në librin e tij nuk duhet keqkuptuar pasi në të ka pjesë të vërteta që korrespondonte me karakterin e një sunduesi autoritar si Ali Pashë Tepelena, realiteti i vendit në të cilin sundonte ndryshonte shumë nga realiteti i Francës së atyre viteve. Gjithsesi, në veprën e vet, ashtu si më vonë dhe të Konti Monte-Kristos, ndihet një tërheqje e Dumasë ndaj rreptësisë, drejtësisë dhe dinakërisë së lojës politike të Ali Pashë Tepelenës, ndaj vepra vazhdon ende të mbetet tërheqëse dhe pikë reference sa herë që publiku kërkon të mësojë diçka më tepër rreth Ali Pashë Tepelenës.

Figura e Ali Pashës ka gjetur kundërshti që herët në mendimin politik e kulturor shqiptar. Kujtojmë këtu se edhe Sami Frashëri apo rilindësit e tjerë shqiptarë në veprat e tyre mbajtën një qëndrim kritik, duke mos e bërë pjesë të mesazheve të tyre nacionaliste për zgjimin e popullsisë dhe nxitjen e saj për të fituar identitetin kombëtar.

Pjesa më e madhe e autorëve të Rilindjes Kombëtare u formua në Janinë, në gjimnazin “Zosimea” ku bëmat dhe aktiviteti i Pashait Tepelenas ishin ende të freskëta në memorien e njerëzve. Në të njëjtën kohë ata ishin përfaqësues edhe të familjeve të pasura feudale si Ismail Qemali, që e kishin ndier në lëkurë pushtetin centralizues të Ali Pashës. Përqendrimi i pushtetit në një dorë të vetme nuk ka shkaktuar viktima të shumta vetëm në Shqipëri dhe në Pashallëkun e Janinës, por gjithandej nëpër Europë sa herë ky proces ka hyrë në spiralet e veta të fuqizimit të pushtetit dhe ambicieve për të krijuar etnitete shtetërore të fuqishme. Akuza tjetër që i bëhej Ali Pashës, kishte të bënte se me kryengritjen e tij kishte ndihmuar të shpërthente Revolucioni Grek, çka pas përpjekjeve greke të vitit 1878 për të marrë territore shqiptare, shikohej si një ngjarje negative. Respektimi i pushtetit të Kishës Ortodokse dhe përfshirja e saj në pushtetin e kohës ishte një traditë shtet formuese otomane që Ali Pasha Tepelena e gjeti të trashëgueshme që nga rënia e Kostandinopojës dhe nuk e shpiku vet, ndaj akuzat për mbështetje të veçantë dhe të paramenduar ndaj popullsisë greke të Pashallëkut të vet, nuk qëndrojnë, por shpeshherë ngjajnë diletante. Ali Pasha Tepelena nuk mund të ishte profet për të parashikuar ngjarjet që do të rridhnin më vonë mes grekëve dhe shqiptarëve. Në lojën e vet të brendshme për pushtet Ali Pashës i duheshin aleatë dhe në peshkopët e Kishës Ortodokse, ai gjeti njerëz që qeverisnin dhe drejtonin si udhëheqës shpirtërorë një pjesë të madhe të nënshtetasve të vet. Është afërmendsh që këtë ekuilibër pushteti që ndiqte vetë Sulltani për të qeverisur në Perandorinë Otomane nuk mund të injorohej nga Ali Pasha.

Atëherë në kuadër të nacionalizmit dhe lëvizjeve të tjera në Ballkan, në çfarë perspektive duhet parë figura e Ali Pashë Tepelenës?

Së pari, duhet të heqim dorë për ta parë figurën e tij si të një njeriu oriental, të egër, mizor që fillon karrierën e vet si një hajdut i thjeshtë në malet e Epirit për të përfunduar nëpërmjet vrasjeve, përdhunimeve dhe dredhive si zot i vërtetë i tij. As nën dritën e historive me ngjyrime orientaliste të haremeve të tij, dashurive, historisë së Frosinës që paraqesin si një figurë të degjeneruar dhe epshore që s’ndalet para asnjë gjëje për të arritur qëllimet e veta. Ashtu si sqaroj dhe në libër, Ali Pasha ishte përfaqësues i një prej familjeve më fisnike toske dhe të parët e tij kishin qenë pashallarë, administrues të Pashallëkut të Delvinës dhe në këtë mënyrë ai trashëgonte jo vetëm një linjë fisnikërie, por edhe trashëgimi administrative të admirueshme për kohën. Epoka protonacionaliste që lindi gjatë sundimit të Ali Pashës ndërtoi kolonat e formimit të identitetit të popullsisë së pashallëkut të tij, e cila sipas territorit, preferencave gjuhësore dhe atyre të besimit fetar u nda në shqiptarë dhe grekë. Rebelimi i tij edhe pse nuk mori ngjyresat e forta të një revolte të mirëfilltë nacionaliste ndihmoi shumë në krijimin e identitetit kolektiv kundërshtues ndaj Perandorisë që shqiptarët adoptuan në vitet e mëvonshme. Në këtë sens nuk mund të thuhet se kjo popullsi iu përgjigj dhe e kuptoi tërësisht mesazhin nacionalist që Ali Pasha Tepelena i drejtoi kur u rebelua ndaj pushtetit qendror, por nuk mund të lihet pa përmendur se në këtë kundërvënie ajo shumë shpejt gjeti orientimin e vet nacionalist. Rebelimi i tij shënon kundërvënien e parë serioze të një pushteti lokal mysliman shqiptar me pushtetin qendror perandorak osman dhe si e tillë përbën një rast të veçantë studimi dhe meriton vëmendjen e duhur të historiografisë europiane.(Alda Bardhyli)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>